Lajme

Sveçla i bashkohet Haxhiut në akuzat ndaj Prokurorisë për ekspertizën e Deharit

Autori: Gazeta inFokus 12:35 | 14 April 2022

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i është bashkuar asaj të Drejtësisë, Albulena Haxhiut, në akuzat ndaj Prokurorisë Speciale, pasi publikuan dy gjetjet e ekspertizës shtesë në rastin Dehari, raporton Express.

Sipa Sveçlës, Prokuroria Speciale nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari.

“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës.

-Advertisement-

Ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Gazeta Express

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera