Lajme

Sulmuesit e Valon Sylës i kërkuan “mëshirë” Gjykatës: S’tentuam të arratiseshim, i pamë krejt lajmet

Autori: Gazeta inFokus 11:32 | 19 April 2023

Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, ndodhën në paraburgim si të dyshuar për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla. Ndaj tyre ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

I dyshuari Lum Dervishi ka deklaruar në gjykatë se ndjen keqardhje që ka ndodh rasti dhe sipas tij nuk kishte motive, por ka qenë e momentit.

“Për shkak se ka fyer pejgamberin a.s.,”, është deklarata e të dyshuarit Dervishi, duke i propozuar gjykatës që t’i shqiptojë një masë më të lehtë sesa kjo e paraburgimit.

-Advertisement-

Edhe Kenan Hasani ka deklaruar se sulmi fizik ndaj gazetarit Syla ka qenë i momentit dhe se nuk ka qenë i planifikuar apo diçka tjetër.

Vëllai i tij, Okan Hasani, ka deklaruar në gjykatë se nuk e pranon paraburgimin dhe se nuk kanë pasur të arratisen pas sulmit. Sipas tij, edhe pas sulmit kanë qarkulluar lirshëm edhe pse i kanë pa lajmet në media për gazetarin Syla dhe deklaroi se pasi kanë pranuar telefonatën nga policia nuk kanë rezistu.

“Dua të shtoj se nuk e pranoj paraburgimin e para se na nuk kena pas mu arratis por qysh ka ndodh rasti e shpjeguan edhe këta, na edhe mas rastit kena qarkullu lirshëm, i kena pa edhe lajmet edhe krejt dhe s’kena tentu mu arratisë ose diçka, masi na ka ardhë telefonata prej policisë s’kena rezistu, kena pranu kanë ardhë me na marrë…”, është shprehur ai në gjykatë, transmeton Gazeta Express.

Masën e paraburgimit e kanë kundërshtuar mbrojtësit e të dyshuarve, por gjykata ka vendosur 1 muaj paraburgim ndaj tyre, masë kjo që do t’u zgjasë deri me 13 maj.

Si rrethanë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ndër të tjera gjykata e ka marrë në konsideratë peshën e veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurve dhe mënyrën e organizimit për sulm në kohë të shkurtë ndaj Sylës.

“…tregon rrezikun se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale, duke marrë parasysh organizimin e grupit shumë mirë në kohë të shpejtë, pastaj mënyrën profesionale të kryerjes së veprimeve kriminale dhe pasi që veprën penale për të cilën dyshohet se e kanë kryer, e kanë kryer për një kohë të shkurtë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Njëri nga avokatët e gazetarit Valon Syla, Fisnik Salihu tha për Express se rasti është në fazën hetimore dhe nuk kanë ndonjë informacion se kur pritet të jap deklaratën e tij Syla para prokurorisë.

“Në gjykatë e kemi marrë vendimin për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve e sa i përket deklaratës së Valonit nuk e dijmë ende sepse nuk kemi ndonjë informacion prej prokurorisë se edhe prokurorin e rastit nuk patëm mundësi me taku. Është fazë hetimore, tash prokurori do t’i marrë deklaratat prej palëve dhe Valon Sylës, nga të pandehurit dhe provave të tjera, është fazë hetimore”, tha avokati Salihu.

Prokuroria e përshkruan se të dyshuarit të motivuar ideologjikisht kanë përcjellë gazetarin Syla nga T7 deri në Breg të Diellit, të cilin më pas e kanë sulmuar me grushte në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datën 11.04.2023 rreth orës 23:00, në Prishtinë, të motivuar me ideologji ekstreme radikale islamike e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes dhe mosdurimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një postimi në Facebook për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV T7 dhe me të arritur afër restorantit “Image” në Prishtinë, duke ia rrezikuar sigurinë e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime”.

Avokati Arbër Jashari, ka shpjeguar për Express se vepra penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, që janë ndër veprat me të rënda që ka paraparë Kodi Penal, shpjegon Jashari.

“Në parim për këtë vepër është paraparë dënim me burgim deri në 5 vjet, ndërsa për forma të rënda dhe te kualifikuara, burgim deri ne 8 ose 10 vjet”, u shpreh ai për Express.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera