Lajme

Sulmi ndaj Kapitolit, komisioni tërheq fletëthirrjen për dëshmi drejtuar ish-presidentit Trump

Autori: Gazeta inFokus 21:29 | 29 December 2022

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar ka hequr dorë nga fletëthirrja drejtuar ish-presidentit Donald Trump për të dëshmuar. Ky hap vjen ndërsa komisioni ka përfunduar punën dhe po përgatitet të shpërndahet javën e ardhshme.

Ligjvënësi demokrat Bennie Thompson, në cilësinë e kryetarit të komisionit, i shkroi të mërkurën një letër avokatit të zotit Trump, David Warrington, ku e njoftonte rreth vendimit.

“Siç mund ta dini, Komisioni ka përfunduar seancat dëgjimore, ka publikuar raportin përfundimtar dhe puna e tij shumë shpejt po shkon drejt fundit”, shkruante zoti Thompson. “Ndaj Komisioni nuk mund të ndjekë informacionin specifik që do të sigurohej nëpërmjet kësaj fletëthirrjeje”.

-Advertisement-

Gjatë seancës së tij të fundit që u mbajt përpara zgjedhjeve për Kongresin, në tetor, Komisioni votoi për thirrjen zyrtarisht për të dëshmuar të zotit Trump. Ligjvënësit kërkuan gjithashtu dokumente nga ish-presidenti, ndërsa kishin hetuar rolin e tij në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, si dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ligjvënësit në komision kanë pranuar se sigurimi i dëshmisë do të ishte diçka e vështirë për t’u arritur, kjo nisur dhe nga fakti që në janar kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve do të kalonte në duart e republikanëve. Por vendimi i komisionit në atë kohë dukej se kishte më shumë një vlerë politike dhe simbolike.

“Ne jemi të detyruar të kërkojmë përgjigje drejtpërdrejt nga njeriu që e vuri në lëvizje gjithë këtë gjë”, tha gjatë seancës së fundit ligjvënësja Liz Cheney, nënkryetare e komisionit dhe një nga dy republikanët e komisionit prej nëntë anëtarësh. “Çdo amerikan ka të drejtë t’i dëgjojë këto përgjigje”.

Por zoti Trump paditi në muajin nëntor komisionin duke e refuzuar dëshminë. Në padinë e tij ai shprehej se në të kaluarën ish-presidentët kanë pranuar vullnetarisht të japin dëshmi ose dokumente në përgjigje të thirrjeve të Kongresit, por “asnjë president apo ish-president, nuk është detyruar ndonjëherë ta bëjë një gjë të tillë”.

Ligjvënësit i kërkuan ish-presidentit t’u vinte në dispozicion komunikimet personale të tij me anëtarë të Kongresit, si dhe përfaqësues të grupeve ekstremiste. Avokatët e zotit Trump thanë se ajo ishte një kërkesë e gjerë dhe e cilësuan atë si shkelje, bazuar në amendamentit e parë të kushtetutës.

Pavarësisht se komisionit nuk siguroi dot dëshminë e ish-presidentit ai intervistoi më shumë se 1000 dëshmitarë, si dhe shumicën e ndihmësve dhe aleatëve më të afërt të zotit në Shtëpinë e Bardhë. Shumë dëshmitarë dhanë detaje thelbësore në lidhje me përpjekjet e tij për të ndikuar zyrtarë federalë e shtetërorë si dhe ligjvënës, në përpjekjet për të përmbysur rezultatin. Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, që ishin me zotin Trump më 6 janar, dëshmuan para komisionit mbi rezistencën që bëri ish-presidenti për t’i kërkuar turmës së dhunshme të mbështetësve të tij, që të largoheshin nga Kapitoli.

Në raportin përfundimtar të lëshuar javën e kaluar, komisioni doli në përfundimin se zoti Trump u angazhua në një “komplot shumëplanësh për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe se nuk veproi ndaj dhunës”. Komisioni rekomandoi gjithashtu që Departamenti i Drejtësisë të hetojë ish-presidentin për katër krime të veçanta, veprën penale për mbështetjen e një rebelimi.

Të mërkurën në mbrëmje në një postim në mediat sociale zoti Trump dhe avokatët e tij e interpretuan këtë veprim të komisionit si fitore. “Ata ndoshta e bënë këtë sepse e dinin që unë nuk bërë asgjë të keqe, ose sepse do të humbisnin në gjykatë”, shkruante zoti Trump. Ai i quajti anëtarët e komisionit “banditë politikë”.

Në Twitter, avokati i zotit Trump, Harmeet Dhillon shkruante se komisioni kishte “valëvitur flamurin e dorëzimit” siç dhe e cilësoi ai./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera