Lajme

Suedia e shqetësuar për veriun, Westerlund: “Pesëshja” e ndërlikon rrugën drejt anëtarësimit në BE

Autori: Gazeta inFokus 13:00 | 18 December 2022

Ambasadori suedez, Jonas Westerlund, ka shprehur zhgënjimin e tij në lidhje me situatën në veri. Në një intervistë për KosovaPress, Westerlund tha se situata e krijuar në atë pjesë të vendit është panevojshme. Ai u shpreh se ka nevojë për një dialog shumë më të ngushtë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit serb në veri. Gjithashtu, ai komenton edhe aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si ambasador i një vendi që do të marrë Presidencën e BE-së brenda pak javësh.

Westerlund ndihet si në shtëpinë e tij në Ballkan. Ai ka qenë pjesë e misionit të OSBE-së në vitin 1999 në Kosovë, ndërsa ka punuar për OKB për dy vjet në vitet ’96-’98 edhe në Kroaci.

Pavarësisht se përmend ndryshimet e mëdha në Kosovë që kanë ndodhur nga viti ’99, ai nuk e fsheh zhgënjimin që një gjë ka mbetur njëjtë e ajo është situata në veri të vendit.

-Advertisement-

“Jam i zhgënjyer në kuptimin që, e mbaj mend që kam kaluar nëpër urën në Mitrovicë më 1999, dhe më kujtohet se kam kaluar nga ana jugore në anën veriore, dhe menjëherë vinin disa serbë të Kosovës për të na kontrolluar se kush ishim, kontrollonin pasaportën time. Nuk do të mund ta imagjinoja që 23 vjet më vonë, do të kisha të njëjtën ndjenjë gjatë kalimit të urës. Kështu që jam i zhgënjyer që Ballkani nuk ka mundur të përparojë më shumë”, tha ai për KosovaPress.

Veriu është sërish në epiqendër të zhvillimeve. Barrikadat kanë hyrë në ditën e nëntë dhe ambasadori Westerlund nuk e fsheh shqetësimin me atë se çfarë po ndodhë aktualisht në atë pjesë të vendit.

“Është një situatë mjaft shqetësuese për momentin. Natyrisht, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën. Kjo kryesisht po bëhet përmes të dërguarit të BE-së, Lajçak, i cili sapo vizitoi Kosovën së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Escobar. Suedia natyrisht i mbështet përpjekjet e tyre, dhe ekziston një situatë shumë e rrezikshme, një mosmarrëveshje e vogël mund të ketë pasoja të rënda, kështu që ju bëjmë thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe komunitetit lokal, që ta de-eskalojnë situatën”, vijon ai.

Westerlund, në intervistën për KosovaPress, deklaron sesituata në veri është e panevojshme, pasi fokusi duhet të jetënë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe krizën energjetike në Evropë.

Ai thekson nevojën për një dialog më të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb në veri të vendit, pavarësisht se thotë se i jep të drejtë ekzekutivit në përpjekjet për sundim të ligjit në të gjithë territorin.

“Mendoj se është shumë e panevojshme, mendoj se është zhgënjyese që kemi ardhur në këtë fazë, dhe këtu ka nevojë për një dialog shumë më të ngushtë ndërmjet komunitetit dhe qeverisë. Me kë u konsultua qeveria kur vendosi të veprojë në këtë mënyre për targa? Me kë u konsultua Lista Serbe kur vendosi të largohej nga konsultimet dhe bashkëpunimi me institucionet e Kosovës? Pra, këtu duhet të ketë një dialog shumë më të fortë. Sigurisht që veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka të drejtë të dërgojë përforcime dhe duhet respektuar sundimi i ligjit në këto zona, por megjithatë, kur merr vendim në një rajon të caktuar, gjithmonë është mirë të dialogosh me komunitetet lokale”, tha ai.

Këtë javë Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidencën e radhës në BE duke filluar nga 1 janari për gjashtë muajt e parë të vitit 2023 do ta ketë Suedia dhe ambasadori Westerlund premton se aplikimi do ta trajtohet në mënyrë profesionale.

“Suedia mbështet plotësisht aspiratat e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së. E mirëpresim aplikimin e Kosovës… Siç e dini, Suedia do të marrë presidencën e BE-së në fillim të janarit, pas Republikës Çeke… Suedia do të merret me këtë (aplikimin) gjatë presidencës së saj në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe ne do ta bëjmë këtë në mënyrë profesionale, por sigurisht në dialog me të gjithë anëtarët e tjerë të BE-së, në veçanti me pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi Westerlund.

I pyetur nëse pesë shtetet mosnjohëse të BE-së do ta komplikojnë rrugën drejt anëtarësimit, Westerlund e pohon një gjë të tillë por shton se vështirësi do të sjellë edhe situata aktuale në veri.

“Unë mendoj se sigurisht që kjo i ndërlikon gjërat (situata me pesë vendet mosnjohëse). Mendoj se edhe situata aktuale në pjesën veriore të Kosovës i ndërlikon gjërat”, shton Westerlund.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë se njohja nga Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera