Lajme

Studentët e Shqipërisë vazhdojnë protestat

Autori: Gazeta inFokus 08:06 | 07 January 2019

Studentët rikthehen në protestë.
Studentët e Shqipërisë kërkojnë rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Në mëngjes do të bëhet grumbullimi në fakultete dhe më pas do të nisë marshimi drejt Kryeministrisë në orën 10:00.

Të rinjtë paralajmërojnë bojkot total të auditorëve dhe protestë pa afat.

Ashtu siç kishin premtuar, të premten e 21 dhjetorit të vitit që lamë pas, studentët rikthehen sot, sërish para Kryeministrisë, për të protestuar edhe më fortë. 7 janari përkon edhe me fillimin e sesionit të dytë akademik.

-Advertisement-

Ata u shprehen se do të ndjekin të njëjtën linjë, duke u mbledhur në orën 08:30, para fakulteteve përkatëse dhe pas me një marshim madhështor do të nisen drejt Kryeministrisë, për t’u përgjigjur kryeministrit se gjithë pakënaqësinë e sistemit arsimor e kanë me kreun e qeverisë.

“Jemi më të organizuar”

“Jemi edhe më të fortë”; “Pushimet na shërbyen për reflektim”; “Do bojkotojmë jetën universitare”; “Kryeministri u tall me ne, nuk plotësoj asnjë nga kërkesat”; u shprehen disa nga studentët për “Shekullin”. Joana Meraja, studente pranë Fakultetit të Shkencave Sociale tha se pika kryesore e kësaj proteste, janë ulja e tarifave për studimet master dhe rrëzimi i ligjit të arsimit i lartë.

Ky i fundit është cilësuar nga pjesa më e madhe se shkaku kryesor i krijimit të kësaj gjendje në arsimin e lartë.

“Ditët e pushimit kanë bërë që studentët të organizohen më shumë. Te fakulteti i Shkencave Sociale, jemi organizuar edhe pse pa përfaqësi kemi vendosur të bojkotojmë totalisht jetën universitare. Po ashtu kemi vendosur që pa plotësuar kërkesat nuk do të kthehemi në mësim. Organizmi do të jetë në bazë të fakulteteve, por pa ndryshuar mënyrën se si është proceduar deri më tani me protestën tonë. Po ashtu, pikat e kërkesave janë të njëjta, ku kryesorja është rrëzimi i ligjit të Arsimit të Lartë. Të gjitha pikat tona, të çojnë drejtpërdrejtë në ndryshimin e këtij ligji. Nëse ulen tarifat, duhet me patjetër që të rritet buxheti që universiteti të mos kaloj në krizë. Pikat kryesore janë tarifat e masterit. U ulën tarifat për bachelorin, unë që e kam pasur 400 do të paguaj 200 për këtë vit akademik. Por pas një viti unë do të paguaj 1 milion e 800. Sepse pas bachelorit, vinë studimet master. Këto janë manovra për të përçarë studentët, duke mos i lejuar të protestojnë deri në fund të kauzës së tyre. Duke qenë se kjo nuk po funksionon, ne do dalim sërish në protestë”, tha ajo për “Shekullin”.

E pyetur, se sa do të zgjasë dhe nëse do të vazhdojë gjatë javës, ajo tha se protesta nuk ka një datë mbyllje. Më tej paralajmëroi një protestë pa afat, deri në realizimin e pikave.

“Në orë 10:00 do jemi para Kryeministrisë, dhe do qëndrojmë aty, sa të shikojmë të arsyeshme. Në të gjithë këtë protestë, gjëja më e rëndësishme është bojkoti i mësimit. Në shesh do të ketë një numër edhe më të madh se në 11 dhjetor, dhe e rëndësishme është që universiteti do të jetë i paralizuar. Sa i takon tarifave kryeministri ka thënë se nuk do të paguajmë asgjë, por nëse ndodh që të na kërkohet të paguajmë, do të bojkotohet tarifa. Do jetë më e komplikuar gjendja dhe është më keq për kryeministrin. Sepse nëse bojkotohen tarifat, pedagogët nuk do të marrin pagat dhe i gjithë universiteti kalon në kolaps. Protesta jonë është pa afat”, tha studentja.

Universiteti Bujqësor

Një numër të madh në protestë ka pasur edhe nga Universiteti Bujqësor, ku studentët kanë marshuar në këmbë çdo ditë për të qenë prezentë para Kryeministrisë. Blerimi, student në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare tha për “Shekullin”, se bojkoti është masivisht nga të gjithë studentët. Po ashtu, ai deklaroj se kanë pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga stafet pedagogjike, të cilët i kanë ndihmuar edhe mbështetur në çdo dalje të tyren në protestë. “Në po dalim në protestë serish për të plotësuar 8 pikat e kërkesave tona pa negociata, por me vendim të Këshillit të Ministrave dhe jo me fjalë boshe të kryeministrit tonë, që del i thotë nëpër televizione dhe gazeta, si të plotësuara. Kush pika janë plotësuar? Asnjë! Edhe për tarifën që thotë se ka përgjysmuar nuk i përfshinë të gjithë studentët. Për vetigun e pedagogëve nuk po bëhet asgjë dhe për gjithë pikat e tjera nuk ka bërë ndonjë mbledhje të ministrave që të diskutohet dhe më pas të vendoset. Ai thotë nuk do të ketë ndryshime në ligjin e Arsimit të Lartë. Në qoftë se nuk e rrëzohet ligji, atëherë protesta do vazhdojë derisa të merret një vendim për ligjin dhe për rrëzimin e tij dhe vendosjen e një ligji të ri”, tha ai për “Shekullin”.

Sonila Demiri, studente pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, tha për “Shekullin”, se protesta do vijë me shumë pankarta të cilat ironizojnë vendimet e fundit të kryeministrit, duke iu referuar edhe shkarkimit të ish-ministres Nikolla.

“Ka më shumë organizim, pjesëmarrje e jashtëzakonshme. Iku një Lindit dhe një tjetër erdhi. Ne nuk i hamë këto. Shoqëria civile, diaspora, dhe gjithë populli shqiptarë kryqëzon institucionin i cili mban brenda njerëz pa asnjë vlerë. Bojkot dhe vetëm bojkot. Ne nuk ndalemi për asnjë motiv. Pa negociata dhe me të fort se kurrë, i tregojmë kryeministrit se ne mundemi dhe do e fitojmë këtë betejë”, tha ajo.

Po ashtu shtoi, se qëllimi i tyre tashmë është të shkatërrojnë jetën universitare.

“I lamë kohë mjaftueshme të gjithëve për të reflektuar. Studentët janë tërbuar tani dhe nuk dinë më të ndalen, do shkatërrojmë universitetet, duke mos shkuar më në ato stalla’’, përfundoj ajo.

Mbledhje në sallën ku u bë greva e urisë

Studentët u mblodhën mbrëmjen e djeshme në fakultete përkatëse për të diskutuar për agjendën e tyre. Ata nuk quajnë të përmbushur asnjë prej kërkesave të tyre, ndërsa shprehen të vendosur në vijimin e protestave deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, përfshirë edhe atë të anulimit të ligjit të arsimit të lartë. Mësohet se një pjesë e studentëve janë mbledhur rreth orës 18:00 në Qytetin Studenti, për të diskutuar mbi ecurinë. Bëhet me dije se takimi i studentëve është bërë në të njëjtën sallë ku 3 dekada më parë studentët hynë në grevë urie për kërkesat e tyre ekonomike dhe politike. Nga detajet e këtij takimi, mësohet se studentët janë edhe më të motivuar për të protestuar dhe nuk ka asnjë përçarje mes tyre në mendime. Sipas tyre, veprimi më i duhur është vazhdimi i protestës para Kryeministrisë, dhe dita e hënë t’i gjejë të gjithë studentët në shesh. Në këtë takim, theksi është vendosur te boshatisja e çdo auditori, duke i dhënë një tjetër shuplakë jetës universitare dhe qeverisë, e cila sipas tyre, vetëm është tallur me studentët.

Përplasja e studentëve me policinë tek Ekonomiku

Policia vazhdon të pengojë me sa mundet organzimin e studentëve protestues. Ditën e shtunë, në orët e mbrëmjes ka pasur një përplasje mes studentëve të Fakultetit të Ekonomisë dhe forcave të Policisë së Shtetit. Mësohet se studentët ishin duke u futur në godinën e fakultetit për të vijuar me mbledhjen përgatitore të datës 7 janar, por policia nuk i ka lejuar. Studentët e Ekonomikut janë tensionuar nga kjo gjë, ku disa prej tyre kanë kapërcyer kangjellat duke u futur brenda fakultetit. Po ashtu studentët deklaruan se do të qëndrojnë gjithë natën përpara Fakultetit, derisa të lejohet kalimi i tyre. Mësohet se një pjesë e tyre, kanë hyrë në fakultet dhe kanë zhvilluar takimin, duke ndarë edhe detyrat përkatëse për protestën e 7 janarit. Pjesa tjetër, ka qëndruar jashtë ambientit të fakultetit, duke pasur një përplasje të herë pas hershme me policinë.

“Ne jemi mbledhur sonte, për të bërë një takim si në çdo fakultet tjetër, ne lidhje me ecurinë e protestës në datën 7 janar. Ka disa mendime dhe duhet që me konsensus të përbashkët të vendosim se ku do të protestojmë dhe çfarë linje do të ndjekim. Fakultete janë tonat, nuk ka punë policia të na ndalojë hyrjen tonë këtu. Aq më tepër, që jemi pjesë e këtij fakulteti”, tha një student për mediat. Universiteti i Tiranës ka reaguar pas përplasjes së studentëve me policinë private dhe atë të shtetit mbrëmjen e djeshme pranë Fakultetit Ekonomik. Përmes një njoftimi për shtyp UT bën me dije se ambientet e fakulteteve ditën e shtunë dhe të diele janë të mbyllura, përsa kohë nuk ka aktivitet mësimor ose aktivitete të tjera të programuara në funksion të Institucionit. Administrata e Universitetit të Tiranës, duke marrë shkas nga situata e krijuar ditën e shtunë pranë ambienteve të Fakultetit Ekonomik, bën me dije që ambientet e fakulteteve ditën e shtunë dhe të diele janë të mbyllura, përsa kohë nuk ka aktivitet mësimor ose aktivitete të tjera të programuara në funksion të Institucionit. Ditën e shtunë dhe të diele ambientet e fakulteteve administrohen nga kompania e sigurisë fizike”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera