Lajme

Stoltenberg: Ende asnjë marrëveshje NATO-Turqi për raketat ruse

Autori: Gazeta inFokus 20:43 | 23 January 2020

NATO dhe Turqia nuk kanë arritur marrëveshje përsa i përket raketave antiajrore ruse, me të cilat është pajisur Ankaraja, duke irrituar në nivelin më të lartë Uashingtonin dhe duke brishtësuar aleancën ushtarake, theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jens Stoltenberg.

“Deri tani nuk ka qenë e mundur arritja e një marrëveshjeje”, theksoi ai gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, në një panel ku mori pjesë edhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu.

“Ne do të bëjmë gjithçka që të mund të zgjidhim këtë çështje që (…) në mënyrë të padiskutueshme shfaq probleme brenda aleancës”, shtoi ai.

-Advertisement-

Ministri turk mbështeti blerjen e këtyre pajisjeve ruse.

“A kemi ne nevojë për këtë sistem? Po, për shkak të kërcënimeve që na rrethojnë. A kemi mundur ne ta sigurojmë nga aleatët e NATO-s? Jo”, theksoi ai.

“Ne mendojmë se ato nuk përputhen me mekanizmat e NATO-s. Ky është një sistem mbrojtës dhe nuk përbën asnjë kërcënim për aleatët e NATO-s”, shtoi ai duke propozuar krijimin e një grupi pune për të zgjidhur problemin.

Blerja e sistemit të raketave S-400, konsideruar si një prej arritjeve të industrisë ushtarake ruse, është një çështje kryesore për mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe Uashingtonit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera