Specialja publikon aktakuzën ndaj Januzit e Bahtjarit
Autori: Gazeta inFokus 15:55 | 07 October 2023
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar, të redaktuar, aktakuzën ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi, i lindur më 29 prill 1966 në Bërvenik dhe Ismet Bahtjari, gjithashtu i njohur si “Shema”, i lindur më 27 shkurt 1963, në Fushticë të Poshtme, thuhet se “përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Ata dyshohen se midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, “në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët [REDAKTUAR] (“bashkëkryesi 1”), u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtjarit me dëshmitarin 1. Konkretisht, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së”.
“Kjo sjellje tregon qartë synimin e Januzit dhe Bahtjarit për të dëmtuar dhe penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thotë aktakuza.
Sipas dokumentit të lëshuar nga ZPS-ja, më 5 prill 2023, bashkëkryesi 1 i telefonoi Januzit, ndërsa më pas edhe Bahtjari i telefonoi Januzit.
“Pasi i telefonoi dhe u vërtetua që dëshmitari 1 ishte në shtëpi, Bahtjari shkoi në shtëpinë e dëshmitarit 1. Bahtjari i tha dëshmitarit 1 se bashkëkryesi 1 e kishte kontaktuar kohët e fundit dhe e kishte dërguar që t’i thoshte dëshmitarit 1 se duhej të tërhiqte dëshminë. Kur dëshmitari 1 e pyeti nëse [REDAKTUAR] dëshmitari 1 do të jepte dëshmi, Bahtjari e konfirmoi këtë. Bahtjari u largua nga shtëpia e dëshmitarit 1 dhe eci deri te një veturë aty afër, në të cilën po prisnin dy burra dhe një person i tretë në ulësen e shoferit”.
“Si rezultat i këtij kontakti, dëshmitari 1 u shqetësua shumë për sigurinë e familjes së vet. Më vonë më 5 prill 2023, pasi Bahtjari kishte vizituar dëshmitarin 1, bashkëkryesi 1 dhe Januzi, si dhe Januzi dhe Bahtjari individualisht, patën kontakte të shumta me mesazhe dhe telefon, ku përfshihen edhe kontaktet midis bashkëkryesit 1 dhe Januzit për bashkërendimin e një takimi personal atë natë”, thotë ndër të tjera aktakuza.
Gjatë ditëve në vijim, thuhse se bashkëkryesi 1 dhe Januzi, ndër të tjera, mbetën në kontakt dhe u lidhën përmes telefonit së paku katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023.
Ndërkaq, kontakti i dytë thuhet të ketë ndodhur më 12 prill 2023. Pak pasi i kishte telefonuar bashkëkryesit 1, Januzi shkoi në shtëpinë e dëshmitarit 1.
“Në shtëpinë e dëshmitarit 1, Januzi i tha dëshmitarit 1 se bashkëkryesi 1 e kishte dërguar Bahtjarin te dëshmitari 1, dhe se Januzi kishte ardhur aty në vijim të vizitës së Bahtjarit dhe për të marrë vesh se çfarë planifikonte të bënte dëshmitari 1 dhe si mund të zgjidhej çështja e dëshmisë së tij”.
“Në lidhje me këtë, dëshmitari 1 i tha Januzit se nuk donte të merrej më me këtë çështje dhe që asaj t’i jepej fund. Januzi tha që do t’u tregonte ‘atyne’ se çfarë kishte thënë dëshmitari 1”, thotë aktakuza.
Ndërkaq, pak pas vizitës së 12 prillit 2023 që i bëri dëshmitarit 1, gjithnjë sipas aktakuzës, Januzi përsëri i telefonoi bashkëkryesit 1.
“Si rezultat i kontaktit të dytë, dëshmitari 1 u shqetësua edhe më shumë për sigurinë e vet dhe të familjes. Januzi dhe Bahtjari: (i) i krijuan frikë dhe shqetësime të rënda një personi – dëshmitarit 1 – i cili i ka dhënë ose ka të ngjarë t’i japë informacion TFHS-së, ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së për krimet ose veprat penale të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, që përbën një faktor të fortë shkurajues për dhënien e informacioneve (të mëtejshme) nga ky person lidhur me krimet e përfshira në juridiksionin e DHSK-së; (ii) rrezikuan aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, ndër të tjera përmes marrjes dhe mbrojtjes së dëshmive relevante të dëshmitarëve; dhe (iii) ndikuan që ZPS-ja t’i devijonte mjetet e burimet dhe kohën e vet, për të trajtuar pasojat faktike dhe të mundshme për dëshmitarin 1 dhe familjen e tij në lidhje me proceset zyrtare të DHSK-së”, theksohet në aktakuzën e ngritur ndaj dyshes.
Sa i përket ndikimit mbi kohën dhe mjetet e burimet e ZPS-së dhe DHSK-së, aktakuza thotë se këtu përfshihen: angazhimi i më shumë punonjësve të ZPS-së dhe DHSK-së në kontakte shtesë të panevojshme, me dëshmitarin 1, për të garantuar sigurinë dhe aftësinë e dëshmitarit 1 për të dëshmuar; shpenzimi i mjeteve dhe burimeve të ZPS-së për hetimin e ngjarjeve të shtjelluara në këtë Aktakuzë; dhe shpenzimi i kohës dhe i mjeteve e burimeve të ZPS-së dhe DHSK-së për marrjen e masave të reja të sigurisë.
Aktakuza thotë se Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari kishin synimin dhe dijeninë e nevojshme për veprat penale të (i) pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes kërcënimit të rëndë dhe (ii) pjesëmarrjes në një grup personash i cili, përmes veprimit të përbashkët, tentoi të pengonte persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndërkaq, në dokumentin e akuzës thuhet se midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari përdorën kërcënimin e rëndë ose ndonjë mënyrë tjetër të detyrimit, për të nxitur personin tjetër – dëshmitarin 1 – që të mos jepte deklaratë, ose të jepte deklaratë të rreme, ose ndryshe, të mos i jepte informacion të vërtetë policisë, prokurorit ose gjykatësit, kur ai informacion ka të bëjë me pengimin e procedurës penale.
“Veprimet e Januzit dhe Bahtjarit tregojnë qartë synimin e Januzit dhe Bahtjarit për të frikësuar dëshmitarin 1 dhe për të nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë ose të mos jepte dëshmi në procese zyrtare të DHSK-së. Konkretisht, sikurse shtjellohet në paragrafët 7 deri 17 (të përfshirë plotësisht këtu përmes referencave): i. Më 5 prill 2023, BAHTJARI kontaktoi dëshmitarin 1 dhe (i) i tha dëshmitarit 1 se dëshmitari 1 duhej të tërhiqte dëshminë e vet në proceset e DHSK-së, dhe (ii) i konfirmoi dëshmitarit 1 se po të mos e bënte këtë, kjo mund të rezultonte në [REDAKTUAR]. ii. Më 12 prill 2023, JANUZI kontaktoi dëshmitarin 1 në vijim të kontaktit të mëparshëm të Bahtjarit dhe për të marrë vesh se si qëndronin punët me dëshmitarin 1 në lidhje me dëshminë e dëshmitarit 1. iii. Para dhe pas kontakteve të tyre me dëshmitarin 1, Januzi dhe Bahtjari komunikuan dhe bashkërenduan me njëri-tjetrin dhe me bashkëkryesin 1”, thotë aktakuza.
Përmes veprimeve të përshkruara më lart, ZPS-ja thotë se Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari mbajnë përgjegjësi penale individuale për kryerje ose tentativë për kryerjen e secilës prej veprave penale të paraqitura në këtë aktakuzë, përmes formave të përgjegjësisë penale të renditura në vijim.
Ata thuhet se kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për secilën formë të përgjegjësisë penale dhe secilën vepër penale.
“Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari i kryen veprat penale përmes veprimeve të përshkruara më lart, sipas nenit 17(1) të KPK-së. Gjithashtu, ose si alternativë, përmes këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, Sabit JANUZI dhe Ismet BAHTJARI tentuan, sipas nenit 28 të KPK-së, të kryenin veprat penale”.
Dyshja thuhet se kryen bashkërisht veprat penale përmes bashkëkryerjes, sipas nenit 31 të KPK-së, duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ose duke kontribuar konsiderueshëm në kryerjen e saj në ndonjë mënyrë tjetër, dhe/ose (ii) sipas nenit 35 të KPK-së, u morën vesh për të kryer veprat penale, dhe një apo më shumë prej personave që ishin pjesë e asaj marrëveshjeje ndërmorën veprime të konsiderueshme për kryerjen e veprës penale.
Januzi dhe Bahtjari thuhet se kontribuuan konsiderueshëm dhe ndërmorën veprime të konsiderueshme për kryerjen e veprave penale, në realizimin e qëllimit ose marrëveshjes së përbashkët, ndër të tjera nëpërmjet njërës apo më shumë prej mënyrave të mëposhtme, sikurse përshkruhet me më shumë hollësi në paragrafët 7 deri 17 më lart: a. duke u takuar individualisht me dëshmitarin 1, një person për të cilin besonin se i kishte dhënë ose kishte të ngjarë t’i jepte dëshmi DHSK-së/ZPS-së; b. duke i bërë presion dëshmitarit 1 që të tërhiqte deklaratën, të jepte informacion të rremë, ose të mos jepte dëshmi; c. duke përdorur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për ta frikësuar dëshmitarin 1; dhe d. duke e kontaktuar dëshmitarin 1 kundër dëshirës së tij, ndër të tjera përmes telefonit dhe takimeve personale.
“Së fundi, përmes një apo më shumë prej veprimeve të përshkruara në paragrafët 7 deri 17 më lart, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari ndihmuan njëri-tjetrin, bashkëkryesin 1 dhe persona të tjerë, në kryerjen e veprave penale”, theksohet në aktakuzë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se përmes veprimeve të përshkruara më lart, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari kryen ose tentuan të kryenin, vetëm, në bashkëkryerje dhe/ose në marrëveshje, veprat penale të paraqitura në këtë aktakuzë, dhe/ose ndihmuan kryerjen e tyre.
“Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari thuhet se mbajnë përgjegjësi penale individuale për: Pika 1: PENGIM TË PERSONAVE ZYRTARË NË KRYERJEN E DETYRAVE ZYRTARE, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, VEPËR PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401(1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit; Pika 2: PENGIM TË PERSONAVE ZYRTARË NË KRYERJEN E DETYRAVE ZYRTARE, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, VEPËR PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401(2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit; dhe Pika 3: FRIKËSIM GJATË PROCEDURËS PENALE, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, VEPËR PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit”. /Klankosova.tv
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje lok...
-
Raportohet se një nga viktimat në Gjermani është fëmijë
Anëtari i Këshillit Federal Gjerman, Reiner Haseloff ka reaguar pas sulmi...
-
Mërgimtarët po vijnë, kjo është situata në pikat kufitare
Fundviti po na bashkon me mërgimtarët. Mijëra bashkatdhetarë kanë marr...
-
Publikohet momenti i sụlmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë
Sipas mediave gjermane ka shkuar në 11 numri i të vdekurve pas sulmit ku ...
-
Kush është i dyshuari që shkaktoi tragjedinë në Magdeburg – publikohen pamjet e arrestimit të tij nga policia gjermane
Një veturë është përplasur me një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh ...
-
Osmani reagon pas sụlmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron krah atij të Gjermanisë!
Një sulm ka ndodhur sonte në Magdeburg të Gjermanisë, ku një qytetar hyri me ...
-
Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, Bild: Të paktën 11 të vdẹkur e 80 të plagosur
BILD raporton duke u thirrur në burime se në sulmin në tregun e Krishtëlindje...
-
Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz
Të paktën një person ka humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, pas...
-
Hovenier e konfirmon se FBI po e heton sụlmin në Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, ka bërë të ditur se sulmin terro...
-
Fundjavë me mot të ndryshueshëm, paralajmërohen ngrica
Fundjava në Kosovë pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm. Sipas ...
-
Hovenier: Plotësisht e vërtetë se kemi pasur dallime serioze me Qeverinë Kurti
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin...
-
Kurti publikon foto me Ramën: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotografi nga ceremonia e nënshkrrimit ...