Lajme

Skandali i kirurgëve në Vushtrri, “përgjegjësi duhet të japë spitali dhe SHSKUK-së”

Autori: Gazeta inFokus 16:40 | 11 January 2023

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se morën para nga pacientët për të kryer operacione. Pas raportimeve mediale, Policia e Prokuroria u vunë në lëvizje, duke arrestuar dy prej tyre. Sot Prokuroria Themelore në Mitrovicë bëri të ditur se ndaj njërit prej tyre është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, tjetri është liruar, ndërsa i treti ende nuk është intervistuar. Sipas gazetarit të shëndetësisë, për këtë skandal duhet të jap përgjegjësi Spitali i Vushtrrisë dhe SHSKUK.

Dje u arrestuan kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj nën dyshimin për “marrje rryshfeti”, derisa Isuf Zekaj është në kërkim, pasi i njëjti është jashtë vendit. Sot Prokuroria në Mitrovicë njoftoi se për Sefiun është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa Latifaj është liruar dhe rasti ndaj tij do të vendoset në procedurë të rregullt.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar  ende pasi që ende nuk është arrestuar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Express.

-Advertisement-

Për këtë rast ka folur edhe gazetari i portalit “Shneta” Bujar Vitija, i cili raportoi për skandalin në Spitalin e Vushtrrisë.

Ai në një bisedë me Express tha se kirurgët dyshohet se kanë kërkuar para nga pacientët për të blerë materialin e nevojshëm për operacion.

“Rasti në Spitalin e Vushtrrisë është një aferë korruptive ku mjekët dyshohen për veprën penale “marrje të ryshfetit” nga pacientët për të kryer operacionet. Ky korrupsion dyshohet se ndodh kur mjekët kërkojnë para nga pacientët kinse për të blerë materialin e nevojshëm për operacion.”

Ai tha se për këtë skandal duhet të japin përgjegjësi niveli menaxherial në Spitalin e Vushtrrisë dhe SHSKUK.

“Sigurisht se për këtë skandal duhet të japin përgjegjësi niveli menaxherial në Spitalin e Vushtrrisë dhe në SHSKUK. Fatkeqësisht dyshimet për këtë praktikë të korrupsionit në këtë spital janë të kahmotshme dhe askush deri më tani nuk ka bërë asgjë për ta parandaluar. Andaj duhet të merren në përgjegjësi menaxherët, drejtoresha e spitalit si dhe ud.drejtoresha e SHSKUK-së.”

Lidhur me këtë rast kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se kanë informacione vetëm nga mediat.

Sejdiu bëri të ditur se tre kirurgët e përmendur janë anëtarë të Odës së Mjekëve dhe për rastet e tilla fillimisht merren organet e drejtësisë, pastaj merren vendime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë.

“Mjekët e apostrofuar janë antarë të OMK-së dhe sa i përket rastin në fjalë OMK ka informacione vetëm nga mediat.  Këto janë raste penale me të cilat fillimisht merren organet e ndjekjes penale , kurse Oda pas verdiktit të këtyre të fundit merr veprime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë”, tha Sejdiu dje.

Për rastin e tre kirurgëve të hënën janë deklaruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku thuhet se dje kanë pranuar njoftim zyrtar se tre kirurgë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.

“Në lidhje me rastin e raportuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion. Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Ndërkaq, SHSKUK ka thënë se janë njoftuar për arrestimin e dy kirurgëve dhe suspendimin e të treve.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është njoftuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, se gjatë ditës së sotme, janë arrestuar dy kirurgë të Spitalit të Vushtrrisë. Pas publikimit të lajmit në medie, ditën e djeshme, menaxhmenti i ShSKUK-së, ka kërkuar nga drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë të ndërmarrë masat e nevojshme, konform legjislacionit në fuqi. Sipas njoftimit të Spitalit, njëri nga kirurgët është  shkarkuar nga pozita u.d shefit të Repartit dhe  është suspenduar nga puna, po ashtu, edhe dy kirurgë të tjerë janë suspenduar nga puna deri në një vendim të ri”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera