Lajme

Situata në veri, Lëvizja për Bashkim: Mund të zgjidhet me marrëveshje paqësore, Kosova Lindore të përfshihet në dialog

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 23 December 2022

Lëvizja për Bashkim ka reaguar lidhur me situatën në veri të vendit, ndërsa theksoi se pyetja kryesore e këtij momenti është se a është e mundshme zgjidhja paqësore, apo duhet ndërhyrje me forcë për ta ushtruar sovranitetin në atë pjesë të vendit.

LB thekson se zgjidhja paqësore dhe e qëndrueshme është futja e Kosovës Lindore në dialog, me kriterin e reciprocitetit të plotë ndërmjet veriut të Kosovës.

Lexoni të plotë njoftimin e Lëvizjes për Bashkim!

-Advertisement-

Momenti kërkon përgjigje a është e mundshme zgjidhja paqësore, apo duhet konfrontim me dhunë në veriun e Kosovës

Subjektet politike, e sidomos qeveria, duhet t’i vlerësojnë me gjakftohtësi konfliktet politike, me theks të veçantë ato ndërkombëtare, sidomos kur janë pjesë e atyre konflikteve.

Të kujtojmë se organizatat politike të cilat u angazhuan për organizim luftarak në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e ftuan popullin në luftë për liri dhe i prinë asaj lufte. Por këtë e bënë pas analizave historike dhe të gjendjes faktike të kohës, të cilat çuan në përfundimet se lufta është e domosdoshme, nëse duam ta fitojmë lirinë; dhe e pashmangshme, për shkak të rrethanave. Prandaj, thirrja për organizim luftarak, edhe pse e dhimbshme për çmimin që duhej paguar, ishte e drejtë dhe me ndihmën e miqve, doli edhe e suksesshme.

Si rezultat i asaj lufte, në vitin 2008 Republika e Kosovës u shpall e pavarur. Mirëpo, edhe para vitit 2008, sikurse deri më sot, veriu i vendit nuk qeveriset nga Qeveria e Kosovës.

Në muajt e fundit temperatura politike rreth dialogut, e cila e nxeh më së shumti veriun, është ngritur shumë. Pyetja kryesore e këtij momenti, e cila rishtrohet, është: a është e mundshme zgjidhja paqësore, apo duhet ndërhyrje me forcë në veriun e vendit për ta ushtruar sovranitetin?

Natyrisht se duhet të përgatitemi gjithmonë dhe sa më mirë, që t’iu përgjigjemi situatave, të cilat edhe mund të çojnë në konflikte të armatosura. Por këtë gatishmëri nuk e dëmton vlerësimi dhe deklarimi i qartë e i zëshëm se situata aktuale në veriun e vendit – dhe përgjithësisht çështja e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – është çështje politike dhe se mund të zgjidhet me marrëveshje paqësore.

Kjo gatishmëri dhe ky vizion politik sot është në përputhje edhe me rrethanat ndërkombëtare e me qasjen që kanë partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës.

Dhe pas këtij vlerësimi e deklarimi, politika të angazhohet fort dhe sinqerisht për këtë zgjidhje.

Zgjidhja paqësore dhe e qëndrueshme është futja e Kosovës Lindore në dialog, me kriterin e reciprocitetit të plotë ndërmjet veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore, që nënkupton reciprocitet prej të drejtave elementare, e deri në ripërcaktim të kufirit Kosovë-Serbi. Forcat politike në Kosovë duhet të ndalojnë demonizimin e kësaj mundësie për zgjidhje, e cila është e vetmja zgjidhje në rrethanat aktuale.

As Kosova, as ndonjë individ a grup brenda saj, nuk duhet të kërkojë raste që të shtojë krenarinë në kurriz të dëshmorëve të rinj.

Republika e Kosovës nuk duhet të pushojë së kërkuari mundësi që Kosova Lindore të gjejë zgjidhjen që meriton, e me këtë edhe paqe të qëndrueshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera