Lajme

Sindikalistët e Trepçës: S’ka dorëzim pa shkarkimin e menaxhmentit, veç të vdekur mundeni me na largu

Autori: Gazeta inFokus 13:19 | 31 October 2023

Sindikalistët e Trepçës, në mbledhjen me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kanë deklaruar se nuk do të ketë dorëzim nga ana e tyre deri në shkarkimin e menaxhmentit.

Kryesindikalisti i punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, i cili bashkë me minatorët e tjerë është në grevë tash e tetë ditë, me kërkesë që t’iu përmirësohen kushtet e punës, t’iu dalin pagat me kohë dhe të shkarkohet menaxhmenti, teksa tregoi kërkesat e minatorëve, ka thënë se jeta e tyre është në rrezik.

“Kërkesat janë tri, për realizimin e pagës mujore, shkarkimi i menaxhmentit dhe sigurimi shëndetësor. Punëtorët janë të palëkundur ndaj kërkesave dhe shpresojmë që nga ky takim të dalim me një zgjidhje pasi shëndeti i tyre është në rrezik”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Për të kundërshtuar vendimin, ai ka thënë se do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore.

Ndër të tjera, Januzi ka kërkuar që çështja e minatorëve të mos politizohet.

Ndërsa, Islam Ahmeti, anëtar i kryesisë së Sindikatës, ka deklaruar se ushtruesi i detyrës së shefit të menaxhmentit, Enis Abdurrahmani, është person i dështuar, pasi sipas tij, nuk ka bërë asnjë punë si duhet.

“Unë jam dëshmitar që ky person në çdo gjë është i dështuar, ne nuk jemi për politikë, vendosni kë të doni nga secila parti, thjesht nuk e duam këtë person. Shpëtona jetën e minatorëve, bëjeni një grup të gjithë partitë për jetën e minatorëve”, ka deklaruar ai.

Ahmeti ka thënë se ndihet i shqetësuar se pse institucionet duan t’i mbytin 300 minatorë për një menaxher.

“Ne nuk merremi me politik, kemi dashur me ba çështjen tonë për menaxher, pasi ai është problem. Po çuditna pse për një person doni me mbytë 300 minatorë. Nuk ka moral ai, pasi me pas, kish dhënë dorëheqje vetë. Më vjen keq pse që tetë ditë s’po i ndërmarrin masa, kjo është turp. Ka minatorë që tetë ditë s’e kanë parë fëmijët e tyre”, ka deklaruar Ahmeti, minatorë.

Po ashtu, njëri nga sindikalistët e Trepçës ka deklaruar se gjendja e minatorëve është e rëndë, madje jeta e tyre është në rrezik, për çka edhe i bëri thirrje Qeverisë që të bëjë një zgjidhje sa më shpejt.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku është diskutuar lidhur me situatën aktualen në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera