Lajme

Si duhet të veprojnë shkollat nëse përsëritet ndërprerja e ngrohjes, flet njohësi i arsimit

Autori: Samire Jaha 16:17 | 16 December 2021

Gjatë ditës së mërkurë nga ndërprerja e ngrohjes në Prishtinë, përveç mijëra banorëve u prekën edhe shkollat e kryeqytetit.

Për këtë kanë reaguar prindërit të cilët ishin të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre.

Si duhet të veprohet nëse kjo situatë do të përsëritet, ka folur për Gazetën Infokus, njohësi i arsimit Rinor Qehaja nga instituti EdGuard.

-Advertisement-

Në një prononcim për Gazetën Infokus ai tha se reagimi duhet të jetë i menjëhershëm nga drejtoritë komunale të arsimit.

Sipas tij, shëndeti i fëmijëve është kyç dhe është përgjegjësia e institucioneve të sigurojnë këtë shëndet.

Ai shtoi për Infokus-in se komuniteti i shkollës duhet të vlerësojë, nëse kushtet për mësim janë të mundshme apo jo.

“Komuniteti i shkollës duhet të vlerësojë nëse kushtet për mësim janë të mundshme, humbjet në proces mësimor nga pandemia nuk guxojnë të na kufizojnë që mësimi të mbahet medoemos përtej rrethanave kufizuese si kjo e mungesës së ngrohjes”, tha Rinor Qehaja për Gazetën Infokus.

Problemi i ngrohjes ishte shfaqur ditën e mërkurë si pasojë e mos furnizimit me avull nga KEK-u.

Gazeta Infokus për këtë problem ka raportuar që nga e marta, pasi që ka dalë nga prodhimi blloku B2 I Termocentralit “Kosova B” i cili ka kapacitete prodhuese prej 250 megavat orë energji elektrike dhe se probleme janë shfaqur edhe në Bllokun B1.

E pikërisht këto dy blloqe furnizojnë me avull ngrohtoren e Prishtinës, shkruan Gazeta Infokus.

Ndërsa sipas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë, Njësia B1 e Termocentralit Kosova B është lëshuar në punë.

Kurse në orën 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me avull nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

Kujtojmë se ditën e mërkurë mbetën pa ngrohje rreth 15 mijë familje të komunës së Prishtinës, si pasojë e rënies  nga prodhimi i Njësisë B1 të Termocentralit Kosova B, e cila furnizon me ngrohje termike ngrohtoren e kryeqytetit Termokos. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera