Lajme

Shumë deputete ia panë “hairin” 30 përqindëshit

Autori: Gazeta inFokus 14:25 | 14 July 2017

Në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë, gjinia femërore do të jetë e përfaqësuar me 38 deputete, prej të cilave 17 e kanë marrë mandatin falë kuotës gjinore prej 30 për qind. Më së shumti nga kjo kuotë kanë përfituar deputetet e koalicionit PDK-AAK-Nisma, duke u bërë 8 prej tyre deputete falë kuotës. Gratë thonë se kuota madje duhet të shkojë deri në 40 për qind.

Nga 12 deputete sa janë gjithsej në kuadër të koalicionit PDK-AAK-Nisma, tetë prej tyre janë bërë pjesë e Kuvendit falë kuotës gjinore, duke lënë jashtë këtij institucioni meshkuj me më shumë vota. Nga Vetëvendosje që i ka gjithsej tetë deputete, katër kanë përfituar nga kuota, po aq sa kanë përfituar edhe nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa që i ka 9 deputete. Ndërkohë nga pakicat, janë gjithsej 7 deputete, ndërsa vetëm një prej tyre është bërë deputete falë kuotës gjinore.

Ganimete Musliu e PDK-së, nuk është prej deputeteve që ka përfituar prej kësaj kuote, ngase ka fituar 11 mijë e 700 vota. Por, megjithatë, ajo thotë se kuota gjinore vazhdon të jetë e nevojshme.“Unë kam hy pa kuotë dhe ndihem mirë që kam hy pa kuotë, mirëpo konsideroj që kuota në Kosovë ende është e domosdoshme të aplikohet, duke marrë parasysh se gratë në Kosovë ende shihen si të pafuqishme për të marrë vendime të rëndësishme apo thjesht për të çuar procese përpara”, tha Musliu për Radio Kosovën.

-Advertisement-

Nazlije Bala, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në këtë subjekt, thotë se numri kaq i madh i deputeteve që përfitojnë nga kuota gjinore, rrjedh si pasojë e mungesës së përfshirjes së grave në mekanizmat politikë.

“Ne ende mbetemi larg mentalitetit ku gratë duhet të votohen. Kuota prej 30 për qind krahasuar me 120 deputetë të Kuvendit, prapë është e pamjaftueshme dhe kjo kuotë mendoj se duhet të rritet së paku deri në 40 për qind”, tha Bala.

Bala, e cila ishte kandidate për deputete, por nuk i mori votat e nevojshme, beson se gjatë këtij mandati do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet dhe do të rritet kuota për gratë.Në zgjedhjet e 11 qershorit, femra më e votuar ka dalë Vjosa Osmani e LDK-së, e cila edhe pse ishte renditur e 81-ta në listën garuese, ka arritur t’i marrë mbi 64 mijë vota. Pas saj, pason Aida Dërguti e Vetëvendosjes me mbi 32 mijë vota, Mimoza Kusari nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa me mbi 20 mijë vota, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes me mbi 19 mijë vota, Sala Berisha-Shala e PDK-së me mbi 17 mijë vota, Donika Kadaj-Bujupi e Vetëvendosjes me mbi 15 mijë vota, Teuta Haxhiu e AAK-së, po ashtu me mbi 15 mijë vota.

Në dhjetëshen e parë, janë 4 deputete të Listës Serbe me mbi 13 mijë vota.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera