Lajme

Shteti pagoi qindra-mijëra euro kompensim për personat që u mbajtën në burg pa arsye

Autori: Gazeta inFokus 17:36 | 03 May 2023

Gjatë kësaj jave, Naser Pajazitaj, pritet të bëjë kërkesë për dëmshpërblim për kohën që ka kaluar në burg. Për shtatë vjetët prapa grilave, Pajazitaj planifikon t’i kërkojë 1 milion euro. Kërkesa të tilla vjet kanë bërë mbi 100 persona që kanë qenë në paraburgim apo të arrestuar pa arsye. Kompensimi i tye i ka kushtuar shtetit mbi 251 mijë euro. Por, ka edhe prej atyre që kanë refuzuar kompensimin. Njëri prej tyre ka qëndruar në burg gati pesë vjet dhe nëse do të pranonte të kompensohej do t’i takonin rreth 32 mijë euro.

Naser Pajazitaj ka vendosur që të kërkojë kompensim për shtatë vjetët që ka kaluar në burg, si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj. Nga akuza për vrasjen e kushërirës, Pajazitaj është liruar para tri javësh, me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës Supreme.

Sipas Aktgjykimit të Supremes që është publikuar dje, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

-Advertisement-

Si dëmshpërblim, ai planifikon t’i kërkojë 1 milionë euro. Kërkesa pritet të përpilohet gjatë kësaj jave.

“Po, patjetër që do të pasojë kërkesa për dëmshpërblim. Naserit përveç linçimeve dhe bullizimeve të fëmijëve të tij, i janë humbur 8 vite të jetës së tij në burgje. Ne do t’i kërkojmë 1 milion euro.  Besoj që brenda javës, do ta kemi gati”, ka deklaruar dje për Gazetën Express, avokati i Pajazitajt, Ahmet Tahiri.

63-vjeçari s’është i pari e as i vetmi që do të kërkojë kompensim për vjetët që ka kaluar në burg. Për çdo vit, kompensim kërkojnë dhjetëra persona të cilët janë dënuar ose arrestuar pa arsye.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë vitit të kaluar, 104 persona janë kompensuar për ditët që kanë kaluar në burg ose arrest shtëpiak. Kompensimi i tyre i ka kushtuar shtetit 251 mijë e 302 euro për vitin 2022.

Aty figuron se shuma më e lartë që dikush është kompensuar është 18 mijë e 674 euro. Personi që është kompensuar me këtë shumë ka qenë në paraburgim për 1 mijë e 115 ditë.

Ndërkohë në pritje të kompensimit janë edhe 50 persona të tjerë. Kërkesat e tyre janë shqyrtuar në Komision, por që ende s’janë përcaktuar për kompensim.

E numri i kërkesave që janë refuzuar për vitin 2022 është 14.

Nga KGJK kanë treguar për Gazetën Express edhe numrin e personave që janë kompensuar gjatë vitit 2020 dhe 2021 dhe shumën totale. Gjatë këtyre viteve, figuron se kanë shkuar gati gjysmë milioni euro për këtë qëllim.

“ Gjatë viti 2020, janë kompensuar 95 persona në shumën prej, 271,884.00 €. Gjatë vitit 2021, janë kompensuar 76 persona në shumën prej, 188,736.00 €”, ka deklaruar zëdhënësja e KGJK’së, Ajshe Qorraj.

Qorraj ka sqaruar edhe se sa paguhet një person për një ditë qëndrimi në paraburgim ose arrest shtëpiak, pa faj.

“Për një ditë qëndrimi në paraburgim, ose arrest shtëpiak një person paguhet në shumën prej, 9 euro, për demin material, 6 euro, për demin jo material, 120 euro, për avokat si dhe vetëm për paraburgim 50 euro për 1 muaj në emër të pakos dhe vizitës familjare”, thuhet në përgjigjen e saj.

23 persona refuzuan të kompensohen, shpëtuan gati 150 mijë euro

Ka edhe persona që kanë refuzuar të kompensohen. Sipas të dhënave të KGJK’së, 23 persona kanë refuzuar kompenzimin gjatë vitit të kaluar, duke ia shpëtuar buxhetit të shtetit 148 mijë e 380 euro.

Njëri prej atyre që ka refuzuar kompenzimin i ka kaluar në paraburgim gati pesë vjet. Nëse do të pranonte të kompensohej, atij do t’i takonin rreth 32 mijë euro.

Kompensimin e ka refuzuar edhe një person që ka qenë në paraburgim për 1 mijë e 754 ditë. Shuma që do t’i takonte sillet rreth 30 mijë euro.

Ndryshe, shumën e kompensimit për një ditë të kaluar në burg, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e kishte cilësuar si të pamjaftueshme.

Qelaj kishte thënë se pagesa nuk e kompenson dëmin moral.

“Personat që janë të privuar nga liria, kanë të drejtë të kompensohen, por kompensimi bëhet në një mënyrë të tillë që s’është më e përshtatshme. Shumë pak raste ka kur aktgjykimi bëhet publik për pafajsinë për opinion dhe kuotat e përcakuara për kompensim janë shumë të ulëta. Të kompenzohet vetëm si të themi shpenzimet që i ka kriju familja për vizita edhe një lloj fitimi i humbur se s’ke pas mundësi që t’i ushtrosh aktivitetet e përditshme jetësore, por nuk të kompenzohet asgjë morale e që është pjesa më e rëndësishme dhe për këtë duhet të reflektojë Ministria e Drejtësisë”, kishte thënë Qelaj.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte thënë se kjo shumë nuk përkon me dëmin moral që iu shkaktohet personave.

“Tarifat e KGJK-së përcaktojnë shumën ditore që iu kompenzohet personave për shkak të denimit apo arrestimi pa arsye apo bazë ligjore.  Pëërderisa dëmi material kompenzohet në shumën prej nëntë Euro në ditë, dëmi jo material kompenzohet vetëm gjashtë Euro në ditë, që është një shumë simbolike dhe nuk përkon me dëmin moral që iu shkaktohet personave të cilët për shkak të mos profesionalizmit të institucioneve shtetërore vuajnë pasojat e denimit apo arrestimit pa arsye dhe bazë ligjore”, kishte deklaruar Miftaraj.

Sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit duhet të bëjnë kërkesë dhe ta caktojnë masën e paraburgimit vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur e kërkojnë interesat e drejtësisë për të siguruar gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në raste të tjera, ai kishte thënë se duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak dhe lajmërimit në polici.

“Prokurorët gjatë kërkesave për paraburgim dhe gjykatësit gjatë caktimit të masës së paraburgimit duhet që vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm kur e kërkojnë interesat e drejtësisë për të siguruar gjykim të drejtë, pavarur dhe të paanshëm të caktojnë masën e paraburgimit.  Përderisa, në cdo rast penal kur kjo masë nuk është e domosdoshme gjykatat mund të caktojnë masa tjera qoftë të arrestit shtëpiak, lajmërimit në polici apo masa tjera të cilat sa më pak i kufizojnë dhe cenojnë të drejtat dhe liritë themelore”, kishte deklaruar Miftaraj./Gazeta Express

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera