Opinione

SHTETI ËSHTË FAKT

Autori: Arber Jashari 11:53 | 01 October 2021

“Fituam apo humbëm ?“ – kjo është pyetja e zakonshme, që bëhet në Kosovë, sa herë që nga Brukseli apo qendër tjetër botërore , vinë njoftimet për arritjen e ndonjë akordi politik, në mes të palës kosovare edhe asaj serbe. Pyetje që përcillet me gjithfarë analizash, komentesh e kritikash.

Thuhet e çka nuk thuhet. Supozime interesante, akuza për tradhti, e madje edhe teori konspirative që dalin përtej çdo imagjinate. Harrohet ajo që është me e rëndësishmja, gjendja në terren.

Marrëveshjet në politikë, nganjëherë ngjajnë me ato në tregti. Për ta parë se sa kanë qenë të dobishme, mjafton të ndalesh e të shikosh, a kemi më shumë “kapital”, apo më pak.

-Advertisement-

Në rastin konkret, ajo që duhet të shikohet, është se me marrëveshjet e Brukselit, a kemi më shumë a me pak sovranitet, dhe atë posaçërisht në veri të vendit.

Le ta marrim një si pikë reference periudhën kohore prej 10 vitesh.

Dhjetë vjet me parë, nuk kishim polici doganore as doganierë në pikat 1 dhe 31.

Tash kemi, sikur në çdo pikë tjetër të Republikës së Kosovës.

Liria e lëvizjes për qytetarët shqiptar, ishte e maksimalisht e kufizuar, dhe vizita e asaj pjese, interpretohej goxha si një akt i guximshëm. (Si gazetar, e di që kurrë nuk kam dale përtej lagjes se Boshnjakëve. Kur dikush e realizonte ndonjë storje, me thellë në pjesën veriore, shihej me goxha admirim).

Tash secili qytetar i Kosovës (edhe politikanet), mund të lëviz, pa ndonjë problem, pothuajse si gjithkund tjetër në Kosovë.

Territori kontrollohej zyrtarisht dhe botërisht nga strukturat parale të Republikës së Serbisë.

Tash kemi kryetar komunash të zgjedhur përmes zgjedhjeve që i organizon Republika e Kosovës, ndërsa strukturat tjera, përfshirë edhe ato te gjyqësisë dhe sigurisë, janë shuar ose integruar.

Gjykatat dhe Prokuroria e Mitrovicës, aktivitetin e vet e zhvillonin në Vushtrri.

Tash kemi Gjykata që veprojnë në Veri dhe Jug të Mitrovicës, me gjyqtar që gjykojnë sipas ligjeve të Kosovës, dhe lëshojnë vendime le logo dhe vulë të Republikës së Kosovës.

Zyrtaret shtetëror serb vinin në vizita sa herë të donin, si në bahqe te babës.

Tash vinë, veç kur u japim leje.

Serbia de facto i njeh edhe leternjoftimat e Kosoves, përderisa me ta mund të kalosh në shtetin serb, e po ashtu edhe targat tona, pavarësisht se si e “maskon” pranimin e tyre.

Çka kemi humbur? Në Veri të vendit, e them me bindje të plotë, se nuk kemi humbur asgjë, sepse dikur atje, nuk kishim bash asgjë. Në çështje tjera, edhe mund ta kemi pranuar ndonjë gjë, qe nga jashtë duket se po ja zbeh elementet shtetësisë së Kosovës, me të cilat Serbia kënaqet dhe krenohet. Por secila marrëveshje deri me tash, e ka forcuar pushtetin faktik të Republikës së Kosovës brenda territorit te saj, dhe se shteti para se gjithash është FAKT.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera