-Advertisement-
Shtatë raste të dhụnës në familje brenda një dite në Kosovë, gra të sụlmuara e të këṛcënuara me thịkë - Infokus
-Advertisement-
Lajme

Shtatë raste të dhụnës në familje brenda një dite në Kosovë, gra të sụlmuara e të këṛcënuara me thịkë

11:01 | 03 November 2026 Autori: Infokusi

Shtatë raste të dhunës në familje janë evidentuar në raportin e fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku viktimat në shumicën e rasteve janë gra.

Sipas Policisë, rastet janë raportuar në Prishtinë, Pejë, Klinë, Gjakovë dhe Vushtrri, ndërsa disa nga të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, më 2 nëntor, një grua ka raportuar se është kërcënuar me thikë nga një burrë. Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa gjatë kontrollit i janë gjetur një thikë dhe 0.36 gramë substancë e dyshuar narkotike, marihuanë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Po në Prishtinë, një tjetër rast i dhunës në familje ishte raportuar më 1 nëntor. I dyshuari është arrestuar një ditë më vonë dhe është dërguar në mbajtje.

Dy raste të tjera janë regjistruar në Pejë. Në njërin rast, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë, për çka ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari vazhdon të jetë në kërkim nga Policia.

Në rastin tjetër, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Policia ka njoftuar se nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Klinë është arrestuar një burrë nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje, ndërsa në Gjakovë një tjetër person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy familjarëve, një gruaje dhe një burri.

Ndërkohë, në Vushtrri, një grua ka raportuar se është kërcënuar verbalisht nga një burrë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë të armës me gaz.

Viktima është dërguar në strehimore për sigurinë e saj, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Këto raste rikthejnë në vëmendje shqetësimin për dhunën në familje dhe nevojën për mbrojtje më efektive të viktimave, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me pasoja të rënda të kësaj dukurie./Gazeta Infokus

Nga: Infokusi
Udhëto nga Suedia drejt Kosovës me PrishtinaTickets
-Advertisement-

më shumë lajme

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy