Lajme

Shqiptarët i çojnë paratë në tulla, Europa në teknologji e shpikje

Autori: Gazeta inFokus 10:05 | 21 November 2017

Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit.Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90, nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik. Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet.Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme, që është më e larta në rajon dhe Europë.

Sipas INSTAT treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet e brendshme materiale dhe jo materiale) përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare).

Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa. Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë, kur ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.

-Advertisement-

Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet. Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla, një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë.

Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë.

Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.

Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së./Gazeta Fjala

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera