Sport

‘Shpërthen’ Munishi: Të gjitha klubet ku kam punuar më kanë mbetur borxh, përpos këtij klubi!

Autori: Gazeta inFokus 16:42 | 17 December 2018

Trajneri i njohur kosovar Ismet Munishi, i cili aktualisht ushtron zejen e tij te Vëllaznimi i Gjakovës ka dhënë një deklaratë shumë interesante në emisionin “Arena” në “Tribuna Channel”, derisa ka thënë se të gjitha klubet ku ka punuar i kanë mbetur borxh, përpos klubit të Feronikelit që është treguar korrekt me pagesa edhe pas shkëputjes së marrëveshjes.

Munishi është rikthyer të flas edhe njëherë për aventurën aspak të mirë te Besa e Pejës, duke treguar edhe njëherë problemet me të cilat është ballafaquar në klubin pejan.

“Nuk kam bërë kontratë me Besën dhe as nuk do të ankohem, ata do t’ia shohin sherrin vetë. Unë u kam besuar atyre sepse jam njeri i fjalës dhe te unë vlen fjala. Po i shpalosi tani këto probleme pasi që ka përfunduar sezona. Nuk kam dashur ta dëmtojë klubin gjatë fazës kompetitive. Më kanë mashtruar mua, mos ta mashtrojnë dikë tjetër”, deklaroi Munishi.

-Advertisement-

Më tej Munishi shtoi se shumë nga klubet ku ai ka punuar i kanë mbetur borxh, kjo për arsye se ai ka besuar, ndërkohë që ka një thirrje edhe për FFK-në.

“Unë jetoj nga futbolli. Kam dy fëmijë dhe gruan e papunë. Plus e kam patur gruan me probleme shëndetësore dhe nuk jam paguar as sa gjysma e atyre që më janë premtuar. Nuk është aspak korrekte që trajnerët dhe lojtarët të trajtohen në mënyrë të tillë. Federata e Futbollit e Kosovës përmes mekanizmave të saj duhet të marr masa ndaj këtyre fenomeneve negative që po e shëmtojnë futbollin kosovar. Në Kosovë është bërë standart që të gënjehen lojtarët dhe tu mbeten borxh atyre. Në të gjitha klubet ku kam punuar më kanë mbetur borxh. Nga i pari deri te i fundit. Nuk i kam bërë publike pasi që më ka ardhur keq, por kjo është marre. Këto janë gjërat më negative në futbollin e Kosovës që duhet ti ç’rrënjosim dhe të mos ekzistojnë. Kam punuar te Llamkos Kosova për dhjetë muaj pa pagesë, por e kam ditur që situata ishte e tillë. Kam punuar deri në atomin e fundit dhe i kanë të gjitha hallall. Por të mashtrohem për çdo ditë, të gënjehem për çdo ditë është e papranueshme. Nuk jam mësuar me këso gjërash, pasi që edhe nuk kam jetuar shumë në Kosovë. Këtu njeriu zgjohet nga gjumi, bën dush, bëhet gati dhe del të rren ty. Kështu nuk ka askund në botë dhe nuk mund ta pranojë”, theksoi ndër të tjerash Munishi.

Në fund Munishi zbuloi edhe një detaj interesant që i ka ndodhur te Feronikeli.

“Feronikeli është klubi i vetëm që pasi e kam ndërprerë bashkëpunimin jam paguar për tri muaj radhazi. Feronikeli është klubi më korrekt ku kam punuar deri më tani. Feronikelit i dëshiroj shumë suksese dhe drejtuesve të klubit të cilët janë shumë korrekt. Ata janë fitimtarë edhe nëse nuk dalin kampion, pasi që duhet të jesh shumë korrekt në futboll për të patur sukses”, mbylli Munishi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera