Lajme

Shpendin apo Arbanin? Lirak Çelaj tregon se cilin do ta mbështesë

Autori: Gazeta inFokus 13:30 | 23 October 2017

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Lirak Çelaj, pësoi disfatë në zgjedhjet lokale të mbajtura dje. Çelaj u rendit në pozitën e katërt për kryetar të komunës së Prishtinës duke marrë 4 mijë e 610 vota, apo 5,86 përqind të votave.

Deri më tani janë numëruar mbi 90 përqind të votave.

Çelaj thotë se PDK do të vendosë se kë do ta mbështes në balotazh, por vetë Çelaj preferon ta mbështesë kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi.

-Advertisement-

I dëshpëruar me rezultatin po shprehet vetë Çelaj, duke thënë se nuk e ka pritur një rezultat të tillë ndonëse sipas tij gara për Prishtinën ka qenë e vështirë.

Por, pavarësisht kësaj, Çelaj është shprehur se programi i tij për Prishtinën është më i miri.

“Natyrisht që nuk jam shumë i kënaqur. Unë kam qenë i vetëdijshëm që po hyjë në një garë të vështirë me një atmosferë shumë të vështirë. Shpresoj që programi im ka kontribuar sadopak për nxitjen e dialogut për të ardhmen e Prishtinës. Besoj që e kam pasur një program shumë të mirë, më i miri dhe më i realizueshmi”, ka thënë Çelaj.

Çelaj shpreh preferencat e tij se Arban Abrashi nga LDK-ja duhet të qeverisë me kryeqytetin. Thotë se Shpend Ahmeti nuk duhet që ta ketë edhe një mandat tjetër.

“Unë personalisht nuk jam që të fitojë VV-ja, sepse unë e kam pa qeverisjen e tyre dhe është gjynah për Prishtinën që të vazhdojë ky krim”, ka thënë Çelaj.

“Edhe LDK në të kaluarën ka qenë po ashtu keq, por me shpresën që Arbani, meqenëse është djalë i ri, më i pastër dhe mund të ndryshojë diçka”, ka shtuar më tej Çelaj.

Ai ka thënë se për balotazh vendos partia, duke shtuar se kjo që po e thotë është preferencë e tij personale.

“Për balotazh vendosë subjekti, unë e thash preferencën time personale. Personalisht jam kundër Shpendit. Lufta është shumë e ngushtë por unë do të dëshiroja që në këtë rast të fitojë LDK-ja”, ka thënë Çelaj për Express.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera