Lajme

Shpallet fituesi i Çmimit Nobel për Paqe

Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 07 October 2022

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur që Çmimin Nobel për Paqe ta ndajë për aktivistin e të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski, nga Bjellorusia, organizatën ruse të të drejtave të njeriut, Memorial, si dhe organizatën ukrainase për të drejtat e njeriut, Qendra për Liritë Civile.

Për Çmimin Nobel për Paqe këtë vit në garë ishin 343 kandidatë, duke përfshirë 251 individë dhe 92 organizata, transmeton REL.

Vitin e kaluar Çmimi Nobel për Paqe iu nda gazetares filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktorit të gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov.

-Advertisement-

Çmimi Nobel për Paqe, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që “bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve”.

Gjatë kësaj jave u ndanë Çmime Nobel në disa kategori.

Shkrimtares franceze, Annie Ernaux, iu nda të enjten Çmimi Nobel për Letërsi.

Më 5 tetor, Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë dy amerikanëve, Carolyn Bertozzi dhe Barry Sharpless, si dhe danezit, Morten Meldal, për krijimin e një forme më funksionale të kimisë.

Një ditë më herët, më 4 tetor, Çmimi Nobel për Fizikë u është ndarë tre shkencëtarëve: francezit Alain Aspect, amerikanit John Clauser dhe austriakut Anton Zeilinger, për zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.

Ndërsa më 3 tetor, shkencëtari suedez, Svante Paabo, fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.

Çmimi Nobel për Ekonomi do të shpallet të hënën.

Çmimet kanë vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë dhe do të shpërndahen më 10 dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera