Lajme

Shoqëria civile: Ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin korruptiv

Autori: Gazeta inFokus 14:49 | 23 November 2022

Gjashtë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta anulojë vendimin që kthejë pagat në sektorin e drejtësisë, sikur para rritjes që morën në vitin 2017, me vendim të Qeverisë Haradinaj.

Shoqëria civile ka thënë se vendimi për ngritjen e pagave ishte konfirmuar si i ligjshëm nga Gjykata Kushtetuese. Sipas reagimit, vendimi i së mërkurës paraqet ulje të pagave, pasi ngritja është konfirmuar në rrugë institucionale, pasi Kushtetuesja ka shfuqizuar ligjin për pagat dhe vendimi për ngritje pagash në drejtësi s’ishte rregulluar me këtë ligj.

“Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi dy (2) vite e katër (4) muaj. Në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftim të nënshkruar nga organizatat Columbus, Çohu, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Iniciativa për Progres, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol.

-Advertisement-

Sipas shoqërisë civile, vendimi i sotëm cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i nxjerrë si nga qeveria Haradinaj ashtu edhe nga qeveria Kurti, tanimë ka krijuar pritje legjitime për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e pagave të tyre tanimë është konfirmuar. Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vite e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile kanë thënë se edhe Komisioni i Venecias ka përcaktuar “standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete”.

“Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se ‘Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë’ dhe se ‘Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit’. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se ‘…ulja dhe rritja e tyre[pagave], është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…’ Nisur nga fakti se, siç u tha, gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim të shoqërisë civile./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera