Lajme

Shkon në 154 numri i viktimave pjesëmarrëse në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 10:57 | 17 December 2024

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është pranuar edhe një viktimë pjesëmarrëse, duke e çuar numrin e listës në 154.

Sipas vendimit të trupit gjykues, kjo viktimë do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës sikurse viktimat e tjera.

Megjithatë, në vendim ishte theksuar se afati për pranimin e viktimave në këtë çështje gjyqësore kishte përfunduar më 15 shkurt 2023. Por, thuhet se kjo viktimë u pranua pasi ekzistonin arsye të vlefshme për pranimin e saj edhe pse ishte dorëzuar pas afatit të paraparë.

-Advertisement-

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera