Sport

Shinasi Berisha, ikona e ndarjes së drejtësisë në futboll

Autori: Gazeta inFokus 17:40 | 11 April 2019

Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-gjyqtarit të parë me stemën e FIFA-s, Shinasi Berisha, i cili ndërroi jetë dje në orët e hershme, e ku përveç familjarëve morën pjesë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, drejtues të KF ‘Prishtina’ si dhe miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit dhe personalitete të shumta nga sporti, kultura dhe sfera tjera të jetës.

Në emër të FFK-së, familjes Berisha, ngushëllimet më të sinqerta ua përcolli sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Ai e vlerësoi Shinasi Berishën në mesin e gjyqtarëve më të mirë të të gjitha kohërave në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. “Shinasi Berisha jo vetëm që ishte njëri nga gjyqtarët më të mirë nga Kosova dhe ish-Jugosllavia, gjyqtar ndërkombëtar me reputacion, por nga paraqitja e tij fizike i pashëm, autoritativ dhe lider i lindur si në kompaninë ku punojë, ashtu edhe në KF ‘Prishtina’, pastaj si gjyqtar ndërkombëtar dhe si kryetar i Komisioneve dhe Shoqatave në FFK. Shinasi Berisha ishte ndër të parët që e udhëhoqi procesin e pavarësimit të sportit në vitin 1991, duke i qëndruar besnik klubit të tij të zemrës Prishtina, e më vonë së bashku me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë udhëhoqi Shoqatën e Gjyqtarëve. Vendi i tij në historinë e sportit mbetet i pakontestueshëm, por ne do ta mbajmë në mend edhe për prezencën dhe hijeshinë e tij në fushë, gjestet e jashtëzakonshme sportive që i ngazëllenin shikuesit”, ka theksuar Salihu.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi theksoi se Kosova mbeti pa njeriun i cili dha kontribut të madh në ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbër.

-Advertisement-

“Kosova ka humbur një ekspert dhe gjithsesi ka humbur një njeri e një familjar të jashtëzakonshëm. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për sportin edhe në promovimin e vendit si gjyqtari i parë sportiv në FIFA. Kontributi i tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mungesa e tij do të vërehet në mesin tonë dhe veçanërisht tek komuniteti sportiv. Shinasiu gjithkund do të kujtohet me pijetet dhe si profesionist i madh”, tha Gashi.

Ndërkohë, në emër të familjes Berisha ka folur djali i të ndjerit, Shinasi Berisha, Fatosi. Ai tha se sukseset e babait të tij i kanë përjetuar të gjithë në familje.

“Duke u rritur me Shinasiun në prapavijë jam rritur me futbollin e Kosovës dhe i kam mësuar të gjitha vështirësitë, bukuritë dhe të gjitha gëzimet. E kujtoj edhe kohën e artë të Prishtinës kur Prishtina ishte ajo çfarë ndoshta është sot Kombëtarja e Kosovës ku të gjithë e donin dhe e përkrahnin dhe kur ai ishte në krye të Prishtinës kur kjo skuadër u avancua në Ligën e Parë, të gjitha ato suksese të mëdha i kemi përjetuar edhe ne në familje. Po ashtu i kemi nda edhe hidhërimet që shkojnë bashkë me sportin, i kujtojmë edhe kohërat e vështira që i kemi kaluar të gjithë ne si shoqëri dhe sporti në veçanti në kohën e pavarësimit, kur sporti ishte mjet i rezistencës dhe babai ishte pjesë e kësaj rezistence së bashku me shumë prej jush që jeni këtu të pranishëm”, është shprehur Fatos Berisha.

Varrimi i të ndjerit Shinasi Berisha u bë sot në orët e pasdites në Prishtinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera