Opinione

Shengeni Ballkanik, një rast i mirë për Kosovën

Autori: Nexhmedin Spahiu 11:43 | 23 December 2019

Më 12 Janar 2009, isha në emision “Shqip” në Top Channel së bashku me Albin Kurtin dhe të ndjerin Jonuz Musliu. Këtu për herë të parë paraqita idenë e Mini Shengenit Ballkanik.  Para thënë se edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të kenë një rrol më pro-aktiv rajonal dhe duhet të ndërmarrin nismën e Mini-Shengenit Ballkanik mes Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi. Kjo me qëllim të integrimeve brenda shqiptare dhe për tu bërë pandam i Serbisë në integrimet evropiane dhe njëkohësisht parapërgatitjeje për integrimet evropiane.

Sigurisht që nëse do të funksiononte kjo ide me kohë, për një dekadë, zhvillimi i këtyre vendeve si një treg 7-8 milionësh do të sfidonte primatin e Serbisë si fuqia më e madhe rajonale ushtarake, ekonomike e diplomatike. Në hapat integrues, Serbia do të ishte shumë në e shtrënguar se sa tani të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë ide e përkrahu Presidenti Fatmir Sejdiu, por ai menjëherë më pas dha dorëheqje nga posti i Presidentit, dhe ideja ime ngeli vetëm ide për 8 vite me radhë, derisa ka fundi i vitit 2016,  Beogradi zyrtar filloi ta jetësojë si nismë, vetëm se tani në favor të Serbisë.

Presidenti serb, gjeti një moment frustrimi të kryeministrave Rama e Zaev, për shkak të refuzimit që u bëri Bashkimi Evropian hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë dhe i fute në vallen e tij, e cila parimisht nuk mund të refuzohet as nga Bashkimi Evropian as nga Amerika, e cila synim strategjik ka futjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

-Advertisement-

Konform këtij pozicioni edhe Mali i Zi edhe Bosnja e Hercegovina morën pjesë në takimin e Ohrit, ku valuan flamujt kombëtar të 5 kombeve ballkanike, por mungoi flamuri kombëtar i Kosovës. Presidenti i Kosovës refuzoi me arsyetimin se pse nuk ka qenë i ftuar në takimin e parë në Novi Sad, kurse kryeministri i Kosovës, thjeshtë e karakterizoi atë si një “plan të të Rusisë”.

Opinionistët në Kosovë, vazhduan ison e liderëve politikë se Kosova nuk ka interes të përfshihet në këtë punë dhe tungjatjeta!

Kësisoj Kosova, nga mundësia për të pasur një armë në dorë dhe për të shënuar në shënjestër, armën nga dora ia mori Begradi, ndërsa në sfidën e parë të politikës së jashtme reagoi si një foshnje politike me reagime idiote. Me keq se kaq nuk kishte ku të shkonte.

Si çdo herë kur fëmija e bënë punën bërllok, aty është prindi i tij që e nxjerr nga situata. Në këtë rast SHBA ndërhynë duke deklaruar se Shengeni Ballkanik duhet të bëhet por Kosova nuk guxon të mbetet jashtë. Kjo ishte shuplakë fytyrës Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit  e Zoran Zaevit, por edhe idiotëve kosovarë që nga lidershipi e deri te të ashtuquajturit opinionistë.

Nëse Kosova do të jetë subjekt në këtë marrëveshje atëherë hapet rruga për njohje de facto nga Serbia.  Ndër këto 6 vende,  3 (Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi) janë që kanë njohur Kosovën dhe 2 jo (Serbia e Bosnja e Hercegovina).  Por mbi të gjitha, dokumentet e Bashkimit Evropian për herë të parë i referohen Kosovës vend dhe si komb. Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian i kishin shmangur përdorimin e termave sensitivë. Zakonisht ishte përdorur termi neutral: palët, e herë herë emrat e kryeqyteteve, por asnjëherë 6 vendet apo 6 kombet.

Kjo është hera e dytë që Bashkimi evropian pervjedh diçka në dobi të Kosovës. Hera e parë ishte me demarkacionin me Malin e Zi. Ky kusht ishte vënë thjeshtë për të zyrtarizuar Kosovën si komb sovran në terminologjinë e Bashkimit Evropian. Kur ishte vënë kushti i demarkacionit, 5 kombet evropiane që janë kundër Kosovës  (Spanja,  Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia) thjesht e kishin parë si një telash më tepër Kosovës, dhe nuk e kishin vërejtur se vetëm shtetet sovrane bëjnë demarkacion të kufirit.  Fatkeqësisht, nga kjo mundësi Kosovës i doli një dështim, pasi humbi territor, pa pikë nevoje, thjesht nga moskujdesi dhe joprofesionalizmi i komisionit shtetëror.  Kur u vërejt gabimi, ishte tepër vonë pasi Mali i Zi veç e kishte ratifikuar marrëveshjen, dhe amerikanët që e donin Malin e zi në NATO sa më shpejt, nuk ia kishin ngenë ta kthenin procesin  nga fillimi dhe thanë: “grahni se mirë është, kush u ka faj që keni përfaqësues idiota”. Sidoqoftë, demarkacioni u krye dhe tani në rastin e Shengenit Ballkanik serish një dokument qe Kosovës në mënyrë indirekte i drejtohet si vend e si komb.

Pas intervenimit amerikan, tani iniciatori i projektit, Serbia, ose do të duhet ta përfshijë Kosovën në projekt ku do të duhet ta respektojë si një komb sovran ose do të paraqes pengesa që do ta bëjnë dele të zezë Serbinë e jo Kosovën.

Natyrisht, rasti ekziston vetëm për ata që dinë ta shfrytëzojnë. Kosova si një vend i vogël nuk mund të bëjë politikë të jashtme globale,  krejt çfarë mund të bëjë politikë të jashtme Kosova është politika ndaj fqinjëve të saj. Kosova, njësoj si dhe Maqedonia nuk ka dalje në det, por për dallim Maqedonia ka një mundësi më shumë sepse ka 5 fqinjë për dallim nga Kosova që i ka vetëm 4.  Vetëm një politikë me takt ndaj fqinjëve, e harmonizuar me interesat amerikane dhe evropiane mund të bëjë që Kosova të funksionojë si një komb sovran.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera