Lajme

SHBA sërish shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e partive serbe në zgjedhje

Autori: Gazeta inFokus 10:12 | 24 April 2023

Shtetet e Bashkuara sërish shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën më 23 prill.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Përveç për zgjedhjen e kryetarët e rinj, qytetarët votuan edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

-Advertisement-

“Ne përkrahim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Është për të ardhur keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike”, u tha në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

SHBA-ja po ashtu tha se mirëpret përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtronin të drejtën e tyre të votës “duke ulur pikat e mundshme të tensionit”.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm”, u tha në njoftim.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor.

Nga 10 kandidatë për kryetarë të komunave, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor – që kaloi pa asnjë incident – Lista Serbe tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se dalja në procesin zgjedhor ishte 3.47 për qind.

KQZ-ja hapi 19 qendra votimi në katër komunat në veri, 13 prej të cilave ishin alternative, të vendosura në kontejnerë./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera