SHBA njofton sanksione të reja kundër oligarkëve rusë
Autori: Gazeta inFokus 07:08 | 04 March 2022
Uashingtoni njoftoi sot ( e enjte) se në koordinim me aleatët dhe vendet partnerë, ka vendosur sanksione të reja që kanë si objektiv elitën ruse, e cila vazhdon të mbështesë Presidentin Putin, pavarësisht sulmit brutal të tij ndaj Ukrainës.
Departamenti i Thesarit tha se këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus dhe se anëtarë të familjeve të tyre janë vendosur në poste të larta në Rusi.
Të tjerë drejtojnë kompani të mëdha ruse dhe janë përgjegjës për sigurimin e burimeve të nevojshme për të mbështetur sulmin që Vladimir Putin po kryen ndaj Ukrainës.
Sipas Departamentit të Thesarit këta individë dhe anëtarët e familjeve të tyre do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan, pasuritë e tyre në Shtetet e Bashkuara do të ngrihen dhe pronat e tyre do të bllokohen. Departamenti i Thesarit do të ndajë informacionet e inteligjencën financiare si dhe prova të tjera me Departamentin e Drejtësisë për të mbështetur procesin e ndjekjes penale dhe sekuestrimin e pronave.
Mes emra ndaj të cilëve janë vendosur sanksione është Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur të Rusi dhe një aleat i ngushtë i zotit Putin. Prona e tij do të bllokohet në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë superjahtin e tij, një nga më të mëdhenjtë në botë, si dhe avionin e tij privat, një nga më të mëdhenjtë në pronësi private në Rusi. Shtetet e Bashkuara do të sanksionojnë gjithashtu Dmitry Peskov, i cili në cilësinë e zëdhënësit të zotin Putin shihet nga autoritetet amerikane si furnizuesi kryesor i propagandës së tij.
Uashingtoni njoftoi se ka vendosur kufizime për hyrjen në Shtetet e Bashkuara për 19 oligarkë dhe 47 anëtarë të familjeve e bashkëpunëtorë të tyre të ngushtë.
Personat dhe kompanitë e sanksionuara
• Nikolai Tokarev (bashkëshortja e tij Galina, vajza Mayya dhe dy kompanitë e tij të mëdha të pasurive të patundshme).
• Boris Rotenberg (bashkëshortja e tij Karina dhe djemtë e tij Roman dhe Boris)
• Arkady Rotenberg (djemtë e tij Pavel dhe Igor dhe vajza Liliya)
• Sergei Chemezov (bashkëshortja e tij Yekaterina, djali i tij Stanislav dhe vajza e tij Anastasiya).
• Igor Shuvalov (pesë kompanitë e tij, bashkëshortja e tij Olga, djali i tij Evgeny dhe kompania e tij, si dhe vajza e tij Maria dhe një kompani e saj).
• Yevgeniy Prigozhin (tre kompanitë e tij, bashkëshortja Polina, vajza Lyubov dhe djali i tij Pavel).
• Dmitry Peskov, sekretari i Shtypit i Presidentit Putin.
• Alisher Usmanov (superjahti i tij, një nga më të mëdhenjtë në botë si dhe avioni i tij privat).
Operacioni ‘KleptoCapture’
Të mërkurën Shtetet e Bashkuara njoftuan një përpjekje gjithëpërfshirëse për të identifikuar dhe sekuestruar pronat e rusëve të pasur që kanë mbështetur regjimin e Presidentit Vladmir Putin, si pjesë e përgjigjes së Uashingtonit ndaj sulmit të Moskës mbi Ukrainën.
Nisma e re e udhëhequr nga Departamenti i Drejtësisë, quhet operacioni ‘KleptoCapture’. Ajo u njoftua fillimisht nga Presidenti Joe Biden të martën në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit.
“Sonte u them oligarkëve rusë dhe udhëheqësve të korruptuar që hodhën miliarda dollarë tek ky regjim i dhunshëm: Jo më!”, tha zoti Biden.
“Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara po mbledh një grup pune të dedikuar për të ndjekur krimet e oligarkëve rusë. Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet tuaja, apartamentet tuaja luksoze, avionët tuaj privatë. Ne po u vihemi pas përfitimet tuaja të paligjshme”, tha ai.
Të mërkurën në mëngjes, Prokurori i Përgjithshëm Merrick B. Garland njoftoi formimin e grupit të ri të punës, duke vënë në dukje se qëllimi i tij do të ishte të zbatonte sanksionet ekonomike që janë vendosur kundër Rusisë që nga sulmi i saj në Ukrainë javën e kaluar.
“Departamenti i Drejtësisë do të përdorë të gjithë autoritetet e tij për të sekuestruar pronat e individëve dhe subjekteve që shkelin këto sanksione”, tha zoti Garland. “Nuk do të lëmë gur pa lëvizur në përpjekjet tona për të hetuar, arrestuar dhe t’i ndjekur ata penalisht, aktet kriminale të të cilëve i mundësojnë qeverisë ruse të vazhdojë këtë luftë të padrejtë. Më lejoni të jem i qartë: nëse shkelni ligjet tona, ne do t’u kërkojmë llogari“.
Ekspertët thonë se puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive do të mbështetet në një kombinim të mbledhjes së informacioneve të zbulimit, analizës së të dhënave dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, gjë që është e zakonshme në hetimet penale.
“Ne kemi parë konfiskim pronash e pasurish në të kaluarën. Ne kemi parë jahte, apartamente dhe gjëra të tjera që janë sekuestruar”, tha Daniel P. Ahn, një bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare ‘Woodrow Wilson’ i cili ka punuar si kryekonomist për Departamentin e Shtetit. “Ky është një ndryshim në shkallë angazhimi, më shumë sesa një ndryshim në instrumentat e përdorur“.
Zoti Ahn tha se identifikimi i pronarëve të vërtetë të disa pasurive do të jetë një “problem i mprehtë i zbulimit”. Pasuritë në pronësi të individëve jashtëzakonisht të pasur shpesh kontrollohen nga një rrjet kompleks kompanish guaskë, apo të regjistruara në parajsa fiskale si dhe subjekte të tjera që i maskojnë ato, të cilët zyrtarët e zbatimit të ligjit i referohen si “pronarët përfitues”.
Që kur vendet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë filluan të vendosin sanksione ndaj bankave ruse dhe mbështetësve të pasur të zotit Putin, jahte të mëdhenj në pronësi apo që besohet se janë në pronësi të oligarkëve rusë, janë parë të largohen nga portet e vendeve që u janë bashkuar sanksioneve.
Disa kanë lundruar drejt vendeve që nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara.
Të mërkurën, oligarku Roman Abramovich, i cili zotëron klubin shumë të suksesshëm të futbollit me bazë në Londër, Chelsea, njoftoi se e kishte nxjerrë klubin në shitje, duke shlyer rreth 2 miliardë dollarë kredi. Të martën, një anëtar i Parlamentit Britanik tha në një fjalim se zoti Abramovich po përpiqej gjithashtu të shiste një sërë pronash luksoze në Londër.
Ekspertët thonë se ata besojnë se oligarkët mund të përpiqen të heqin dorë nga ato prona që mund të lidhen më lehtë me ta, me shpresën se sekuestrimi i tyre do të kënaqte qeveritë perëndimore.
“Nëse unë jam një kleptokrat dhe nuk dua që ata të marrin pjesën më të madhe të gjërave të mia, do t’i hiqja ato për të cilat janë në dijeni të gjithë, me shpresën që do të më linin rehat“, thotë për Zërin te Amerikës Jim Richards, themelues i ‘RegTech Consulting’.
Zoti Richards, i cili ka punuar si drejtor i menaxhimit të rrezikut për krimet financiare për ‘Wells Fargo & Company’ për 12 vite, thotë se zoti Abramovich dhe oligarkët e tjerë do të jenë treguar të kujdesshëm që të kenë sasi të mëdha pasurish të fshehura, të cilat do të jenë të vështira ose të pamundura që të zbulohen nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
“Çka dua të them është se gjëja e fundit që këta persona duan është që të dashurat, fëmijët apo vetë ata të përfundojnë në një apartament në Moskë”, thotë ai.
Qëllimi i sanksioneve
Ndërsa vendet perëndimore vazhdojnë të rrisin numrin e sanksioneve ndaj ekonomisë ruse, objektivi i tyre përfundimtar mund të vihet në pikëpyetje.
Zoti Ahn thotë se ka tre synime kur bëhet fjalë për sanksionet. E para është shkaktimi i dëmit ekonomik ndaj objektivit. E dyta është të pengojë ose të ndryshojë sjellje specifike. E treta është të shprehin mosmiratimin ndaj veprimeve specifike të palës që sanksionohet ose solidaritetin me ata që janë viktima të këtyre veprimeve.
Zoti Ahn thotë se për aq kohë sa sanksionet e vendosura ndaj Rusisë synojnë të shkaktojnë dëm ekonomik, ato kanë qenë pjesërisht të suksesshme deri më tani. Koha ka të ngjarë të tregojë një përkeqësim të ekonomisë ruse. Por kur bëhet fjalë për parandalimin apo ndaljen e agresionit rus kundër Ukrainës, sanksionet kanë dështuar qartë, të paktën deri më tani.
Suksesi simbolik i regjimit të sanksioneve është zakonisht më i madh, sa më të shumëanshme të jenë ato, thotë zoti Ahn. Në këtë pikë, veprimet e ndërmarra kundër Rusisë kanë qenë mjaft të suksesshme, duke i bërë dëm të konsiderueshëm reputacionin të qeverisë së zotit Putin.
Të tjera
-
“Qeveri e idhnakëve”: Jasharaj i SBAShK thotë se formularin për heqje dorë nga shtesat, Murati do ta aplikojë edhe ndaj sektorit publik
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK ka folur për vendimin e Qeverisë që t’i ja...
-
“Espresso me Bedri Hamzën”: Hamza i tregon një mësimdhënëseje se do t’i rritet paga për 50%
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, sot...
-
Policia e Kosovës bastisë një objekt të uzurpuar nga institucionet paralele të Serbisë
Policia e Kosovës ka bastisur mëngjesin e sotë, objektet në të cilat po vepro...
-
Hykmete Bajrami i reagon Hekuran Muratit: Kushdo që flet për rritje duke e përjashtuar inflacionin thotë të pavërteta
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për “herë të parë në historinë e...
-
KOSTT njofton se një pjesë e Prishtinës s’do të ketë rrymë tri orë
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Koso...
-
Policia jep detaje për aksidentin në mes një kamioni e tre veturave në Prishtinë, ka të lënduar
Në afërsi të objektit të KEDS në kryeqytet sot ka ndodhur një aksident zinxhi...
-
Haradinaj: Kjo qeveria e territ, kurrë asgjë nuk qiti në dritë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur qeverinë në pushtet si qeveri të...
-
Dakaj ironizon: Kjo qeveri i ka subvencionu qytetarët me klima, sot del ju thotë me kursy rrymën
Gazetari, Shkelzen Dakaj ka komentuar reduktimet e shumta me energji elektrik...
-
Aksident zinxhiror në qendër të Prishtinës, përfshihen një kamion dhe 3 vetura
Në afërsi të objektit të KEDS në kryeqytet ka ndodhur një aksident zinxhi...
-
Kuti i bën sërish thirrje mërgatës për regjistrim: Katër minuta të kohës suaj, katër vjet vendimtare për Kosovën
Përmes një video të publikuar në Facebook, nga vetura, Kryeministri Albin Kur...
-
Asamblisti ferizajas: Vëllai erdhi për festa, u detyrua për shkak të reduktimeve të kthehej në Gjermani
Asamblisti nga radhët e PDK-së në Komunën e Ferizajt, Sedat Ismajli thotë se ...
-
PZAP e urdhëroi ta certifikojë Listën Serbe, KQZ: Do të presim nëse do të ketë ankesa në Supreme kundër këtij vendimi
Dje Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa e ka anuluar vendimin e KQZ’së ...