Lajme

SHBA masa të reja ndaj makinerisë ruse të luftës

Autori: Gazeta inFokus 07:21 | 23 February 2024

Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime të reja që synojnë të godasin atë që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si “makineria ruse e luftës”, vetëm pak ditë pasi bota do të shënojë përvjetorin e dytë të sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi të enjten progres në pesë çështje të veçanta ndaj oligarkëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të tyre financiarë, përfshirë arrestimin e dy ndërmjetësve me seli në Shtetet e Bashkuara dhe një rast pranimi të fajësisë për pastrim parash.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara vendosën të sekuestrojnë apartamente luksoze me vlerë 2.5 milionë dollarë në Majami, të Floridas, në kuadrin e procesit gjyqësor ndaj oligarkut rus Viktor Perevalov.

-Advertisement-

Megjithëse disa nga këto masa, ndër to edhe akuza të reja ndaj oligarkëve dhe personave të afërt me presidentin rus Vladimir Putin, mund të mos sjellin rezultate të menjëhershme, zyrtarët thanë se mesazhi për Ukrainën është i qartë.

“Do të bëjmë çfarë të mundemi, veprime të mëdha dhe të vogla, për të treguar mbështetjen tonë ndërsa sfidojnë agresionin rus dhe mbrojnë atdheun e tyre”, tha Michael Khoo, bashkëdrejtues i grupit të punës të emërtuar “KleptoCapture”, në Departamentin amerikan të Drejtësisë.

Khoo tha se ky është një mesazh edhe për Kremlinin.

“Nuk do të largohemi”, u tha zoti Khoo gazetarëve. “Mundemi edhe ne ta luajmë lojën në afatgjatë”.

“Kemi synimin e plotë që të vazhdojmë me këto lloj veprimesh për sa kohë që agresioni rus në Ukrainë vazhdon dhe për sa kohë vazhdojnë me veprimtarinë keqdashëse nëpër botë”, shtoi ai.

Ndër të akuzuarit e rinj të enjten është Andrey Kostin, drejtori ekzekutiv i bankës së rëndësishme ruse VTB Bank.

Autoritetet e Departamentit të Drejtësisë akuzojnë se zoti Kostin, ndaj të cilit janë vendosur sanksione më parë në vitin 2018, u përpoq t’i shmangë ato dhe të pastrojë paratë me dy superjahte, me vlerë mbi 135 milionë dollarë.

67-vjeçari Kostin akuzohet gjithashtu se u përpoq të shmangë sanksionet në lidhje me një shtëpi luksoze që ka në pronësi në Aspen, të Kolorados.

Zyrtarët njoftuan se bashkëpunëtorët e tij në skemën e dytë, 65-vjeçari Vadim Wolfson dhe 49-vjeçari Gannon Bond, u arrestuan të enjten në Shtetet e Bashkuara. Zoti Wolfson ka rezidencë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe banon në Austin, Teksas. Ndërsa zoti Bond është shtetas amerikan nga Nju Xhersi.

Nëse gjenden fajtorë, të tre mund të përballen me dënim me nga 20 vite burgim.

Në një tjetër çështje, Shtetet e Bashkuara akuzuan oligarkun rus Sergey Kurchenko për një skemë shumëvjeçare për të shmangur sanksionet dhe për të shitur produkte metali me vlerë 330 milionë dollarë, ndër to edhe produkte të prodhuara në rajonin Donbas të Ukrainës.

Departamenti i Drejtësisë paraqiti të enjten edhe akuza të reja për mashtrim bankar për Vladislav Osipovin, një shtetas 52-vjeçar rus që jeton në Zvicër, i akuzuar se ndihmoi oligarkun rus Viktor Vekselberg, ndaj të cilit janë vendosur sanksione amerikane, për të menaxhuar jahtin e tij që u sekuestrua më vonë nga autoritetet amerikane.

Departamenti i Drejtësisë tha se dosja e fundit ishte çelur ndaj 42-vjeçarit Feliks Medvedev, një shtetas rus që jeton në shtetin amerikan Xhorxhia, i cili ka pranuar fajësinë për 1300 transferta të paligjshme financiare nëpërmjet kompanive guackë, për të fshehur mbi 150 milionë dollarë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë krijoi grupin e punës “KleptoCapture” në mars 2022, pasi Rusia sulmoi Ukrainën, për të udhëhequr luftën ndaj oligarkëve të korruptuar rusë. Në fillim të vitit 2023, grupi i punës filloi të përqëndrohet tek personat që ndihmojnë përpjekjet e oligarkëve rusë për të fituar qasje në tregjet perëndimore dhe sistemet financiare.Zëri i Amerikës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera