Lajme

Serbët e veriut paralajmërojnë protestë në Mitrovicë

Autori: Gazeta inFokus 08:16 | 07 August 2024

Një grup qytetarësh nga komuniteti serb kanë paralajmëruar se do të protestojnë mesditën e sotme në Mitrovicën e veriut.

Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun.

Ai ka thënë se sipas organizatorëve arsyeja e protestës është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

-Advertisement-

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm, për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike”, ka thënë Elshani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dje paralajmëroi protestën në veri dhe theksoi se serbët e atjeshëm do të kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër. Ai njëherësh ka propaganduar edhe për një protestë të shqiptarëve në anën tjetër të lumit Ibër, teksa i ka kërkuar KFOR-it që ta bllokojë urën dhe ta pengojë marshimin e shqiptarëve.

Megjithatë, pretendimet e Vuçiqit i ka hedhur poshtë kryeministri Albin Kurti, teksa ka akuzuar presidentin serb se po mundet të krijojë atmosferë frike. “Me pretendimet e rreme se shqiptarët do të marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti mbrëmë në “X”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera