Senati nuk miraton një plan të ri për kufirin, ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin
Autori: Gazeta inFokus 08:25 | 08 February 2024
Në një përpjekje të orës së fundit, drejtuesi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, u përpoq të mërkurën të shpëtojë një propozim për ndihma për Ukrainën, nga një paketë e mëparshme që dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve për zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e kufirit.
Në propozimin e ri përfshiheshin dhjetëra miliarda dollarë për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e tjerë të Shteteve të Bashkuara.
Republikanët në Senat arritën të bllokojnë propozimin e ri, me një votim 49 me 50, shumë më pak se 60 votat që duhen për të miratuar projektligjin.
Senatori demokrat nga Nju Jorku ishte shprehur më herët se synonte t’i detyronte republikanët që të merrnin pjesë në dy votime proceduriale. I pari, për një paketë të negociuar prej kohësh me vlerë 118 miliardë dollarë ku përfshihen masat për kufirin që u refuzuan nga republikanët. Votimi i dytë procedurial do të jetë për një paketë të ndryshuar nga ku është hequr pjesa për kufirin. Nëse republikanët do të mbështesnin ndonjërin prej këtyre propozimeve gjatë votimit procedurial, atëherë do t’i hapej drita jeshile Senatit për të bërë një votim të plotë gjatë seancës plenare.
“Vazhdojmë të mendojmë se Ukraina, Izraeli, ndihma humanitare në Lindjen e Mesme dhe për Indo-Paqësorin, si dhe forcimi i ushtrisë sonë, janë me rëndësi jetike”, u tha gazetarëve të mërkurën senatori Schumer.
Propozimi për ndihma rreth 60 miliardë dollarë për Ukrainën ka ngecur në Kongres prej muajsh për shkak të kundërshtive nga konservatorët e linjës së ashpër që kërkojnë një strategji daljeje nga lufta. Për shkak të këtij ngërçi, Shtetet e Bashkuara kanë ndalur dërgesat e armëve për Kievin, në një moment kyç për konfliktin gati dyvjeçar, duke i lënë ushtarët ukrainas pa municion të mjaftueshëm dhe pa raketa, ndërkohë që Rusia bën sulme të vazhdueshme.
Kauza e Ukrainës ende gëzon mbështetjen e shumë senatorëve republikanë, ndër ta drejtuesi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, por pikëpyetja të cilës nuk i kanë dhënë dot përgjigje ligjvënësit, ka qenë gjithnjë se si mund të hartohej një propozim që do të kalohej nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane.
“Fillimisht, republikanët thanë se do kalonin vetëm Ukrainën dhe Izraelin, ndihmat humanitare, me kufirin. Pastaj thanë se nuk do ta kalonin me kufirin”, tha senatori Schumer. “Atëherë do t’ua japim të dyja opsionet”.
Senatori Schumer shtoi se propozimi i ri do të përmbante edhe legjislacionin për të autorizuar sanksione dhe mjete kundër pastrimit të parave, për t’u përdorur ndaj organizatave kriminale që trafikojnë fentanilin drejt Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, nuk u bë menjëherë e qartë nëse plani i ri, edhe nëse do të kalonte në Senat, do të fitonte mbështetjen e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. Ligjvënësit republikanë vazhdojnë të këmbëngulin për një plan për kufirin, megjithëse e refuzuan si të pamjaftueshme marrëveshjen e negociuar në Senat.
“Nuk shoh se si do të kalonte në këtë dhomë. Nuk di se si do ta paraqiste këtë kryetari në seancë plenare”, tha kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, ligjvënësi republikan Mike Rogers, duke shtuar se dëshiron që propozimi të shoqërohet me politika më të ashpra kufitare.
“Nëse nuk përballemi me çështjen numër një në Amerikës, kur themi që kjo është mënyra e vetme për të arritur tek çështjet e tjera; nuk di si mund të shmanget kjo”, tha ai.
Pas kritikave të ashpra të ish Presidentit Donald Trump ndaj propozimit ndërpartiak të Senatit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson e refuzoi atë me shpejtësi. Qëndrimi i ish Presidentit i ka shtyrë edhe shumë republikanë që të lëkunden për sa i përket Ukrainës, duke sugjeruar se ai do të negocionte për t’i dhënë fund luftës.
Kryetari Johnson tha këtë javë do të donte ta shqyrtonte ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën në paketa të veçuara, por një projektligj që ai paraqiti me vetëm ndihmën për Izraelin nuk u miratua të martën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Drejtuesi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries tha të mërkurën se e vetmja rrugëzgjidhje ishte një përqasje gjithëpërfshirëse që përmban fonde për aleatët e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën, si dhe mbështetjen humanitare për civilët në konfliktet në Gazë dhe Ukrainë.
Paketa e re përmban 14 miliardë dollarë për Izraelin, investime në industrinë amerikane të mbrojtjes, fonde për vendet aleate në Azi, si dhe 10 miliardë dollarë për operacionet humanitare në Ukrainë, Izrael, Gazë dhe vende të tjera. /VOA
Të tjera
-
Vuçiq: U mbajt një tubim jashtëzakonisht i madh në Beograd
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, këtë herë ka pranuar se në Beograd është m...
-
Pritjet për të hyrë në Kosovë deri në 40 minuta
Pritjet për të hyrë në Kosova nga pika kufitare e Muçibabës po vijojnë deri n...
-
Deklarohen të pafajshëm 22 të akuzuarit për mashtrim me “Call Center”
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklar...
-
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Pogradec
Një person i moshës 61-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ...
-
Protestë masive në Beograd kundër presidentit serb
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duk...
-
Hill thotë se s’ka paralajmërime për sanksione ndaj NIS’it në Serbi, a i gënjeu Vuçiq serbët për të krijuar panik?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka...
-
Tajani për vizitë në Kosovë, viziton kontigjentin italian të KFOR-it
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të ...
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...
-
Kundërligjshëm e pa përvojë pune, Rozeta Hajdari e bën zv. kryeinspektore ish asistenten e Albulena Haxhiut vetëm 8 muaj pasi u punësua në MINT
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish asist...
-
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje politike e Rugovës ia dha vendit demokracinë në të cilën fitojnë edhe rivalët tanë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri shkroi për përvjet...
-
Komuniteti i Ambasadës nderon Hovenierin për vizionin e tij për Kosovën
Komuniteti i Ambasadës Amerikane ka nderuar ambasadorin Jeffrey M. Hovenier m...
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...