Lajme

Sekuestrohen dy kamionë që transportonin zhavorr kundërligjshëm

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 27 September 2024

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur në dy raste të ndara janë sekuestruar dy kamionë, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme, teksa ndaj ngasësve të tyre është iniciuar rast për vepër penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, kjo e fundit në koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektorët e KPMM-së dhe Inspektorët Komunal, në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit, në dy raste të ndara ka ndaluar vozitësit e dy kamionëve, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas prokurorisë, aktivitetet ilegale të nxjerrjes së zhavorrit në këtë fazë hetimore dyshohet se janë zhvilluar përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

-Advertisement-

“Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara është lëshuar urdhri ndalues i përkohshëm dhe gjithashtu brenda afatit ligjor, për mjetet e kryerjes së veprës penale më datë 27.09.2024 është paraqitur kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar, me masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar – shitjen e pasurive të specifikuar/kamionëve për çmim të tregut”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren thotë se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera