Lajme

SBASHK me ide konkrete për arsim më të mirë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:26 | 26 January 2018

SBASHK-u thotë se në përpjekje që të kemi një arsim edhe më të mirë në Kosovë ka ngritur vazhdimisht në takimet me ministrin Bajrami dikur e tani edhe me ministrin Bytyqi ide konkrete që ndihmojnë shumë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim.

SBASHK ka kërkuar që mësimdhënësit që fatkeqësisht lëngojnë nga sëmundje të rënda të lirohen nga procesi mësimor duke u dhënë pensione në vlerën 75 % të pagës dhe në vend të tyre të angazhohet kuadri i ri në cilësinë e mësimdhënësit praktikant duke u shpërblyer me 25 % të pagës dhe nëse dëshmohet me punë e përkushtim.

“Kemi kërkuar që edhe një numër mësimdhënësish që kanë kaluar moshën 60 vjeçare dhe që vështirë komunikojnë me teknologjinë e re të fitojnë të drejtën me ligj për pension të parakohshëm në vlerën 75 % të pagës dhe në vend të tyre të pranohet kuadri i ri që qëndron mirë me zhvillimet teknologjike dhe risitë tjera shkencore”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

-Advertisement-

Ndër tjerash kjo sindikatë ka kërkuar që shkollat të pajisen me mjete bashkëkohore të punës dhe që procesi mësimor të zhvillohet në kabinete.

Kanë kërkuar që Drejtoritë arsimore të depolitizohen dhe në to të rekrutohen kuadro profesionale arsimore që do të vizitonin shkollat e komunave të tyre dhe duke vizituar në orët mësimore do të vërenin nga afër punën edukativo-arsimore të secilit mësimdhënës dhe bashkërisht e përmes këshillimeve do të tejkaloheshin dobësitë e vërejtura e po ashtu do të shihej nga afër se për cilin trajnim ka nevojë mësuesi i caktuar.

“Kjo do të ishte zgjidhje afatgjate e jo paralajmërimet për teste të njohurive. Njohuritë e mësimdhënësve i kanë testuar profesorët në Universitete dhe se ata kanë njohuri të nevojshme e dëshmon diploma e tyre”, thekson tutje SBASHK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera