Lajme

‘Safe Journalists’ reagon pas fushatës denigruese të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Nacionales dhe Periskopit, thirrje kryeministrit Kurti

Autori: Gazeta inFokus 16:10 | 24 July 2024

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor, SafeJournalists – anëtare e së cilës është edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas fushatës denigruese së deputetëve dhe zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Nacionales dhe Periskopit.

“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën denigruese të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje…I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë denigruese, dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza.” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë i Safe Journalists:

-Advertisement-

Pas transmetimit të një artikulli nga një media boshnjake “Slobodna Bosna” (anglisht: Bosnja e Lirë) në edicionin kryesor të lajmeve në Transmetuesin Publik të Kosovës, ku akuzonin mediat kosovare (Nacionale dhe Periskopi) se janë “të kontrolluara nga Serbia dhe Vuçiq”, deputetët dhe zyrtarë të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kanë iniciuar një fushatë shpifjeje online kundër mediave kosovare. Kjo fushatë nuk është e drejtuar vetëm ndaj mediave dhe pronarëve të mediave, por është përshkallëzuar edhe në fushata shpifëse në internet dhe gjuhë të urrejtjes që synojnë gazetarët. Këtu përfshihen individë dhe qytetarë me ndikim që komentojnë këto postime.

Artikulli i “Slobodna Bosna” bazohet në burime dhe deklarata të një figure kontroverse të quajtur Boban Bogdanoviç, i cili identifikohet si një disident politik serb. Salih Zyba, Dimal Basha, Dejona Mihali dhe Adnan Rrustemi kanë kritikuar publikisht mediat duke iu referuar artikullit joprofesional të “Slobodna Bosna” pa argumente dhe fakte të mjaftueshme. 

Fillimisht, kjo fushatë kishte në shënjestër media të veçanta, por më vonë u përshkallëzua në kërcënime kundër të gjitha mediave që operojnë në Kosovë. Më tej, deputeti Adnan Rrustemi i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë mediat kosovare për të kuptuar nëse Serbia po financon platformat e mediave online në Kosovë. Po ashtu, në një intervistë që nuk ndërlidhet me temën, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka pohuar se për këtë situatë e ka njoftuar Prokurorinë dhe ka shprehur besimin e saj në RTK si burim i besueshëm i informacionit. 

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Xhemajl Rexha pohon se situata është vërtet e rëndë. “Ne kemi vite që po përballemi me akuza të vazhdueshme nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, por situata po përkeqësohet dita-ditës. Deputetët e partisë politike të kryeministrit Kurti, po përdorin një artikull, pa autor, vetëm me burime dhe që vjen nga Bosnja fqinje për të akuzuar mediat kosovare se punojnë për Serbinë dhe Vuçiqin. Përveç kësaj ai shtoi se “Kjo seri e fushatës urrejtjeje është aq e rrezikshme, sa kemi frikë për sigurinë e kolegëve tanë nga të dy mediat, Nacionale dhe Periskopi. Ne do të mbajmë përgjegjësi Vetëvendosjen, Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti nëse atyre u ndodh diçka.” 

Berat Buzhala, gazetar dhe pronar i portalit online NACIONALE pohon se “Gjatë këtyre 24 orëve kemi qenë dëshmitarë të një fushate të organizuar nga qeveria, partia në pushtet dhe drejtori i RTK-së të cilët po sulmojnë dy portale online bazuar në një artikull spekulativ të prodhuar në një vend tjetër, pa asnjë provë.” Gjithashtu ai tha se “Fushata kundër NACIONALE financohet nga Vuçiq dhe vë në rrezik jetën e çdo punonjësi në kompaninë tonë. Një sulm kaq i drejtpërdrejtë i qeverisë ndaj medias nuk ka ndodhur kurrë në këto 25 vite liri.” Ndërsa Ilir Mirena i Periskopit pohon në mënyrë të ngjashme se ajo që ndryshon sulmin e fundit ndaj Periskopit dhe Nacionales nga sulmet e tjera është se për herë të parë qeveria përdori transmetuesin publik, RTK, për të sulmuar media të tjera me lajme të pa verifikuara. “Akuzat e rënda të publikuara në artikull dhe video nga transmetuesi publik dhe të shpërndara nga zyrtarë të partisë në pushtet paraqesin thirrje për denigrim publik, duke rrezikuar sigurinë fizike të gazetarëve tanë. Çdo sulm i ardhshëm që rrezikon sigurinë fizike të stafit tonë do të konsiderohet i nxitur drejtpërdrejt nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti”, ka shtuar ai.

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 24.07.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera