Sa janë pagat e punëtorëve në Gjermani dhe sa është tatimi që ua merr shteti?
Autori: Gazeta inFokus 12:42 | 18 November 2019
Në Gjermani rrogat janë të larta, kështu mendojnë shumë migrantë, që duan të vijnë e jetojnë në këtë vend. Por sa paguhen vërtet punonjësit dhe sa tatime të mban shteti?
Shifrat nuk të gënjejnë, por ato duhen “lexuar” siç duhet: Kështu për shembull duhet ditur, se po të pyesësh në Gjermani se sa e ke rrogën, përgjigja që të jepet është ajo për rrogën bruto, dhe jo neto, atë që merr vërtet në xhirollogari. Sigurisht, nëse të kthejnë përgjigje, sepse gjermanët e konsiderojnë shumë të papërshtatshme t’i pyesësh, se sa e kanë rrogën.
Sipas statistikave në vitin 2018, e ardhura mesatare mujore në Gjermani është 2.950 euro. E ardhura neto, pra ajo që merr vërtet punëmarrësi është më e vogël. 33% më e vogël, dhe shkon afërsisht 1.945 euro. Pas kësaj diference prej 1000 eurosh fshihen taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Sasia e tatimeve që duhen paguar varet në Gjermani nga klasifikimi tatimor i punëmarrësit. Në Gjermani ka nga 1-6 klasifikime. Se në cilën kategori klasifikohesh varet nga disa faktorë, nëse je i martuar apo beqar, nëse ke fëmijë apo jeton vetëm, nëse je prind që rrit vetëm fëmijët, nëse je ushqyesi kryesor i familjes, nëse ke disa punë me deklarime tatimore.
E ardhura bruto dhe neto – Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Rasti nr.1: Le të marrim rastin e një burri të martuar, baba i dy fëmijëve, e që është rrogëtari kryesor në familje. Ai fiton 2.948 euro bruto në muaj. Paga mujore e tij i përket kështu të ardhurave mesatare në Gjermani. Nga kjo pagë mbahen 167 euro tatim mbi rrogën, 215 euro (7,5%) për sigurimin shëndetësor, 274 euro (9,3%) për pensionin, 36 euro (1,25%) për sigurimin në rast papunësie, dhe 45 euro (1,5%) për sigurimin në rast paaftësie fizike. Në fund ai merr realisht një pagë mujore prej 2.209 euro.
Rasti nr. 2: Një person beqar, pa fëmijë merr të njëjtën pagë mujorë, pra 2.948 euro në muaj bruto. Por ky ka një shkallë më të lartë tatimi, dhe duhet të paguajë edhe 22 euro tatim solidariteti (nga kjo babai me fëmijë është i çliruar). Në fund ky person ka një pagë mujore më të ulët, pas heqjes së tatimeve e kontributeve, i mbeten 1.944 euro në muaj. Nëse ky person është edhe anëtar i kishës katolike apo protestante, kjo shumë pakësohet edhe me 40 euro të tjera.
Profesione të paguara më mirë dhe më keq
E ardhura mesatare që përmendëm më lart është një vlerë statistikore, që nuk të thotë shumë për pagat në degë të caktuara. Në disa profesione, të punësuarit fitojnë shumë, në disa të tjera fitojnë aq pak, sa me zor arrijnë të përballojnë muajin. Vendin e parë mes profesioneve më të mirëpaguara – pa përgjegjësi personeli – e zenë kryemjekët. Këta paguhen mesatarisht 120.000 euro në vit. Edhe mjekët e specializuar paguhen shumë mirë, mesatarisht 90.000 euro në vit. Mes të shumëpaguarve në Gjermani renditen të punësuarit në sektorin financiar dhe ekonomik, menaxherë fondesh e menaxherë të ndryshëm në firma.
Më të keqpaguara janë punët e ndihmësve në gastronomi, rreth 2.000 euro bruto në muaj. Pak paguhen edhe parukieret, kamarierët, mes profesioneve më të keqpaguara renditen edhe punonjësit e Call Center, ndihmësit e dentistëve, dhe personeli i kujdestarisë për të moshuarit. Edhe infermieret kanë një pagë relativisht të ulët mujore (mes 2.000 dhe 2.400 euro bruto).
Paga minimale ligjore
Gjermania bën pjesë në vendet që e kanë të përcaktuar me ligj pagën minimale. Ajo është e përcaktuar me 9,19 euro ora (aktuale në nëntor 2019). Luksemburgu është vendi me pagën minimale më të lartë, 11,97 euro në orë. Belgjika, Irlanda, Holanda, dhe Franca janë vende në BE që e kanë pagën minimale më të lartë se Gjermania. Më të ulët pagën minimale e ka Bullgaria (1,72 euro), Letonia (2,54 euro), Rumania (2,68 euro), Hungaria (2,69 euro), dhe Kroacia (2,92 euro). Edhe këtu bëhet fjalë për pagë minimale bruto.
Nëse nuk je i punësuar me kontratë e detyrim tatimor page, por mbi bazën e honorarit, pra i vetëpunësuar, duhet të kujdesesh vetë për tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Këtu është e këshillueshme që të marrësh këshilla nga konsulenti tatimor, sepse deklarata tatimore është një nga gjërat më të vështira për t’u përgatitur në Gjermani.
Edhe diçka duhet ditur: Me autoritetet tatimore në Gjermani nuk bëhet shaka. E drejta ligjore tatimore në Gjermani është shumë e komplikuar, dhe vetëm një konsulent specialist mund t’iu ndihmojë për të ulur tatimet.
Më e lartë se mesatarja, më të ulta se rrogat në Zvicër
Pra a janë të larta pagat në Gjermani? Parë nga perspektiva e shumë vendeve europiane, ato janë nganjëherë dy herë ose më shumë më të larta, se në disa vende Europë. Në Shqipëri për shembull paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë është afërsisht 400 euro (Instat, 52.645 lekë, statistika për tremujorin e dytë 2019), ndërsa në Kosovë në vitin 2017 paga mesatare shënonte 527 euro (ASK). Në Kroaci paga mesatare shënon 870 euro, afër 6436 Kuna.
Pra nga statistikat del, se pagat në Gjermani janë më të larta se mesatarja europiane, por më të ulta se Zvicra, Luksemburgu apo Danimarka. Megjithatë numrat nuk të thonë gjithçka. Ato duhen parë në kontekst më të gjerë. Për shembull duhet ditur po ashtu, se në vitin 2017, shpenzimet mesatare mujore të një familjeje të zakonshme gjermane arrijnë 2.517 euro në muaj, ku mesatarisht 900 euro shpenzohen vetëm për qiranë e apartamentit dhe kostot anësore, dritat, uji, shërbimet bashkiake. Nëse ke edhe informacione të tilla shtesë, atëherë ndoshta mund ta kuptosh më mirë se si janë të ardhurat në Gjermani e çfarë të mbetet pas pagesës së tatimeve./DW
Të tjera
-
Radio Evropa e Lirë për Kurti 2: Qeverisje me duar jo edhe aq të pastra
Me premtimin se do ta luftojë korrupsionin dhe do të udhëheqë me duar të past...
-
Kurti ngushëllon për viktimat e sulmit në Gjermani: Populli i Kosovës solidarizohet me ju
Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar për viktimat e sulmit të mbrëmshëm me...
-
Vajton Vuçiq: Nuk e kuptoj dhe askush s’ma ka shpjeguar pse trupat ruse u larguan nga Kosova?
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë në televizionin ser...
-
Hykmete Bajrami: Qeveria Kurti s’e la asnjë shenjë positive për katër vite, dobët, shumë dobët
Deputetja e LDK-së dhe ish-ministrja, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Ku...
-
Reuters: Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin që hyri me veturë në tregun e Krishtlindjeve
Një 50- vjeçar me origjine nga Arabia Saudite me profesion doktor I cili ndod...
-
Psikiatër, ateist, urrente islamin dhe mendonte ta shpëtonte Gjermaninë – Ky është profili i sulmuesit në Gjermani
Sipas informacioneve të para, Taleb A., i dyshuari i arrestuar për sulmin në ...
-
Policia e Kosovës parandalon kontrabandën, kap një kamion me mallra nga Serbia
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se më 20 dhj...
-
Hynë ilegalisht në Kosovë, pesë shtetasit e Serbisë shoqërohen në Polici
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia policore kanë ndaluar një veturë...
-
Rritet numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani
Numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në një treg të Krishtlindjeve në qyte...
-
Partia gjermane që synon t’i fitoj zgjedhjet, AdD, dëshiron që Gjermania të dal nga BE
AfD, në pjesë të saj ekstremiste e djathtë ka deklaruar në manifestin e saj e...
-
Lehtësohet gjendja në pikëkalimet kufitare, pritja në kolonë deri në gjysmë ore
Kolonat e krijuara në pikat kufitare në Merdare e te Dheu i Bardhë mëngjesin ...
-
Izet Mexhiti thotë se e di vendndodhjen e Artan Grubit
Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti, ka deklarua...