Lajme

Rudina Hajdari kritikon ashpër Edi Ramën për “Ballkani i Hapur”

Autori: Gazeta inFokus 15:46 | 08 June 2022

Ish-deputetja e parlamentit të Shqipërisë, Rudina Hajdari ka kritikuar ashpër kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili po merr pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër.

Hajdari ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ku nismën e Ballkanit të Hapur e ka quajtur një propagandë të shëmtuar që nuk i shërben fermerit shqiptar, ndryshe nga sa deklaroi Rama.

“Ajo që Rama po bën me Open Balkan është pikërisht e kundërta. Ai po i siguron një ambjent edhe më të favorshëm fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të konkurruar edhe me bindshëm fermerin shqiptar”, ka shkruar ajo.

-Advertisement-

Gjithashtu, Hajdari ka thënë se duke ju dhënë qasje fermerëve të dy vendeve të tjera në Adriatik, pa tarifa e kosto, Shqipëria do t’ua lehtësojë edhe më shumë punën fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Madje ajo ka thënë se nisma Open Balkan po i shërben fuqizimit të mëtejshëm ekonomik të Serbisë dhe dobësimit të shqiptarëve, si atyre në Shqipëri dhe atyre në Kosovë.

“Ndaj nuk ka asnjë habi se përse Open Balkan merr mbështetje kaq të madhe nga Ministri i Jashtëm Rus Lavrov dhe sigurisht Presidenti i Serbisë Vucic. Në thelb kjo nisëm i shërben fuqizimit të mëtejshëm ekonomik të Serbisë dhe dobësimit të shqiptarëve, si atyre në Shqipëri dhe atyre në Kosovë”, ka shkruar ish-deputetja.

Hajdari tutje ka thënë se Rama është kryeministër që i shërben kujtdo përveç shqiptarëve.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera