Lajme

Rritja e rasteve me Covid-19 në Kosovë, ky është rekomandimi i OBSH-së

Autori: Gazeta inFokus 16:56 | 17 July 2022

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rritja e rasteve me koronavirus që vendi po përjeton së fundmi ka qenë diçka e pritshme, për shkak të grumbullimeve në masë.

Ajo thotë se OBSH-ja aktualisht nuk i sheh si opsion kthimin e maskave dhe kufizimeve të lëvizjes, por shton se qytetarët duhet të shmangin aktivitetet ku ka grumbullim të njerëzve, sikurse dasmat.

Në këtë intervistë ajo flet edhe për procesin e vaksinimit të qytetarëve të Kosovës kundër koronavirusit dhe tregon nëse shteti ka arritur synimet e vendosura për vaksinim.

-Advertisement-

Radio Evropa e Lirë: Zonja Humolli, ditëve të fundit vërehet se ka një rritje të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus në Kosovë. A mendoni se duhet të merren masa parandaluese në këtë kohë?

Isme Humolli: Ajo që është duke ndodhur në Kosovë është diçka e pritshme, duke pasur parasysh faktin që numri i rasteve me COVID-19 rritet në momentin kur shtohen aktivitetet e grumbullimit në masë. Jemi dëshmitarë të asaj se në momentin kur kanë filluar të organizohen ngjarje të ndryshme, atëherë edhe ka filluar edhe rritja e numrit të rasteve.

Ajo çka preferohet nga OBSH-ja është që t’i iket grumbullimit të njerëzve sidomos atyre që mund t’u iket, siç janë organizimet për ribashkime të mbrëmjeve të maturave, mundësisht edhe dasmave me një numër sa më të ulët të rasteve.

Kthimi i maskave dhe kufizimeve të lëvizjes për momentin nuk janë si opsion, si alternativë as nga OBSH-ja, e as nga shtetet e ndryshme. Por, jemi duke e vëzhguar situatën.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të ketë ndonjë masë parandaluese në këtë kohë kur ka një fluks më të madh të njerëzve nga mërgata në Kosovë?

Isme Humolli: Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e rikujtoi se në fuqi janë masat e vendimit të 30 prillit të vitit 2022 dhe në këtë vendim potencohet me saktësi cilat masa e njëkohësisht këto janë masat që t’i iket grumbullimit në masë. Domethënë që të jetë një numër sa më i kufizuar i njerëzve në ahengje dhe ngjarje të caktuara. Domethënë, ne si qytetarë duhet të respektojmë vendimin e tillë të Qeverisë.

Nuk është lehtë pas një periudhe dyvjeçare me maska dhe me masa tjera kufizuese, kur edhe u lehtësuan këto masa, që të kthehet sërish në fillim. Por, ajo se çka po vërehet tani, është që pasqyra klinike e sëmundjes te personat, të cilët janë të vaksinuar dhe nuk kanë sëmundje shoqëruese, është jashtëzakonisht e lehtë.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë rekomandim konkret nga OBSH-ja në këtë kohë?

Isme Humolli: Rekomandimi i OBSH-së që vlen për të gjitha shtetet është që vaksinimi të kompletohet dhe sa më tepër të përfshihen në vaksinim edhe me dozën e tretë dhe me dozën e katërt. Javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë miratoi dozën e katërt për qytetarët mbi 60 vjeç. Do të thotë, në njërën anë është vaksinimi, në tjetrën është ikja e grumbullimit në masë – po them kjo që edhe Kosova, edhe OBSH-ja kanë pritur një rritje të rasteve mu për shkak të grumbullimit në masë – domethënë vaksinimi dhe ikja nga grumbullimi në masë.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni procesin e vaksinimit në Kosovë? A mendoni se ka interesim më shumë apo hezitim?

Isme Humolli: Fatkeqësisht, nuk është hezitim, por është në natyrën njerëzore kur jemi në kushte të qetësisë t’i injorojmë disa masa. Në momentin kur veç numri i rasteve filloi të rritet, atëherë edhe numri i të vaksinuarve filloi të rritet.

Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë jemi duke përgatitur aktivitetin për shtator që të ngremë edhe më tej vetëdijen sidomos atyre komuniteteve, në përgjithësi po flas dhe të grupeve të popullatës, të cilat hezitojnë të vaksinohen. Të shohim tani. Mirëpo, kjo do të jetë – gjithmonë dhe në të gjitha shtetet ka ngritje dhe rënie sa i përket kërkesës për vaksinim – por, kjo është në natyrën njerëzore. Porse, po lidhet jashtëzakonisht shumë me rritjen e numrit të rasteve.

Radio Evropa e Lirë: Si tërësi, në Kosovë, a mendoni se është arritur një përqindje e kënaqshme e vaksinimit?

Isme Humolli: Kosova, në fillim, në bazë të strategjisë ka pasur vaksinimin e popullatës mbi 18 vjeç e tutje. Domethënë njëherë [vaksinimi] ka qenë me grupe të rrezikut, mandej e shtoi mbi 18 vjet etj.

Sipas OBSH-së, deri në qershor të këtij viti është dashur të arrihet 70 përqindëshi, të cilin Kosova për popullatën mbi 18 vjet e ka arritur. Ajo se çka çalon Kosova është për popullatën nën 16 vjeç. Një diçka që duhet ta kemi parasysh është ndërrimi i strukturës antigjenike të virusit. Domethënë, me rritjen e strukturës së virusit, paraqitjen e llojeve të reja të viruseve SarsCov2, atëherë automatikisht po rritet tendenca për rritje të numrit të rasteve. Kosova i ka arritur kriteret e OBSH-së, por nuk duhet të jemi të kënaqur. Duhet të vazhdojë vaksinimi edhe më tej mu për shkak të ndërrimit të strukturës së viruseve dhe paraqitjen e llojeve tjera të viruseve.

Radio Evropa e Lirë: A i shihni të përgatitura institucionet shëndetësore të Kosovës për një fluks eventual të të infektuarve me COVID-19?

Isme Humolli: Kosova, në qoftë se kthehemi në marsin e vitit 2020 dhe e krahasojmë me situatën e ditëve të sotme, ka bërë përparim jashtëzakonisht të dukshëm, qoftë në infrastrukturë, qoftë në trajnimin e stafit dhe personelit shëndetësor. Në qoftë se e bëjmë këtë krahasim, atëherë Kosova është e gatshme. Maksimumin e rasteve që e kemi pasur në pikun kur ka qenë virusi i egër Delta, ka qenë diku 1.400, kur kishte një mobilizim të tërësishëm të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Ajo se çka po ndodh në Kosovë, me largimin e personelit shëndetësor, kjo është një situatë, e cila duhet të vlerësohet, të bëhet vlerësim në periudha të ndryshme dhe në vazhdimësi se çka ka ndodhur Kosovë – ligjet në Kosovë shumë qartë e përcaktojnë atë që mjekët e rinj të sapo diplomuar kanë obligim ndaj shtetit, që duhet ta lajnë borxhin ndaj shtetit.

Po ashtu, me ligjet në fuqi të Kosovës është se mjekët që kanë specializuar, duhet t’i shërbejnë shtetit për 5 vjetët e ardhshëm. Dhe, këta pesë vjet janë të mjaftueshëm që të krijohet stafi tjetër, domethënë është i domosdoshëm të bëhet një vlerësim dhe të zbatohen ligjet në fuqi. Ajo se çka po ndodh në Kosovë, fatkeqësisht po ndodh globalisht – mjekët tanë po shkojnë në Gjermani, por edhe prej Gjermanisë po ikin dhe po shkojnë në shtetet tjera. Domethënë, është një situatë ku ndoshta po mendohet paksa në mënyrë më vetë-egoiste, ku secili po kërkon rehatinë e vet, për shkak se po e jep çështja e globalizimit. Por, Kosova duhet t’i zbatojë ligjet, të cilat janë në fuqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera