Lajme

Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKSHP del me rekomandime për qytetarët

Autori: Gazeta inFokus 10:44 | 05 April 2024

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me disa rekomandime për qytetarët, pasi që tani me rritjen e temperaturave, rritet edhe mundësia e pickimit nga rriqrat që janë bartës të virusit që i shkakton Ethet Hemorragjike.

Në njoftimin e IKSHP-së thuhet se pavarësisht faktit se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK, pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, institucionet e tre niveleve të kujdesit shëndetësor duhet të bëjnë me kohë përgatitjet meqë bëhet fjalë për një sëmundje endemike, por edhe vdekjeprurëse.

“Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngritën dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

-Advertisement-

Tutje thuhet se laboratorët e IKSHPK-së janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

IKSHPK u ka rekomanduar qytetarëve:

Të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;

Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë;

Të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut;

Të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre;

Nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore;

Të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe;

Të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë);

Të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi;

Të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.

IKSHPK bën thirrje te qytetarët që të kontribuojnë në përmirësimin e ekosistemit që nënkupton:

Të punohen të gjitha tokat e punueshme;

Të kositen livadhet me kohë dhe nga disa herë;

Të pastrohen kopshtet dhe pronat përreth shtëpive;

Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve;

Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë, ku nuk duhet të lihen këmbët e zbathura;

Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe në mbrëmje të kontrollohen (nga prindërit) për praninë ose jo të rriqrave në trupin e tyre;

Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës;

Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive.

Kujdes, pickimi nga rriqrat mund të jetë shumë i rrezikshëm. Parandaloni sëmundjen duke pasur kujdes!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera