Lajme

Rreziku nga mbetjet plastike, dështojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje

Autori: Gazeta inFokus 21:14 | 01 December 2024

Vendet e botës që po negocionin prej një jave në Korenë e Jugut për një traktat global për të frenuar mbetjet plastike nuk arritën një marrëveshje të hënën, pasi më shumë se 100 vende donin të kufizonin prodhimin e objekteve plastike, ndërsa një pjesë e vogël e shteteve prodhuese të naftës ishin të gatshëm të trajtonin vetëm problemin e mbetjeve plastike.

Takimi i pestë i Komitetit Negociator Ndërqeveritar të OKB-së (INC-5) që synonte miratimin e një traktati global ligjërisht të detyrueshëm në Busan të Koresë së Jugut, ishte parashikuar të ishte i fundit.

Por vendet kishin qëndrime të ndryshime lidhur me objektivin bazë të një traktati dhe arritën vetëm të bien dakord që të shtyjnë afatin për vendimet kryesore dhe të rifillojnë bisedimet, të quajtura INC 5.2, në një datë të mëvonshme.

-Advertisement-

“Është e qartë se ka ende mosmarrëveshje”, tha Inger Andersen, drejtoreshë ekzekutive e Programit të Mjedisit të OKB-së. Çështjet më delikate përfshinin kufizimin e prodhimit të plastikës, menaxhimin e produkteve plastike dhe kimikateve të lidhura me to, si edhe ndihmën financiare për vendet në zhvillim në mënyrë që ato të zbatonin traktatin.

Një variant i propozuar nga Panamaja, i mbështetur nga më shumë se 100 vende, parashikonte një plan për një objektiv global të reduktimit të prodhimit të plastikës, ndërsa një propozim tjetër nuk përfshinte vendosjen e një kufizimi të tillë të prodhimit.

Mospërputhjet ishin të dukshme në një dokument të lëshuar të dielën nga drejtuesi i takimit, Luis Vayas Valdivieso, i cili mund të përbëjë bazën e një traktati, por që përfshinte alternativa të ndryshme për çështjet më të ndjeshme.

“Një traktat që parashikon vetëm masa vullnetare nuk do të ishte i pranueshëm,” tha Juliet Kabera, drejtore e përgjithshme e Autoritetit të Menaxhimit të Mjedisit të Ruandës. “Është koha që ta marrim seriozisht dhe të negociojmë një traktat që është i përshtatshëm për objektivin dhe nuk është i destinuar të dështojë që në pikënisje.”

Një numër i vogël i vendeve që prodhojnë materiale petro-kimike, si Arabia Saudite, kanë kundërshtuar fuqishëm përpjekjet për të reduktuar prodhimin e plastikës dhe janë përpjekur të përdorin taktika procedurale për të zvarritur negociatat.

“Nuk pati konsensus në asnjë moment”, tha delegati i Arabisë Saudite Abdulrahman Al Gwaiz. “Ka disa lloj materialesh që në një mënyrë ose një tjetër arrijnë të përfshihen (në dokument) pavarësisht këmbënguljes sonë të vazhdueshme se ato nuk janë brenda objektivit.”

Kina, Shtetet e Bashkuara, India, Koreja e Jugut dhe Arabia Saudite ishin pesë vendet kryesore të prodhimit të polimerit në vitin 2023, sipas firmës konsulente Eunomia.

MOSMARRËVESHJE TË THELLA

Nëse do të ishin kapërcyer mosmarrëveshjet, traktati do të ishte një nga marrëveshjet më të rëndësishme lidhur me mbrojtjen e mjedisit që nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015.

Ngecja vjen vetëm disa ditë pas përfundimit të pasuksesshëm të takimit të nivelit të lartë COP29 për klimën në Baku, Azerbajxhan. Në Baku, shtetet pjesëmarrëse vendosën një objektiv të ri global për një financim global me rreth 300 miliardë dollarë në vit për të luftuar ndryshimet klimatike, një marrëveshje që konsiderohet thellësisht e pamjaftueshme nga shumë vende në zhvillim.

“Ky rezultat nënvizon kompleksitetin e trajtimit të ndotjes nga mjetet plastike në një shkallë globale dhe nevojën për diskutime të mëtejshme për të arritur një traktat efektiv, gjithëpërfshirës dhe të zbatueshëm,” tha Chris Jahn, sekretar i Këshillit Ndërkombëtar të Shoqatave Kimike (ICCA), që përfaqëson prodhuesit e materialeve plastike.

Prodhimi i plastikës pritet të rritet pothuajse trefish deri në vitin 2050 dhe copëza nga mikroplastika janë gjetur në ajër, produktet e freskëta dhe madje edhe në qumështin e gjirit.

Kimikatet e rrezikshme që gjenden në plastikë arrijnë në mbi 3200, sipas një raporti të Programit të Mjedisit të OKB të vitit 2023, sipas së cilit gratë dhe fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj rrezikshmërisë së tyre.

Pavarësisht shtyrjes, disa negociatorë theksuan urgjencën për t’iu rikthyer bisedimeve.

“Çdo ditë vonese është një ditë kundër njerëzimit. Shtyrja e negociatave nuk e shtyn krizën,” tha të dielën kreu i delegacionit të Panamasë, Juan Carlos Monterrey Gomez. “Kur të mblidhemi sërish, rreziku do të jetë më i madh.” /VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera