Lajme

Rrezikon Shqipëria Schengenin?

Autori: Gazeta inFokus 15:44 | 24 August 2017

Aida Hajnaj, drejtore për pikat kufitare e emigracionin në Policinë e Shtetit shpjegon pse Shqipëria po ashpërson kontrollet në kufi. Nuk ka njoftim zyrtar se Hollanda rikthen regjimin e vizave për shqiptarët, thotë ajo.

DW: Znj. Hajnaj, këtë muaj kanë hyrë fuqi masa të reja për të parandaluar dhe mos lejuar që shtetasit e Shqipërisë të kërkojnë azil në vendet e zonës Schengen, duke përfituar nga e drejta e lëvizjes së lirë në këto vende. Cilat janë këto masa për ta ndaluar azilkërkimin, që edhe pse është ulur në krahasim me pikun e tij në periudhën  vazhdon të ekzistojë?

Aida Hajnaj: Janë masa që shtojnë elementët e kërkesave për shtetasit shqiptarë që dalin jashtë territorit të vendit, elementë të përcaktuar në Kodin Schengen. Që prej një muaji ka hyrë në fuqi urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të forcuar kontrollin ndaj shtetasvë të Shqipërisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Urdhëri përmban kërkesa dhe kritere që duhen plotësuar prej kujtdo që del nga territori i Shqipërisë drejt vendeve të zonës Schengen. Kërkesat në këtë urdhër janë në përputhje me Kodin Schengen, që hyri në fuqi bashkë me miratimin e heqjes së vizave dhe lëvizjen e lirë.
Në këtë urdhër bëjnë pjesë kërkesa të tilla si paraqitja e biletës së udhëtimit vajtje- ardhje, garancia e pritësit, ftesa e biznesit, institucioneve të ndryshme të vendeve të zonës Schengen, shuma përkatëse financiare, e përcaktuar tanimë për secilin vend të zonës Schengen për të përballuar shpenzimet për ushqim dhe akomodim. Ka edhe një kategori tjetër shtetasish shqiptarë që janë të kthyerit nga vendet e zonës Schengen për shkak të shkeljes së afateve të qëndrimit në këto vende- pra të 90 ditëshit brenda 180 ditëve- për të cilët kemi kërkuar që të paraqiten pranë konsullatave të zonës Schengen në Shqipëri dhe të marrin vërtetime se nuk kanë probleme me ligjin në vendet nga ku janë deportuar. Pas kësaj procedure ata lejohen të udhëtojnë.

-Advertisement-

Po ata që udhëtojnë për arsye turistike?

Kur është fjala për turistë, përgjegjëse është agjencia turistike. Kemi komunikuar me Shoqatën e Agjensive të Transportit automobilistik nga Shqipëria drejt vendeve të BE dhe kemi këkuar që të njoftohen të gjithë  qytetarët që udhëtojnë përmes agjencive  të plotësojnë kriteret dhe rregullat që u përmenda më sipër. Masat nuk janë vetëm për sezonin turistik por do të vijojnë. Krahas urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka edhe një letër-porosi lidhur me forcimin e kontrollit për fëmijët e mitur, që për fat të keq braktisen nga shtetasit shqiptarë kur mbërrijnë në vendet e zonës Schengen dhe vetë fëmijët drejtohen në institucionet përkatëse dhe kërkojnë azil.

Çfarë parashikojnë masat e reja për fëmijët e mitur?

Në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterëve ka kritere te reja në deklaratën noteriale që lejon fëmijët e mitur të kalojnë kufirin nga Shqipëria drejt vendeve të zonës Schengen. Sa për ilustrim deklarata që fëmija i mitur lejohet të kalojë në pikat kufitare drejt vendeve të zonës Schengen duhet të nënshkruhet nga dy prindërit, fëmija duhet të jetë i shoqëruar nga një prind ose një anëtar i familjes. Po ecim mirë në parandalimin e kërkesave për azil dhe braktisjen e fëmijëve të mitur. Masat e reja parashikojnë ndjekjen penale të prindërve kur ata braktisin fëmijët e mitur në vendin e zonës Schengen ku kanë hyrë falë liberalizimit të vizave. Që kur masat e reja kanë hyrë në fuqi, në fillim të muajit Gusht, kërkesat për azil nga qytetarët shqiptarë që kanë hyrë në vendet e zonës Schengen janë pothuajse zero.

Si i keni shmangur rastet, kur një qytetar që nuk ka ndërmend të kërkojë azil në vendin drejt të cilit udhëton të mos lejohet te udhëtojë nga policia kufitare, pra të paragjykohet dhe t’i cënohet e drejta e lëvizjes së lirë?

Aida Hajnaj: Kemi marrë të gjitha masat që kjo të mos ndodhë. Punonjësit tanë të policisë kërkojnë në mënyrë rigoroze gjithë dokumentacionin e përcaktuar qartë në urdhërin e Drejtorit të Përgjjthshëm dhe intervistojnë shtetasit shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, sidomos ata, për të cilët dyshojnë se mund të udhëtojnë drejt vendeve të zonës Schengen për të kërkuar azil për motive ekonomike. Nga analiza e riskut që bëjnë policët në pikat e kufirit keqkuptimet, paragjykimet dhe moslejimi i udhëtimit të qytetarëve që plotësojnë kërkesat e Kodit Schengen janë shmangur tërësisht.

Nuk kemi asnjë kontestim nga qytetarët për zbatimin e urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe as për letër-porosinë lidhur me udhëtimin e fëmijëve të mitur. Qytetarët janë sqaruar nga policia kufitare në pikat e kalimit kufitar për ҫdo paqartësi. Shtetasit sa shkon dhe po ndërgjegjësohen më shumë që duhet të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë, nuk duhet të shkelin afatin e qëndrimit, pra 90 ditë brenda 180 ditëve, duhet të respektojnë  rregullat dhe të mos kërkojnë të punësohen në mënyrë jo ligjore.

Ndër vendet e BE, në zonën Schengen, Franca është bërë sivjet destinacioni i preferuar i azilkërkuesve nga Shqipëria, siç ishte Gjermania nga viti 2014-2016. Për të mos lejuar rritjen e fluksit drejt Francës autoritetet e larta të dy vendeve kanë arritur edhe një marrëveshje për angazhimin e policisë franceze në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri.

Si po ecën ky bashkëpunim? A keni shifra zyrtare sesa shqiptarë kanë kërkuar deri tani azil në Francë?

Aida Hajnaj: Presim që autoritetet franceze të na vënë në dispozicion shifrat e përditësuara të kërkesave për azil nga qytetarët e Shqipërisë. Ndërkohë është vendosur një bashkëpunim shumë i mirë me policinë franceze për të parandaluar që shtetasit shqiptarë të kërkojnë azil ekonomik në Francë. Bashkëpunimi synon parandalimin dhe ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë, qoftë në Shqipëri apo në Francë, që kërkesat e tyre për azil me motive ekonomike por edhe politike nuk janë legjitime përderisa Shqipëria është klasifikuar nga BE si një vend i sigurtë.
Vëmendje të posaçme në bashkëpunimin tonë me policinë franceze i kemi kushtuar goditjes së grupeve kriminale që përgatisin dokumenta të fallsifikuara dhe ua shesin shtetasve shqiptarë për të kërkuar azil në Francë apo vende të tjera të BE. Ndërkohë u kemi kërkuar zyrtarisht autoriteteve franceze të shkurtojnë sa më shumë që të jetë e mundur kohën e shqyrtimit të kërkesave për azil si edhe procedurat: që nga marrja e avokatit deri në ankimimin në gjykatat përkatëse franceze të refuzimit.

Në mediat e Tiranës është botuar lajmi që Hollanda ka kërkuar rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë. Keni njoftim zyrtar për këtë?
Aida Hajnaj: Nuk kemi asnjë kontestim zyrtar nga autoritetet hollandeze për shtetas shqiptarë që kërkojnë azil me motive ekonomike në Hollandë. Po kështu asnjë njoftim zyrtar për rikthimin e regjimit të vizave. /dw

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera