Lajme

Rreth 50 referues nga e gjithë bota në konferencën “Studimet albanistike në Itali”

Autori: Gazeta inFokus 06:59 | 22 October 2019

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot dhe nesër, organizon konferencën shkencore ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, në të cilën marrin pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA, Franca, Bullgaria, Greqia etj.

Këshilli organizues, të cilit i prin akademik Rexhep Ismajli, ka ftuar emra të njohur të këtyre studimeve dhe ka hartuar një program të pasur të konferencës, e cila do të zhvillohet në dy ditë, në gjashtë seanca dhe do të fillojë sot në orën 9:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Në vazhdimësi të dy konferencave të rëndësishme shkencore, Studimet albanistike në Amerikë, që u mbajt në vitin 2015 dhe Studimet për shqipen në vendet ku flitet gjermanisht, e realizuar gjatë 2017-ës, të organizuara nga ASHAK, pothuaj me distancë të njëjtë kohore, qe planifikuar edhe konferenca shkencore për studimet albanistike në Itali, me shumë interes jo vetëm për praninë e arbëreshëve, për kulturën, letërsinë dhe studimet albanologjike dhe albanistike, por edhe për rezultatet e shumë studiuesve italianë të gjuhës shqipe në radhë të parë, por edhe të letërsisë, antropologjisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

-Advertisement-

Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë përgatitur kuadro, pedagogë e studiues dhe që kanë realizuar projekte të rëndësishme studimi.

“Rezultatet që u arritën në dy konferencat e përmendura më lart, interesimi i madh i atyre që morën pjesë dhe rëndësia e kontributeve që u sollën, na shtojnë bindjen se edhe ky aktivitet, jo më pak i rëndësishëm se dy të parët, do të sjellë kontribute nga fusha të ndryshme të studimeve albanologjike dhe albanistike dhe do të finalizohet me botimin e materialeve, referateve, kumtesave dhe diskutimeve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve të Konferencës”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera