Rregullorja e lojës së futbollit, ja ndryshimet e rëndësishme nga 1 qershori
Autori: Gazeta inFokus 15:12 | 04 March 2019
Bordi Ndërkombëtar miratoi të shtunën në Skoci një seri ndryshimesh të rregullores, që do të hyjë në fuqi nga 1 qershori. Pas finales së Champions-it, që do të luhet në “Wanda Metropolitano” atë ditë, barrierat në rastin e goditjeve të lira mund të formohen vetëm nga lojtarët e të njëjtit ekip. Pra, lojtarët rivalë nuk do të lejohen më të jenë pjesë e të ashtuquajturit “mur”.
Po ashtu, ka edhe lajme të tjera të reja. Për shembull, me arbitrat. Deri tani, nëse topi përplaset në trupin e tyre dhe përfundon në rrjetë, goli quhet i rregullt. Që nga qershori, nuk do të jetë kështu. Nëse arbitri është brenda zonës dhe topi e godet atë para se të hyjë në rrjetë, ai e ndalon dhe lojën dhe topi i jepet portierit. Nëse ndodh jashtë zonës, ai kthehet tek ekipi i fundit që e shkelmoi (luajti) atë.
Përfundimi i Ligës së Kampionëve për sezonin 2018-2019 do të shënojë edhe fundin e shprehjes “portieri bëri statujën”. Kjo për shkak se portierët nuk do të kërkohet që t’i kenë të dyja këmbët në vijën e portës, në goditjen e penalltive. Do të jetë e mjaftueshme edhe nëse ata kanë njërën këmbë në vijën fatale.
Rregulli i topit me dorë do të përjashtojë “prekjen e pavullnetshme”, për aq kohë sa shërben për të shënuar një gol. Çdo gol që vjen si rezultat, ose kontakt i fundit me dorën, do të anullohet. Koncepti i “vullnetshmërisë” ka mbaruar. Gjyqtarët nuk mund të bëjnë më intepretime të tilla, me dashje apo pa vullnet, se prekja me dorë e ndryshoi apo jo drejtimin e topit etj.
Disa sqarime dhe rregulla të reja më tepër
Për kampionatet dhe kupat do të nisë nga korriku, ndërsa për “Euro U-21” në qershor. Për kualifikimet e “Euro 2020” rregullat e reja futen në fuqi që në mars, nëse miratohen edhe nga UEFA. Ja të gjitha risitë, një për një:
Rivënia e portierit dhe topi që luhet në zonë
Ishte një nga normat më “antisportive”. Mbrojtësi në vështirësi kishte në dispozicion një hile, kur merrte topin nga portieri në rivënie fundore dhe ndodhej në limitin e zonës, i mjaftonte një prekje përpara se të dilte nga 16 metrat për ta bërë të pavlefshëm presingun e sulmuesit kundërshtar. Arbitri ishte i detyruar të kthente pas rivënien fundore. Tani kjo ka ndryshuar.
Mbrojtësi mund të rrijë në zonë. Sapo portieri prek topin për ta pasuar, sulmuesi ka të drejtë të ndërhyjë. Sipas Pierluigi Collina, presidentit të Komisionit të Arbitrave në FIFA, “kështu nuk mund t’i jepet një avantazh i padrejtë mbrojtësit dhe përshtatet ndërtimi i lojës me topin në tokë, që praktikohet nga shumë skuadra”. Do të duhen mbrojtës më teknikë, përndryshe ky telash mund të kushtojë.
Zëvendësimi në vijën e fushës më të afërt
Mjaft më me humbjet e kohës për zëvendësimet e lojtarëve, që shkojnë drejt goditjes së këndit për të ngadalësuar lojën. Arbitri tashmë ka të drejtë të urdhërojë daljen nga zona më e afërt për të zëvendësuarin dhe nëse do të fillojnë kartonët e verdhë për ata që spekulojnë, nuk do të ishte aspak keq…
Kartoni i verdhë për trajnerët
Trajnerët që protestojnë, ose shkelin rregulloren, përjashtohen, por tashmë ka mbërritur dhe kartoni i verdhë. Me disa të verdha do të vijë dhe skualifikimi, njësoj si për lojtarët, ndërsa kartoni i kuq do të sjellë skualifikimin me një ndeshje.
Nuk ka më shqetësime në mur, distanca minimale një metër
“Nuk ishte një gjë e mirë, kur sulmuesi kundërshtar hynte në murin rival për të shqetësuar mbrojtësit dhe krijonte konfuzion”, – shprehet Collina. Këtej e tutje, kjo gjë do të jetë e ndaluar. Një lojtar kundërshtar mund të qëndrojë përpara, pas, ose në krah të murit, por vetëm nëse respekton distancën minimale prej një metri.
Penalltitë, portieri mund të rrijë me një këmbë në vijën fatale
Collina shpjegon: “Kjo është një risi, që fotografon realitetin, sepse është shumë e vështirë që një portier të qëndrojë i palëvizur mbi vijën e portës gjatë penalltisë”. Kështu vjen ndryshimi. Portieri mund të jetë në gjatësinë e një këmbe larg vijës, por me ndërhyrjen e VAR-it, nëse kjo distancë nuk respektohet, atëherë penalltia do të përsëritet.
Top i diskutueshëm? Jo, topi do t’i jepet atij që duhet ta luajë
Nuk do të ketë më top të diskutueshëm. Gjyqtari do ta luajë topin për atë që ka të drejtën e zotërimit, kundërshtari duhet të qëndrojë 4 metra larg.
Prekje vendimtare e topit nga gjyqtari? Jepet top i diskutueshëm
Nuk është aspak bukur, kur një gjyqtar, edhe në mënyrë të pavullnetshme, ia pason topin një lojtari, ose edhe bën gol. Tashmë, nëse prekja e gjyqtarit sjell një asist, një gol, ose një ndërprerje aksioni në favor të skuadrës tjetër, ndalet loja dhe luhet topi i diskutueshëm. Nëse situata ndodh në zonë, topi i kalon portierit.
Gol i pavullnetshëm me dorë? Anulohet
Në fakt, gjyqtarët e aplikojnë këtë rregull të pashkruar, por tashmë është bërë ligj. Nëse topi hyn në rrjetë, pas një prekjeje me dorë të paqëllimshme, nuk do të akordohet kurrë gol.
Faulli me dorë: i vullnetshëm dhe natyral
“Nuk është e vërtetë se e vullnetshmja nuk do të ekzistojë më”, – saktëson Collina. Vetëm se faulli me dorë do të kodifikohet në këto raste”
1) prekje e vullnetshme
2) pozicion jonatyral, edhe pse e pavullnetshme, kur krahu është në linjë me shpatullën, sipër shpatullave, ose larg trupit, pavarësisht distancës ndërmejt atij që gjuan dhe atij që prek me dorë. Një përjashtim: nëse dikush prek topin me dorë, pasi e ka gjuajtur vetë më parë, nuk është faull.
Faulli me dorë në sparkatë
Tjetër saktësim, kur një lojtar ndërhyn në sparkatë dhe prek topin me krah, ose dorë:
1) nëse e prek topin me krahun mbështetës dhe ky është i ngjitur me trupin, nuk ështe faull.
2) nëse krahu mbështetës është larg trupit, është faull.
3) nëse prek me krahun tjetër dhe ky është larg trupit, është faull.
Kartonët dhe avantazhi
Një skuadër që pëson një faull për të verdhë, ose për të kuq, mund ta ekzekutojë menjëherë goditjen e dënimit për të pasur me vete avantazhin e efektit befasi. Arbitri mund ta nxjerrë kartonin në fund të aksionit.
Portieri gjuan keq topin
Nëse portieri, duke luajtur topin me këmbë në një pasim nga shoku i skuadrës, e gjuan keq atë dhe topi mbetet në zonë, mund ta zotërojë pa qenë e nevojshme goditja me dy takime në zonë.
Të tjera
-
OSCE shprehet e shqetësuar që KQZ-ja s’e certifikoi Listën Serbe
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, ka shpre...
-
Parashikimi i motit për të martën
Për të martën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe pritet kohë pas kohe të ...
-
Limaj në Odën e Karadakut: Mes bashkëluftëtarëve, ndjeva një krenari të veçantë për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e Kosovës
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka qëndruar në Odën e Karadak...
-
Bedri Hamza në konventën e rinisë së PDK-së: Ne ofrojmë vizion e program për një Kosovë që u jep mundësi të rinjve
Të rinjtë e PDK-së e kanë mbajtur një konventë për t’i promovuar kandidatët m...
-
Krasniqi: LDK-ja feston 35 Vjetorin, trashëgimia e Rugovës do të mbijetojë përjetësisht
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka uruar 35 vj...
-
Dokument: Ministritë e Sveçlës dhe Gërvallës u pyetën nga KQZ-ja, por nuk dolën kundër Listës Serbe
KQZ-ja e ka dërguar në MPB dhe në MPJD listën me kandidatët për deputetë të L...
-
Rohde për moscertifikimin e Srpska-s: Është procedurë që nuk duhet të politizohet
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, duke komentuar moscertifiki...
-
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim e zhvillim të vendit
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Pa shenja jete është gjetur një person, sot në fshatin Veli Breg të Zubin Pot...
-
Dalin rezultatet laboratorike për mandarinat e Shqipërisë, AUV: Janë të sigurta për konsum
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në rezultatet laboratorike konfir...
-
KQZ çertifikoi një kandidat për deputet që ndodhet në Gjykatën Speciale!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar kandidaturën për deputet të I...
-
‘Po mbahet peng’: Grenell e shpërndan fjalimin e Ramës në Kuvend për Hashim Thaçin
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Richar...