Lajme

Rrëfimi për vrasjen e Ermal Kamberajt në Mitrovicë – flet vëllai i viktimës Shpëtimi

Autori: Gazeta inFokus 15:34 | 12 May 2017

Rasti i vrasjes që tronditi Mitrovicën, por edhe gjithë shtetin, javën e kaluar ende nuk është zgjidhur nga organet e rendit. Autori i krimit nuk është kapur, pos as arsyeja e vrasjes ende nuk është bërë e ditur. Ermal Kamberaj (24-vjeçar) u vra në vend të punës, në lokalin “Check In” në Mitrovicë. Për Gazetën Express ka folur vëllai i viktimës, Shpëtim Kamberaj, i cili ka thënë se nuk beson se drejtësia do e zgjidh këtë rast, pasi ka thënë se kanë pasur fakte të mjaftueshme që ta kapin deri tani vrasësin, mirëpo ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë

Familja dhe miqtë e Ermalit, e cilësuan atë si djalë shumë të qetë, gjithmonë të qeshur dhe i cili asnjëherë nuk ka pasur probleme me askënd.

Vëllai i të ndjerit, Shpëtim Kamberaj, ka rrëfyer ngjarjen për Gazetën Express, se si ndodhi vrasja e vëllait të tij të vogël, 24-vjeçarit, Ermalit.

-Advertisement-

Shpëtimi ka thënë se Ermali është vrarë në vend të punës, ku ka punuar për rezervime në lokalin “Check In” si menaxher.

“Ermali s’ka pas problem më askënd, e as unë personalisht. Ai ka qenë një djalë i qetë dhe tash motivi i vrasjes është duke u fshehur”, ka thënë ai derisa ka shtuar se janë spekulime pohimet se Ermali qenka vrarë gabimisht.

“…tash spekulojnë të gjithë këtu për shkak me e fshehë të vërtetën për interesa të tyre që veç ata i dinë… por, e vërteta do të dalë në pah shumë shpejtë”, ka thënë vëllai i të vrarit në Mitrovicë.

Shpëtim Kamberaj i ka thënë Expressit se vrasësi i Ermalit, dyshon se ka qenë nën ndikimin e alkoholit apo drogës, pasi ka thënë se beson se vrasja ka ndodhur vetëm për shkak të rezervimit të një tavoline.

Mirëpo, ai nuk beson se drejtësia në Kosovë do ta arrestojë personin që e kreu vrasjen, pasi tha se aty ku ka ndodhur krimi, “është vend i mbushur me kamera të sigurisë. Edhe pranë urës së Ibrit ka shumë kamera të sigurisë, e që deri tash kishin ardh deri te kapja e tij, por ende nuk ka asgjë”, ka thënë Shpëtim Kamberaj.

Gazeta Express ka kontaktuar me Prokurorin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nijazi Rexha, i cili po merret me vrasjen e Ermal Kamberajt, mirëpo ky i fundit nuk përgjigjur në pyetjet e dërguar nga redaksia, edhe pse ka qenë i informuar edhe përmes telefonit.

Vrasja e të riut ndodhi në natën e 5 majit rreth orës 21:30 në lokalin ku ai punonte si menaxher. Fillimisht u tha se Ermali u vra për shkak të një rezervimi të një tavoline, mirëpo ky version nuk është thënë zyrtarisht.

Ermali, dyshohet se u vra nga Sadik Bajrami, 38 vjeçar, nga Shipoli i Mitrovicës. Ai u qëllua me 3 plumba në kraharor.

Në një dokument të policisë, ku kanë shpallur në kërkim Sadik Bajramin, që dikur quhej Arton (e ka ndërruar emrin në Sadik), thuhet se i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur nga vendi i ngjarjes, kështu duke kërkuar nga qytetarët që nëse hasin në këtë person, ta lajmërojnë menjëherë njësitin e Hetimeve Rajonale në Mitrovicë.

Burime të Gazetës Express thonë se i dyshuari për vrasjen e Ermalit, tashmë ka ikur diku në Shqipëri, mirëpo ky informacion nuk është i konfirmuar edhe zyrtarisht.

Ndërsa, zëdhënësi i policisë në Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për Express se dorasi ende nuk është kapur dhe se hetimet janë duke u zhvilluar, për rrjedhën e vrasjes dhe kapjen e të dyshuarit.

Përmes një reagimi familja e Sadik Bajramit, të dyshuarit për vrasjen e Ermal Kamberajt, ka shprehur dhimbjen e tyre për veprën që dyshohet se e ka kryer familjari i tyre.

“Na si familje jemi të shokuar se çfarë ka ndodhur. Nuk kemi asnjë informacion më të voglin se si ka ndodhur ngjarja e as për çfarë ka ndodhur kjo ngjarje. Ndjejmë shumë dhimbje dhe na vjen shumë keq për këtë ngjarje”, thonë familja e të dyshuarit për vrasjen e Ermal Kamberajt.

“Familjes së të ndjerit i kërkojmë falje në emër të familjes tonë. Dorasi është në arrati, policia është e informuar për gjithçka, edhe për lëvizjet më të vogla. Na kishim qenë shumë më të kënaqur sikur të ishte kapur dorasi menjëherë ose sikur të kapet sa më shpejt dhe na kemi me bashkëpunu me organet e Rendit për gjithçka edhe besojmë që dorasi shumë shpejt do të kapet nga organet rendit. Neve do na i lehtësonin dhembjet nëse nuk na fyeni e shani, sepse babai 80 vjet e nëna 70 vjet nuk kanë faj në këtë problem… Jemi në një rrugë qorre e qe s’po dina se çka me ba, përveç se me kërku falje edhe me u deklaru se krejt familjarët jemi kundër këtij akti të tmerruar. Na dhemb shumë fakti që Ermali është i vdekur nga dora e djalit tonë”, thotë familja Bajrami.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera