Lajme

Rrạhja në Kuvend: Pas pajtimit për ndërmjetësim mes VV-së e PDK-së, hudhet poshtë aktakuza

Autori: Gazeta inFokus 11:35 | 14 September 2024

Në qershor të vitit 2023, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës ishin përfshirë në një përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës. Aty u shpërndan disa grushte, për të cilat të përfshirët dolën para gykatës, por vetëm në një seancë. Për shkak të pajtimit për ndërmjetësim në mes të të pandehurve nga VV-ja dhe PDK-ja, tash është hedhur poshtë aktakuza.

Betimi për Drejtësi raporton se Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë aktakuzën për rrahjen fizike në Kuvendin e Kosovës, ku u përfshin zyrtarë të Qeverisë Kurti dhe deputetë të PDK-së.

“HUDHET aktakuza e PTH-së në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, PP.II.nr.4413/23, të dt.24.10.2023 dhe PUSHOHET procedura penale kundër të pandehure B. B., M. L. dhe H. B., për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, për të pandehurin H. B. edhe për shkak të veprës penale Asgjësimi, apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë nga neni 185 par.1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në vendim.

-Advertisement-

Gjykata ka treguar edhe arsyen se pse erdhi deri te ky vendim. Sipas gjykatës, palët janë pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

“Andaj gjykata duke vepruar konform dispozitave nga neni 2 par.2 dhe neni 15 par.1 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009, më dt.02.09.2024, e aprovoi këtë marrëveshje pasi që të njëjtën e vlerësoi se është lidhur me vullnetin e plotë të palëve në konflikt dhe në pajtim me ligjin në fuqi, konform nenit 8 par.7 të Ligjit të Ndërmjetësimit, me datën e aprovimit nga Gjykata, përkatësisht nga dt.02.09.2024, kjo marrëveshje do ta ketë fuqinë e titullit ekzekutiv”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Çfarë kishte ndodhur në Kuvend?

Sjellim ndër mend që tensionet në Kuvendin e Kosovës eskaluan në përleshje mes deputetëve të opozitës dhe disa ministrave të Qeverisë së Kosovës gjersa kryeministri Kurti po mbante një fjalim. Gjatë fjalimit të Kurtit, Ganimete Musliu e kishte quajtur kryeministrin “rrenc”.

Më pas, njëra prej deputeteve e kishte vendosur një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hund të zgjatur”, që simbolizon gënjështrën. Pas disa sekondave, letra ishte larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Bislimi

Kjo e kishte acaruar deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja kishte eskaluar, ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty. Në pamjet direkte, shihej se deputetët ishin përleshur me grushta, derisa ka ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.

Para gjykatës dolën Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqaj dhe akuzoheshin për sulm dhe deputeti Beqaj akuzohej edhe për “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”, ngase pas gotidjes në drejtim të ministrit Hekuran Murait, syzet e këtij të fundit kishin përfunduar në dorën e deputetit të PK-së.

Siç kishte raportuar Nacionale nga seanca, palët u pajtuan që çështja të kryhet me negocim. Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se u dha si mundësi nga Gjykata që rasti të përfundojë me negocim.

“Gjykata e dha si mundësi të përfundojë më shpejt si procedurë, edhe këta në negociata janë të dobët, na jemi të fortë në ndërmjetësim kështu që…” – ishte shprehur Haxhiu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera