Lajme

Rikthehen furnizimet me energji elektrike dhe ujë në Kiev

Autori: Gazeta inFokus 10:55 | 01 November 2022

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se furnizimet me energji elektrike dhe ujë janë rikthyer një ditë pas sulmeve me raketa ruse në objektet ukrainase të energjisë.

“Furnizimet me ujë në Kiev janë rikthyer plotësisht”, ka thënë Klitschko duke falënderuar kompanitë që kanë punuar në këtë drejtim.

Klitschko ka thënë se edhe furnizimet me rrymë janë rikthyer, mirëpo ende ka me raste ndërprerje, për shkak të dëmit të madh.

-Advertisement-

Ka disa javë që Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën ukrainase të energjisë, dhe ndërtesa tjera civile, me raketa, dronë dhe sulme artilerie, teksa ushtria ukrainase zgjeron kundërofensivën në lindje dhe juglindje.

Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sistemi ajror ukrainas ka bërë punë të mirë në rrëzimin e shumicës së raketave që janë nisur drejt hapësirës ajrore të Ukrainës.

“Forca jonë ajrore, dhe secili që është përfshirë në mbrojtjen e qiellit, ka bërë punë të mirë sot”, ka thënë Zelensky në orët e vona të 31 tetorit.

Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë thënë se meqë Kremlini është duke dështuar në përmbushjen e synimeve në luftën e nisur tetë muaj më parë, ushtria ruse po tenton, secilën herë e më shumë, që të terrorizojë dhe demoralizojë popullsinë ukrainase.

Rusia deri më tani ka shkatërruar më shumë se 40 për qind të infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Ndërkohë në Moskë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se do të pezullohen të gjitha aktivitetet e mobilizimit të pjesshëm ushtarak.

Sipas deklaratës, prej tani njësitet ushtarake do të pranojnë vetëm vullnetarët dhe kontraktorët.

Megjithatë, në deklaratë është thënë se ky vendim nuk përbën dhënie fund të mobilizimit të pjesshëm, të cilin e ka dekretuar presidenti rus, Vladimir Putin në shtator.

Diçka e tillë mund të bëhet vetëm me një tjetër dekret zyrtar të Putinit.

Prej shpalljes së mobilizimit, qindra mijëra rusë kanë ikur prej Rusisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera