Lajme

Rexhepi: Institucionet publike të punësojnë së paku nga një person me aftësi të kufizuara

Autori: Gazeta inFokus 12:02 | 03 December 2021

Në Ditën Ndërkombëtare të personave me Aftësi të Kufizuara Zyra e Kryeministrit ka organizuar konferencën “Mundësi të barabarta për të gjithë”.

Me këtë rast u tha se shpallja e vitit 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara nga Qeveria e Kosovës është bërë me qëllim të mobilizimit për një Kosovë që ofron mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë. Derisa u theksua nevoja që në çdo institucion të nivelit qendror apo lokal të punësohet së paku nga një person me nevoja të veçanta.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi u shpreh se si qeveri synojnë që ta zbusin sado pak kriteret infrastrukturore dhe diskriminuese që askush të mos ndihen i hendikepuar.

-Advertisement-

Ajo tha se ka kërkuar edhe nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal që të punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara.

“Kryeministri, Albin Kurti jep gjithçka nga vetvetja që personat me invaliditet të ndihen të njëjtë dhe të zbusim pak a shumë kriteret infrastrukturore dhe diskriminuese në çdo bazë që ju mos të ndiheni të hendikepuar. Si qeveri kemi ndërmarrë shumë aktivitete të rëndësishme që të ndodh kjo dhe unë kam kërkuar personalisht tek të gjitha ministritë në nivel qendror dhe lokal që të punësojmë së paku nga një person në të gjitha institucionet në mënyrë që të japim hapësirë dhe t’i respektojmë ligjin dhe t’i japim hapësirë që njerëzit e rinj që kanë kryer fakultetin të punësohen në ato institucione”, u shpreh Rexhepi.

Rexhepi tutje u shpreh se Qeveria e Kosovës ka për qëllim të krijojë një rrugë të drejtë për një Kosovë pa pengesa për të gjithë.

“Shpallja e vitit 2022 si vit i Personave me Aftësi të Kufizuara, Qeveria e Kosovës ka për qëllim që të mobilizojë burimet e saj në mënyrë që të krijohet një rrugë e drejtë për një Kosovë pa pengesa për askënd pa marrë parasysh gjininë, përkatësinë kombëtare, gjuhën që flet, dhe prejardhjen dhe racën e tyre. Mendojmë që vizioni ynë, i qeverisë sonë të re ka për qëllim që të ofrojmë mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë për të gjithë dhe janë akterë të vërtetë dhe të marrin pjesë në shoqërinë tonë“, theksoi ajo.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini tha se në vitin 2022 synojnë që të jenë aktiv dhe të realizojnë të gjitha aktivitet e parapara në kalendarin e buxhetor të Qeverisë së Kosovës.

Hajredini tha se tashmë Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe planin e veprimit për periudhë tre-vjeçare për personat me aftësi të kufizuara ku janë përfshirë prioritet kryesore.

“Qeveria në të njëjtën kohë ka miratuar kalendarin e aktiviteteve që të gjithë dikasteret e ministrive dhe të strukturave të tjera qeveritare do të punojnë gjatë vitit 2022 në të gjitha specifikat që përfshijnë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, punësim, qasje në parandalim dhe luftim të diskriminimit… Ne, si Qeveri e Kosovës synojmë gjatë vitit 2022 të jemi shumë aktiv me të gjitha dikasteret e ministrive po mendoj në nivel qendror dhe lokal për të realizuar të gjitha aktivitetet që kemi paraqitur në kalendarin për vitin 2022 sepse është një zotim jo vetëm në letër por është një konfirmim dhe zotim edhe në aspektin buxhetor se këto aktivitet janë të kapshme dhe të realizuara nga ana e institucioneve”, tha ai.

Më 30 nëntor në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri, Albin Kurti vitin 2022 e ka shpallur vit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera