Sport

Revolucioni i Xavit, 5 emrat që duhet largohen nga Barça në janar

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 21 December 2021

Momenti i së vërtetës po afron, Xavi duhet të fillojë të rindërtojë skuadrën, që e gjeti krejtësisht të çekuilibruar pas largimit të holandezit Ronald Koeman. Sfidë e re është gjetja e përforcimeve të duhura, por për ta bërë këtë duhet të çlirojë organikën nga disa elementë që nuk shihen si kontribues të përshtatshëm për të ardhmen. Në këtë kontekst, janë pesë lojtarë që Xavi nuk i ka në planet e tij.

I pari që duhet të gjejë një destinacion të ri është Luuk de Jong, i huazuar në verë nga Sevilla, por që rezultoi dështim që në muajt e parë, aq sa tani stafi i Barcelonës mezi pret ta largojë, për të kursyer pagën që merr. Edhe pse nuk vihet në diskutim sjellja e tij profesioniste në stërvitje, në ndeshjet zyrtare ka treguar se nuk orientohet dot në lojën e Barcelonës dhe kjo u pa sidomos në sfidën me Osasunën, ku luajti gjatë gjithë kohës, por pa asnjë impakt në rezultat. Edhe një lojtar i ri si Ferran Jutglà është në një pozicion më të favorshëm në hierarki.

Serginho Dest u ble nga Ajaxi me idenë se do të ishte Dani Alvesi i ardhshëm, por performanca e tij me ulje-ngritje, edhe nën drejtimin e Koemanit, tregoi se nuk është i atij niveli që pritej. Me emërimin e Xavit, minutat e tij në fushë janë reduktuar më shumë, kështu që në janar zgjidhja më e mirë për të do të ishte huazimi ose shitja përfundimtare për 15 deri 20 milionë euro.

-Advertisement-

Yusuf Demir gjithashtu është një futbollist i ngelur në klasë. Nëse luan edhe 10 ndeshje me Barcelonën, klubi katalan do të duhet t’i paguajë 10 milionë euro Rapidit të Vjenës, që zotëron kartonin e tij. Opsioni më i mirë është ndërprerja e huazimit që në janar.

Philippe Coutinho është rasti më flagrant, lojtari me pagën më të lartë në skuadër, gati 22 milionë euro dhe nuk është titullar. Konsiderohet një nga fiaskot e mëdha në historinë e klubit, i blerë me bujë të madhe nga Bartomeu për gati 130 milionë euro. Me një kontratë deri në vitin 2023, tani sulmuesi brazilian është problem serioz për klubin.

Samuel Umtiti është viktimë e gabimeve të tij. Kokëfortësia për të mos operuar gjurin e majtë tre vjet më parë e ka çuar atë në qorrsokak. Nga një prej figurave më të rëndësishme në skuadër, ai është aktualisht qendërmbrojtësi i fundit në hierarki. Barcelona mezi pret të ndërpresë kontratën me francezin, që e ka mbyllur prej kohësh ciklin te “blaugranat”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera