Lajme

Reporteri Paul Refsdal tregon se si xhiroi pamjet ekskluzive të luftës në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 20:14 | 26 July 2023

Ish-reporteri i luftës, Paul Refsdal, ka rrëfyer ekskluzivisht në Klan Kosova për ngjarjet e luftës në Kosovë.

Në një intervistë me gazetaren Rina Mujku, ai ka dhënë detaje rreth vështirësive të të raportuarit në gjendje lufte si dhe detaje të çastit kur është plagosur nga forcat serbe.

Madje për ngjarjet që dëshmoi gjatë qëndrimit në Kosovë, reporteri norvegjez është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për të dëshmuar në procesin që po zhvillohet ndaj katërshes Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por nuk ka pranuar të jetë pjesë e një procesi dhe gjykate të cilën e konsideron më tepër politike se sa institucion të mirëfilltë të drejtësisë.

-Advertisement-

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

– Pse dhe si vendosët të vini në Kosovë, si dëgjuat për atë që po ndodhte në Kosovë?

Të gjithë dëgjuan çfarë po ndodhte në Kosovë kur serbët masakruan familjen e Adem Jasharit, unë kam qenë edhe në Bosnje gjatë luftës andaj e dija se çfarë mund të ndërmerrnin serbët, e kur kosovarët po luftonin kundër serbëve, ishin në anën e drejtë të historisë, po luftonin një luftë të drejtë.

– Si erdhët brenda, dëgjuat për masakrën e Jasharëve, çfarë bëtë pastaj?

Unë kontaktova me shqiptarët e Kosovës në Norvegji, ata kishin një fondacion përmes së cilit mblidhnin para dhe ju thashë se dua të shkoj atje dhe të xhiroj. Kështu ata e aranzhuan udhëtimin tim për në Kosovë nga Shqipëria. E dini se kishte disa grupe të rinjsh që vinin nga vende të ndryshme të Evropës, trajnoheshin disa orë për ta përdorur kallashnikovin dhe vinin brenda Kosovës për të sjellë armë dhe municion.

– Pra ju keni ardhur bashkë me ata ushtarë në Kosovë?

Po, po.

– A xhiruat ndonjë gjë përgjatë rrugës?

Jo, dhe le të themi se këta nuk ishin as ushtarë për të qenë, ishin disa të rinj që kishin mbajtur vetëm 2 orë trajnim, dhe ne hymë brenda nga Zona e Pashtrikut ku u zumë në pritë nga policia kufitare e Serbisë apo si i quanin forcat speciale dhe më plagosën.

Njëri nga burrat që mori çantën time nuk mundi ta bartë më dhe e groposi. Pra mbeta edhe pa kamerën time, edhe i plagosur, brenda Kosovës.

U evakuova menjëherë, u deshën 3-4 orë deri sa arritëm në një spital, në Kosovë, ishte një spital fushor, një shtëpi private që ishte kthyer në spital, diku në Malishevë ku qëndrova për disa javë dhe pastaj më zhvendosën në Likoc. Atje ishte një spital tjetër fushor. Kështu përgjatë ofensivës serbe kalova 3 muaj e gjysmë në Kosovë gjatë 98’ës, na u desh të zhvendosemi nga Likoci për në Gradincë, pastaj u kthyem sërish në Likoc, në Abri. Pra ishte vërtetë kohë e vështirë asokohe, afër vjeshtës së 98’ës, serbët sulmonin vazhdimisht, zonat e UÇK-së veç sa tkurreshin dhe në fund të qëndrimit tim, diku në shtator, çdonjëri që e njihja që ishte pjesë e UÇK-së ishte brenda së njëjtës shtëpi,… Gjarpri, Qopa, gjithë këta njerëz, komandantë që njihja ndodheshin brenda një shtëpie sepse zona po tkurrej.

– Po i referoheni si komandantë. A i thërriste gjithsecili brenda asaj shtëpie në Likoc komandantë këta individë? Pra, po flasim për presidentin Hashim Thaçi?

Epo unë e dija që ai ishte i rëndësishëm, atëherë nuk e kam ditur që ai ka qenë një lloj lideri i UÇK-së. Asokohe, kontakti që kisha ndër udhëheqës, ishte me Lulin, Kadri Veselin. Pastaj ai shkoi në Shqipëri… epo, ishte diku herët, mendoj se ka qenë në fillim të muajit Gusht. Mbaja një ditar, shkruaja me dorën e majtë ngaqë të djathtën e kisha të plagosur, prandaj kam disa shënime që kam marrë gjatë atyre ditëve ku i kam edhe datat e sakta, por tani nuk është se më kujtohet saktë.

– A ju kujtohet kë tjetër patë apo takuat brenda? Pra ata për të cilët zbuluat tek pas luftës se ishin njerëz të rëndësishëm në luftë?

Po, po, gjatë 98’ës, kam kuptuar se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi ishin ndër liderët, pra e dija se ishin të rëndësishëm, e kam takuar edhe Adem Demaçin, në Likoc. Nuk kam mundur të lëviz në Prishtinë apo gjetkë, sepse nëse e lija zonën që kontrollohej nga UÇK-ja do të arrestohesha nga serbët. Atëherë ata kishin dalë edhe në një konferencë shtypi ku më quanin terrorist ndërkombëtar, kinse qeveria serbe ka hetuar dhe ka zbuluar se isha terrorist, mund ta imagjinoni se do të arrestohesha e do të gjykohesha nëse lëvizja drejt Prishtinës.

– Ju u plagosët nga forcat serbe, a ua morën pastaj kamerën? Çfarë ndodhi?

Ata e gjetën kamerën, por unë as nuk e kisha përdorur atë, nuk pata mundësi ngase u plagosa. Vetëm e pata testuar pajisjen në shtëpi, kisha fotografuar gruan time, asaj i pata kërkuar të hiqte bluzën por nuk e kishte bërë, ajo ishte e vetmja gjë në kamerë, dhe mendoj se UDB-ja serbe u zhgënjye kur gjeti vetëm fotografi të gruas time aty.

– Dhe si ia dolët të gjeni një pajisje tjetër për të punuar?

Epo e pyeta Lulin, i thashë se unë jam i plagosur por megjithatë jam ende gazetar dhe dua të punoj. Ai ma huazoi aparatin e tij, kisha ca para për të blerë filma të kamerës ngaqë s’kishim kamera e aparate digjitale, kështu me aparatin e huazuar ia dola të shkrep disa fotografi nga ngjarjet e 98’ës.

– Me aparatin e Kadri Veselit? A e mbani akoma?

Jo, nuk e kam më. Pas Kosovës u ndala në Tiranë ku e takova dhe ia ktheva aparatin, i zhvilluam filmet, ai i mbajti disa kopje për vete dhe kështu.

– Por në çfarë muaji filluat të punoni pasi u shëruat?

E keni fjalën me video-aparat?

Pjesa më zbavitëse është se serbët morën valixhen time, gjithë pajisjet dhe ia dorëzuan ambasadës norvegjeze në Beograd. Më pas ambasada e nisi çantën tek familja ime. Familjarët e pranuan një pako të përgjakur me plot vrima, dhe brenda ishte kamera ime bashkë me një letër ku serbët kishin shkruar gjithë çfarë kishte brenda pakos, kamera Phanasonic, letër toaleti, furçë dhëmbësh, çdo gjë. Ai aparat kishte ca prishje por gjithsesi punonte, kështu që në 99’ën, pas operacionit të fundit në këmbë, u ktheva sërish në Kosovë për të filmuar UÇK-në. Kjo pasi paraprakisht kisha qëndruar për rreth 3 muaj e gjysmë në 98’ën, isha plagosur më 15 qershor dhe  isha kthyer më 1 tetor.

– E kur u kthyet sërish në 1999?

Në 99’ën u riktheva vetëm 1 javë para bombardimeve të NATO-s. U ndala në Tiranë, dhe më kujtohet që gjatë një takimi me miq që kisha takuar në atë spitalin fushor, edhe ata po qëndronin në Tiranë, u takuam për darkë, dhe dikush erdhi na tha se NATO do të fillojë bombardimet. Ishte, e dini, e dija se duhet të kthehesha sërish nga veriu i Shqipërisë dhe të xhiroja UÇK-në.

– E dinit që NATO do të bombardonte?

Jo nuk e dija, por secili po shpresonte se ato bombardime do të ndodhnin, unë madje isha pesimist, gjithë kohën thosha se ajo nuk do të ndodhë…

Pastaj, nga aty shkova në Krumë në Shqipëri, qëndrova në një kamp trajnimi, pastaj në Koshare. Aty filmova luftimet që po bënte UÇK-ja, si po merrte avantazhin në atë zonë, ndonëse shumë ngadalë. Gjithsesi ajo nuk ishte rruga që duhet të ndiqja për të shkuar sërish në Drenicë. Dikush nga kontaktet në UÇK më tha të shkoja nga Maqedonia. Prej atje eca deri në Kleqkë, në maj të 1999.

– A i bie kjo që atë kohë arritët të dëshmoni shumë masakra?

Jo krejt ashtu. E dini, gjatë luftimeve nuk sheh masakra, dëgjoje njerëz që vinin dhe tregonin për tmerret dhe masakrat por nuk shkoje dot deri në brendi të fshatit sepse atje ishin tashmë serbët. Në fillim vetëm dëgjonim, e pas përfundimit të luftës mund të shkonim nëpër ato vende dhe të xhironim.
Gjithandej shihje shtëpi të djegura, të shpuara nga plumbat, shihje shenja sikur të organizoheshin festa me pjekje mishi gjithandej, shihje trupa grash, fëmijësh, masakra brutale.
Filmova edhe në Poklek. Zona ku nuk kishte mbetur më asgjë, serbët kishin djegur gjithkë brenda shtëpisë, krejt çka gjeje ishte ndonjë lugë e mbetur, diçka e tillë.
Pastaj shumë njerëz që kërkonin gjithandej për trupat e familjarëve. Serbët përdornin edhe këtë taktikë, kur i varrosnin trupat u gjuanin trupave edhe lopë të ngordhura sipër që trupat mos të gjendeshin.

– Në cilin medium u transmetuan pamjet e tua së pari?

Në 99’ën isha freelancer për CNN. Ata raportuan për disa raste bazuar në filmimet që kisha bërë unë. Pra ju tregova për masakrën afër Malishevës. Ia pata treguar ato pamje Christianne Amanpour, pastaj shkuam sërish atje bashkë, ajo ishte me kameramanin e saj, dhe më pas i mori pamjet për raportim.

– Cila pjesë nga ajo periudhë ishte më prekëse, apo më e tmerrshme që të ndjekë kudo?

Padyshim që masakrat. Kur e sheh skeletin e një foshnje 3 muajsh, ju lutem më thoni kush e vret një foshnje 3 muajsh, s’mund ta kuptoje brutalitetin e serbëve në atë kohë. Kur isha brenda zonës në Kleqkë, edhe brenda zonave të refugjatëve, ishte interesante dhe historike të filmoja sepse dokumentimi i asaj ngjarje, i të treguarit se çfarë po ndodhë ishte shumë e rëndësishme.

– Kur e kujtoni tani kohën e luftës, çfarë ju vjen ndërmend së pari, është interesante ta dëgjojmë këtë nga ju duke qenë dëshmitar i shumë luftërave, pra diçka që s’e keni parë në luftëra tjera?

Ajo çfarë kam parë në Kosovë e që nuk e kam parë e që nuk e kam parë në luftëra tjera është fitorja. Zakonisht kryengritësit nuk fitojnë, zakonisht lufta zgjatë për shumë e shumë vite she nuk ka fitues, por kosovarët bënë edhe sakrifica të jashtëzakonshme edhe ishin me fat, për shkak se NATO ishte në anën tuaj. Të shihja fitoren, ishte emocionuese për mua, takimi mes të mbijetuarve që ktheheshin nga malet dhe takoheshin me UÇK-në ishte shumë e fuqishme, e mahnitshme.

– Në çfarë mendoni se keni pasur më shumë ndikim në atë kohë?

Të jem i sinqertë ndikimi më i madh që kisha ishte që për shkak të plagosjes time qeveria norvegjeze pati punë me qeverinë e Serbisë pasi kërkonin që të më lejohej kthimi. Dhe në atë kohë ministri i jashtëm Z. Volobeck, ai mësoi fytyrën e serbëve, duke pasur punë me ta e me gënjeshtrat e tyre, një ditë që thoshin se është i lirë e tjetrën se ai nuk del dot, Norvegjia e pa si sillen ata.

– Nuk e di nëse po e ndiqni procesin gjyqësor që aktualisht po zhvillohet në Hagë, kundër atyre që ju i përmendët me emra e nofka gjatë kësaj interviste, Gjarpri, Luli, çfarë mendoni për të?

Mendoj që, epo, ka qindra në mos mijëra kriminelë serb që ecin lirshëm në Kosovë dhe Serbi, dhe pastaj ata atje i akuzojnë disa individë të UÇK-së sepse, epo nuk i pastruan duart pasi dolën nga toaleti apo diçka e tillë. Mendoj se është më tepër një shfaqe politike se sa një gjykim i drejtë.

-Po për zinxhirin komandues, çfarë mbani në mend?

Duhet të kujtoheni se, shumë njerëz as nuk besonin se UÇK-ja ekzistonte deri në masakrën e familjes Jashari, prandaj, mund të kishin qenë qindra njerëz që flinin natën me nga një pistoletë nën kokë, dhe brenda javësh supozohet se ata u shndërruan në një ushtri të konsoliduar. Nuk mund të bësh ushtri në aq pak javë, nuk ka mundësi. UÇK-ja kishte probleme të theksuara me disiplinën, struktura komanduese nuk ishte e mirë. Kam folur me Lulin gjatë një ofanzive serbe në Rezallë dhe Likoc, dhe ai më thoshte se u ka thënë disa burrave ta ruanin atë rrugë por asnjëri se kishte dëgjuar. Kjo do të thotë se njerëzit që po akuzohen tani nuk e kishin komandën mirëfilli siç supozohet të jetë në një ushtri. Ka pasur raste kur ushtarët i janë bindur komandës kur kanë dashur, e kur nuk kanë dashur kanë vepruar sipas kokës së tyre.

– Ju jeni ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të dëshmuar në këtë proces?

Po, sepse… I pyeta pse dhe ata deshën që unë të dëshmoj në llogari të Prokurorisë sepse ata lexuan librin tim, aty tregohet se UÇK-ja kishte një telefon satelitor e gjëra të tilla, e për një gazetar, të qenit pjesë e dëshmitarëve të prokurorisë për detaje të tilla, unë nuk do të jem pjesë e saj, nuk ka kuptim. Ju thash jo, më vjen keq. Nëse do të kishin ndodhur vërtetë krime lufte dhe unë do t’i kisha qenë dëshmitar i tyre nuk do të hezitoja, por të dëshmoj për gjëra koti si ajo që Luli kishte një telefon satelitor? Nuk do të jem pjesë e saj.

-A do të bëheshit dëshmitar për llogari të mbrojtjes?

Kam folur, epo nëse mbrojtja mendon se unë mund të kontribuoj duke treguar se si ishte UÇK-ja asokohe… por sikur thashë nuk do të jem dëshmitar në proces për të treguar se një komandant kishte një telefon. Kur dëgjova së pari herë për akuzat që mbështeteshin në librin e Carla del Pontes për trafikimin e organeve, mendoja si ka mundësi që të ndodhë ky budallallëk? Kjo është marrë seriozisht për vite me radhë e UÇK-ja nuk kishte kapacitete as për trajtim të duhur të të plagosurve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera