Lajme

Reçica: Brenda nëntorit miratohet kontrata kolektive

Autori: Gazeta inFokus 14:48 | 21 November 2018

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka raportuar para Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative; Projeksionet buxhetore të MPMS-së për vitin 2019; Zbatimin e Ligjit për personat e dhunuar gjatë luftës dhe reformat në sistemit pensional në Kosovë.

Kryesuesja e komisionit, Besa Baftiu tha se MPMS-ja si bartëse e buxhetit për skema sociale dhe pensione është ministria me buxhetin më të madh për vitin 2019, sepse 26% e buxhetit të institucioneve qendrore shkon për MPMS-në, raporton Ekonomia Online.

“Në agjendën legjislative ne si MPMS kemi paraparë t’i sjellim në parlament 7 projektligje dhe një plotësim-ndryshim, ligji për skema pensionale kufizon të drejtat e disa kategorive në mënyrë jo të drejtë. Ne kemi identifikuar me kohë dhe filluam plotësim-ndryshimin e nenit përkatës, shembull pensionisti kontributpagues nuk ka të drejtë me përfitu kontribut tjetër nga skema që menaxhohet nga MPMS dhe ne erdhëm në përfundim se kjo është një padrejtësi. Një personi të dalë nga lufta do të ishte padrejtësi për ta dhe ne e procesuam në qeveri këtë plotësim ndryshimi të ligjit dhe kjo nuk u rendit në mbledhje të qeverisë për shkak të implikimeve buxhetore që pamundësuan plotësim ndryshimin e ligjit”, tha ministri Skënder Reçica gjatë raportimit në komision.

-Advertisement-

“Buxheti tashmë që është në parlament për vitin e ardhshëm për MPMS planifikohet të jetë 465.8 milionë euro. Në krahasim me vitin e kaluar, buxheti i MPMS-së planifikohet të rritet për 57 milionë euro apo 14%”, tha ai.

Reçica foli për njohjen e viktimave të luftës dhe personave të dhunuar në luftë. Sipas tij, procesi i njohjes së këtyre viktimave ka qenë shumë i gjatë dhe i vështirë.

Reçica përmendi projektligjin unik për sigurime sociale apo fondin për sigurime sociale, i cili, sipas tij, do të bëhet në baza ndërkombëtare në 4 shtylla, siç janë: pensioni i pleqërisë, pensioni para viteve ‘99 për pensionet e kategorive të dala nga lufta, pensionet e TMK-së dhe lehonat e papuna, raporton EO.

“Kemi 22 skema sociale që financohen nga shteti i Kosovës. Kosova nuk ka arritur me konsolidu një sistem të sigurimeve sociale dhe sigurimi i plotë është baza e një platforme sociale të një vendi ku ka drejtësi sociale të mirëfilltë dhe për këtë arsye ne kemi identifikuar problemet që ballafaqohemi si vend, ka një mungesë të plotë të sistemit të sigurimeve sociale, ka mungesë të ligjit bazik, ka mos-harmonizim të skemës sociale, ka pamjaftueshmëri financiare, ka presion të kërkesave urgjente në përfshirjen e mbrojtjes së skemave sociale, ka strukturë joadekuate të administratës, të gjitha këto kanë bërë që në koncept dokument për reformën hapi kryesor që ne do të bëjmë është fillimi i instalimit të sistemit të sigurimeve sociale në vend”, tha ai.

Fatmire Kollçaku tha se moszbatimi i kontratës kolektive është një problem i madh pasi që shumë punëtorë të sektoreve private punojnë pa kontratë dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë, raporton EO.

“Vonesa që këtë vit nuk keni arritë me përmbush agjendën legjislative, nëse e keni si prioritet reforma e sistemit pensional është urgjente me ndodhë, moszbatimi i kontratës kolektive është problem i madh në sektor privat, pothuajse askush nuk ka kontratë që është mbi 6 muaj dhe shumica e tyre punojnë pa kontrata dhe punëtorët që vdesin në vendet e punës apo lëndohen ata nuk kanë kontratë dhe për këtë nuk mund të marrin kontribute”, tha Kollçaku.

Kollçaku kërkoi nga ministri Reçica që sa më shpejt t’u mundësohet pushimi shëndetësor me pagesë personave që janë me sëmundje të kancerit, për shkak të nevojës së mjekimit me kimioterapi.

“Personat që vuajnë nga sëmundja e kancerit nuk gëzojnë pushim me pagesë pas periudhës së marrjes së kimioterapisë. Gjatë marrjes së kimioterapisë për personat që kanë nevojë dhe janë të sëmurë të u mundësohet pushim shëndetësor me pagesë për muajt që marrin terapi të kimioterapisë, nuk do të ketë komplikim të madh buxhetor”, tha ajo.

Bekim Haxhiu tha se MPMS-ja më shumë primare e ka marrë skemën sociale sesa krijimin e vendeve të punës.

Sipas tij, sikur kjo ministri vetëm 10% të buxhetit t’ia kushtonte krijimit të vendeve të punës, pas pak viteve Kosova nuk do të kishte këtë nivel të papunësisë.

Reçica tha se deri në fund të nëntorit do të miratohet kontrata kolektive.

“Deri në fund të këtij muaji do të miratohet kontrata kolektive që do përmbajë dispozita që do zbatohen. Brenda muajit nëntor do të jetë kontratë që do të jetë në përputhje me të drejtat e punëtorëve, punëdhënësve dhe do jetë e zbatueshme në teren”, tha Reçica.

Për personat me sëmundje të rëndë, Reçica tha se janë kategori që duhet të kemi kujdes me trajtimin e tyre.

Kollçaku nuk u nda e kënaqur nga përgjigjja e ministrit, prandaj kërkoi prapë që t’u mundësohet trajtimi me kimioterapi të sëmurëve të punësuar duke mos ia ndalur pagën.

“Personat që marrin kimioterapi nënkupton 4 muaj punë dhe për këto muaj mjafton mos t’i ndërpritet paga personit që po e merr, brenda institucioneve të bëhet një riorganizim i punës kur personi mungon disa ditë që ne të mos i ndërpresim pagën, t’i mundësohet të pushojë ato ditë kur nuk ndjehet mirë pa e ndëshkuar punëtorin”, tha Kollçaku.

Reçica tha se së shpejti do të jetë një përfundim i mirë sa u përket personave me sëmundje të rënda ku do të punohet brenda mundësive që ka MPMS-ja.

“Po përpiqemi t’i japim rrugë brenda mundësive tona në kontratën kolektive dhe jemi afër të një përfundimi të mirë qe do të jetë i pranueshëm edhe për këto kategori, por brenda mundësive që kemi”, tha Reçica.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera