Reagon Abdixhiku pas rrëzimit të qeverisë Kurti, ja cfarë thotë ai
Autori: Gazeta inFokus 23:37 | 25 March 2020
Lumir Abdixhiku ka reaguar pas votimit të deputetëve të Kosovës për mocionin e iniciuar nga LDK, për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishin edhe vetë.
Abdixhiku tha se sot përfundoi udhëtimi i tij i shkurtër në ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, e që sipas tij fatkeqësisht përfundoi në kohë të përballjes emergjente kur vendit i duhet forcë, qetësi e stabilitet.
Abdixhiku tha se ka abstenuar nga procesi politik i ditëve të fundit sepse ka konsideruar se beteja për jetë në orë te vështirë të shtetit i mbizotëron të gjitha, betejën politikë në këtë kohë s’kishte si ta bënte dhe prandaj me këtë s’u mor.
Duke treguar punën e bërë për 52 ditë qeverisje, Abdixhiku tha se Kuvendi ia dha këtë mandat, Kuvendi ia mori atë.
“Për mua, shërbimi ndaj shtetit – sidomos në orën më të vështirë të tij – ishte nder. Të jesh ministër i një vendi të shkëlqyer me qytetarë të shkëlqyer është fare e lehtë. Do të kujdestaroj këtë detyrë me vullnet të njëjtë”, tha ndër të tjerash Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Sot përfundoi udhëtimi im i shkurtë në Ministri të Infrastrukturës dhe Ambientit. Fatkeqësisht përfundoi në kohë të përballjes emergjente kur vendit i duhet forcë, qetësi e stabilitet. Këtë forcë ky vend duhet ta rigjejë menjëherë.
Kam abstenuar nga procesi politik i ditëve të fundit sepse kam konsideruar se beteja për jetë në orën më të vështirë të shtetit i mbizotëron të gjitha. Betejën politike, në këtë kohë tani, unë s’kisha si ta bëj dhe s’mund ta bëja; edhe më pak në rol të ministrit. Prandaj me këtë s’u mora.
Udhëtimi në Ministri zgjati vetëm 52 ditë. Ishte udhëtim i vështirë sepse ende pa nisur mirë, jashta çdo parashikimi që mund ta merrja me mend ndonjëherë, u përballëm me krizën më të madhe shëndetësore në njëqind vjet – epideminë COVID-19. Vepruam shpejtë, më shpejtë se shumë shtete me traditë reagimi. Mbyllëm lidhjet ajrore e transportet rrugore me shtetet më me rrezik. Ishim të parët në Evropë që vepruam kështu – dhe ky veprim i hershëm ka shpëtuar jetë. Për mua kjo mjafton si referencë përherë.
Kur mbyllëm gjithçka, nisëm kujdesin ndaj të ngujuarve jashtë që kishin urgjencë. Me organzim, me përgjegjësi, me kujdes. Kthyem prindër që kishin lënë fëmijët vet; kthyem të moshuar, të sëmurë, të posalindur, të posamartuar – kthyem edhe – dhe kjo do të më mbetë plagë përherë – prindër me trupin e fëmijës së pajetë. Jam i bindur se i kemi dhënë kuptim pasaportës së Kosovës shumë më shumë se që mund ta kishim vlerësuar ndonjëherë. Antoni më thoshte se beteja që po bëjmë është e ushtarit që s’len të vetin prapa asnjëherë. E di që ka shumë të tjerë jashtë. Do të kthehen të gjithē. Ka një plan të mirë. Rrini të qetë.
Në këtë kohë të vështirë, siguruam rrjedhën e kanaleve ndërkombëtare për mallra – ushqimi s’duhej ndërprerë. Edhe në këto orë të vona vazhdoj të jem në kontakt telefonik me ministrat homolog të vendeve më të fuqishme prodhuese në Evropë. Vendi mbet i furnizuar mirë; i tillë do të jetë përgjatë gjithë krizës. Pa panik.
Krizën e sotme do ta kalojmë. Sot madje shënuam fitoren e parë në këtë betejë; shërimin e dy të infektuarve. Si vend e si shtet kemi treguar çfarë mundemi. Si shoqëri kemi përcjellur kulturë të lartë kolektive. Sot duhet të jemi me mjekët, policët, ushatrët e shërbyesit e tjerë që mbajnë Republikën tonë në këmbë. Janë heronj të vërtetë!
Të dashur qytetarë,
Ministria e Infrastrukturës e Ambientit s’ka qenë asnjëherë zgjedhje e lehtë; përkundrazi të dy ish ministritë – edhe ndaras – ishin kafshatë e vështirë gjithëherë. Më pyesnin a e ke idenë ku je? Natyrisht. Prandaj e nisëm shpejtë. Të ligën duhet goditur në kokë.
Në ditët e para të punës anuluam tenderin 110 milionësh që ndahej pa mbështetje ligjore e buxhetore. Anuluam vendimin 49 milionësh të punëve shtesë; një vit më parë këto mjete do të jepeshin pa hezitim. Ndalëm gjakderdhjen e tmerrshme financiare në vend që krijonte gjysmë miliardi borxhe. Anuluam vendimin për kushte ndërtimore në Badovc. Propozuam një buxhet që i jepte projekte gjithë Kosovës; pavarësisht preferencave partiake e regjionale – gjithçka për të gjithë. Do të doja të kisha mundësinë që për më pak se një mandat t’i përfundoja gjtihë rrugët që të shpiejnë për Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Podujevë e Gjakovë. Projekte që kishin mbetur në harresë tash e 10 vjet. Të linim një shenjë për gjeneratat e tjera që vijnë pas.
Për vetëm një muaj kohë, me punë bukur të lodhshme por të pandërprerë – edhe natën, në shi e deri herët në mëngjes – hapëm rrugën në Veternik; vendpunishtën më të ngarkuar në Kosovë. Ishte ndjenjë e mirë. Ishte shenjë e mesazh për secilin projekt.Dita e parë dhe e fundit e punës na gjetën me borē. Lajm i mirë për ujërat, punë për pastruesit e rrugëve. Reaguam me kohë. Hapëm rrugë, mirëmbajtëm autostrada, prekëm dhe viset më të paprekura në Kosovë. Ndërtuam sistem. Ky sistem edhe sonte vazhdon të pastrojë.
Rreth vetes ndërtova një ekip me njerëz të shkolluar, profesionistë e të përkushtuar. Me ta bashkë në kabinet treguam ndjesi ndaj parasë publike. I dhamë të 7 veturat e kabinetit – të dedikuara po për këta këshilltarë – në shfrytëzim të Inspektoriatit. Inspektorët i kishin deri atëherë vetëm 5 sosh. Ndërpremë praktikën e kontratave mbi vepër, shfuqizuam rregulloret e paligjshme, thyem ndikim e parapolitikës në ministri. Për një muaj kohë, shpenzuam vetëm 588 euro. Plot 14,000 euro ishin shpenzuar muajin e njëjtë një vit më parë. Alban, Lule, Krenar, Argjenta, Verona e Iriad ju faleminderit.
Takova organizata ndërkombëtare, donatorë e ambasadorë të vendeve më mike në Kosovë. Rikthyem projekte qindramilionëshe në infrastrukturë, transport, ujëra e mjedis që nesër e transformojnë Kosovën rrënjësisht. Disa nga këto projekte ishin shpërfillur turpësisht. Mjetet që s’ishin nën kontrollë të kapjes s’përbënin interes për kapësit. Vetëm kur je brenda e kupton se sa e rëndë është gjendja.
Për sq sa zgjati, dua të falenderojë kabinetin qeverisës për bashkëpunim. Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat e zëvendësat e mi, me të cilët ndamë momente të vështira në menaxhim krizash e ndërtim politikash. Në veçanti dua ta falenderojë ministrin Vitia. Me Arbenin që nga shpërthimi i pandemisë, na ra të ndanim ide, komunikonim halle, e të bënim zgjidhje të shpejta për probleme me të cilat s’ishim ballafaquar asnjëherë. I falenderojë poashtu deputetët e shumicës e Kryeparlamentaren Osmani që ishte mbështetëse e ministrisë sonë. Në veçanti, falenderoj LDK-në dhe
Kryetarin Mustafa që më dha mbështetjen partiake aq të domosdoshme për të bërë punët mirë. Do të punojmë ende – edhe më shumë – që LDK-në ta mbajmë të fortë dhe të drejtë.
Të dashur qytetarë,
Kuvendi më dha mandat; Kuvendi ma morri po këtë mandat. Shpresoj të kem plotnuar pritjet tuaja në mes të këtyre dy vendimeve. Shpresoj e dua të besoj gjithashtu se rrugëtimi i ndërprerë do të vazhdojë njejtë nga kushdo që vjen pas tani. Kam parë njerëz të jashtëzakonshëm në shërbim publik që krejt çfarë duan është një mundësi. Kam parë shpresë e kërkesë për ndryshim në secilin komunikim jashtë.
Këtë shpresë duhet ruajtur.
Për mua, shërbimi ndaj shtetit – sidomos në orën më të vështirë të tij – ishte nder. Të jesh ministër i një vendi të shkëlqyer me qytetarë të shkëlqyer është fare e lehtë. Do të kujdestaroj këtë detyrë me vullnet të njëjtë.
Tani, dua t’i kthehem dy vajzave të mia, Erës e Rozit, të cilat ka kohë që s’i kam parë e ka kohë që i kam lënë pas. Shpresoj të më kenë kuptuar sado pak.
Deri në stacionin tjetër,
I juaji,
Lumiri
Të tjera
-
Voton diaspora në Maqedoninë e Veriut, këto janë rezultatet zyrtare
Janë publikuar rezultatet zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga r...
-
Aksident mes katër veturash në Veternik, dy të lënduar
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti mes katër veturav...
-
Zeqiri: Kemi punë përpara në funksionalizimin e objektit të Komunës
Ka përfunduar seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut. Në seancë m...
-
Nervozohet Vuçiq: Veprimi i “neveritshëm”, duan t’i heqin sanksionet Kosovës
“Në Bashkimin Evropian tani kanë nisur një mekanizëm për heqjen e sanksioneve...
-
Të shtëna me armé në një lokal në magjistralen Prishtinë – Ferizaj
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi njëri prejt tyre ka shtënë me ...
-
Mërgimtarët dërguan 112 milionë euro në Kosovë gjatë muajit mars
Mbi 112 milionë euro është vlera e dërgesave të mërgatës që janë sjellë në Re...
-
Shtatë raste të dhünës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosov...
-
Përmbytjet vdekjeprurëse të Dubait, shkencëtarët bëjnë zbulimin e frishkëm! Një nga shkaktarët kryesor të kësaj katastrofe është…
Shiu rekord që ra mbi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman këtë muaj, duke shk...
-
Çitaku: Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do të jetë në opozitë
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se subjekti politik ku ...
-
Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj Trump
David Pecker, ish botues i tabloidit ‘National Enquirer’, dëshmoi të enjten n...
-
Sot mbahet ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”
Të premten, me datë do të 26 mbahet ceremonia përmbyllëse të garës ndërkombët...
-
Osmani merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET
Të premten e datës 26 prill nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kos...