Lajme

Rasti në veri, ambasadori gjerman: Incident shqetësues sigurie, sjellja e keqe e mundshme nga policia duhet të hetohet

Autori: Gazeta inFokus 10:50 | 12 April 2023

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka reaguar për një incident në Veri ku mbeti i plagosur një qytetar serb në Zveçan.

Ai të martën është kritikuar nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka kërkuar nga ambasadori të reagojë, duke shtuar se “për raste tjera ai reagon në sekonda”.

Për këtë rast ka pasur reagime nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë, por edhe prej zyrës së Bashkimit Evropian. Ndërkaq sot erdhi edhe reagimi i ambasadës së Gjermanisë.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori gjerman ka kërkuar nga Policia hetim të gjerë.

-Advertisement-

Ai u pajtua me reagimin e Bashkimit Evropian në Kosovë që dënoi incidentin, duke thënë se ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Policisë.

Policia e Kosovës të martën ka suspenduar katër zyrtarë të saj në lidhje me incidentin.

”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman, të mërkurën.

Kujtojmë se hënën në mbrëmje një person i komunitetit serb është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës, ndërsa rasti ngjalli reagime të shumta. Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar për këtë rast.

Lidhur me këtë rast reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai thënë se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.

Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.

“Pas intervistimit nga ana e Inspektoratit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, ka thënë ministri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera