Lajme

Rasti i vrasjes së motrës në Fushë Kosovë, avokati i të akuzuarës kërkon të gjenden gjurmët e ADN-së

Autori: Gazeta inFokus 12:34 | 20 September 2022

Mbrojtësi i të akuzuarës F.S., avokati Halit Shaljani ka kërkuar që të gjenden gjurmët e ADN-së në rastin ku F.S. akuzohet se e ka privuar nga jeta motrën e saj T.S., në Fushë Kosovë.

Në lidhje me këtë propozim, avokati Shaljani tha se deri më tani në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë provë e cila vërteton se e mbrojtura e tij F.S. ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kemi prova materiale nga gjurmët e marra në vendin e ngjarjes, propozojmë që në konsultim me ekspertin e fushës nëse është e mundur të gjinden gjurmët e ADN-së se kush e ka kryer atë vepër penale, atëherë të bëhet zhvarrosja e viktimës”, tha ai.

-Advertisement-

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Ilaz Beqiri, ndërsa u aprovua nga ana e trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Kushtrim Shyti.

“Gjykata do të kërkoj nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, sektori i ADN-së, mundësin nëse gjurmët e njëjta janë siguruar, ose në të ardhmen mund të sigurohen në ndonjë formë tjetër”, deklaroi gjykatësi Shyti.

Paraprakisht në këtë seancë avokati Shaljani propozoi që si dëshmitare të dëgjohet psikologia Kumrie Hyseni, pasi që sipas tij, e akuzuara F.S. rregullisht mbanë seanca tek e njëjta dhe të dëgjohet edhe njëherë eksperti apo të plotësohet raporti i ekspertizës së psikiatrisë, me arsyetimin se ky raport dallon nga dëshmia e ekspertit.

Të njëjtat propozime u kundërshtuan nga prokurori Beqiri dhe u refuzua nga trupi gjykues.

“Gjendja shëndetësore e të pandehurës është konstatuar nga ekspertët e fushës në masë të mjaftueshme me ekspertizë po edhe në deklarimin e ekspertit në seancë”, tha gjykatësi Shyti.

Ndërkaq, avokatit Shaljani i është aprovuar propozimi që si prova të administrohen udhëzimi për konsultim, raporti për konsultime, receta për barna, udhëzimi i mjekut specialist dhe dorëshkrimi i të ndjerës T.S.

“Ku me këto prova do të vërtetohet se e ndjera ka pasur vizita mjekësore para ngjarjes dhe për këto rrethana ka dhënë dëshmi doktoresha Hidajete Pireva”, tha gjykatësi Shyti.

Seanca për këtë çështje penale është shtyrë në afat të pacaktuar deri në marrjen e informatave nga ana e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokat Halit Shaljani për shëndetin e të njëjtës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila akuzohet se deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera