Rashiq pas diskutimit për Asociacionin: Ka potencial për bisedime të mëtejshme
Autori: Gazeta inFokus 15:08 | 31 January 2023
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se është mirënjohës ndaj palëve të ndryshme që ndanë “pikëpamjet dhe ekspertizat e tyre” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne vazhdojmë të mbështesim zbatimin e të gjitha angazhimeve të marra në dialogun [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shkroi Hovenier në Twitter.
Deklarata vjen pas një diskutimi të mbyllur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.
“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje.
Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai.
“U fol për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës”
Një pjesëmarrës tjetër në takim nga shoqëria civile tha se gjëja më e rëndësishme gjatë diskutimeve ishte fakti se “gjatë gjithë kohës është folur vetëm për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Duke dashur të mbetet anonim, ai tha për REL-in se takimi ka shkuar në frymë konstruktive, por se “kanë dominuar qëndrime shumë të kundërta”.
“Në pjesën e parë të takimit kanë folur kryesisht përfaqësuesit e komunitetit serb (politikanë, shoqëria civile, zyrtarë institucionalë). Diskutimi ka qenë përmbajtjesor, në kuptimin që është folur për të drejtat që burojnë nga [Pakoja] e Ahtissarit [v.j. në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës]… se cilat janë pengesat në ushtrimin e tyre dhe se çka mund të bëhet më mirë”, tha pjesëtari i shoqërisë civile.
“Nga diskutuesit shqiptarë (qoftë nga politika apo shoqëria civile) ka pasur më shumë pyetje konstruktive, të drejtuara drejt komunitetit serb, se pse Asociacioni është i nevojshëm për t’i përmbushur këto kërkesa… theksimi i rreziqeve apo shqetësimeve mbi pasojat e Asociacionit në rendin juridik, por edhe kërkesa politike drejtuar aleateve”, tha ai.
Sipas tij, “nuk mund të thuhet se kishte më shumë mbështetës të Asociacionit sesa kundërshtarë”.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme, qoftë skeptike apo më pozitive – të njëjta me ato që i dëgjojmë në opinionin tonë publik”, tha ai.
Millica Andriq-Rakiq, nga organizata joqeveritare New Social Initiative, me bazë në Mitrovicë të Veriut, tha se diskutimi u fokusua kryesisht në tri tema: si do të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, çfarë lloj shërbimesh do të ofronte dhe si do të funksiononte ai brenda sistemit ligjor të Kosovës.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme që janë ndarë nga pjesëmarrës të ndryshëm. Kanë folur rreth 25 persona. Padyshim që nuk kishte qëndrim të përbashkët në fund. Qëndrimet ishin shumë, shumë të kundërta”, tha Andriq-Rakiq për mediat pasi doli nga takimi.
Pse kundërshtohet Asociacioni?
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture njëetnike me kompetenca ekzekutive.
Idenë e formimit të tij e kanë kundërshtuar edhe qeveritë e kaluara, duke e konsideruar si një mekanizëm që mund t’i sjellë telashe Kosovës, pasi do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Trysnia e ndërkombëtarëve
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociaionin.
Javëve të fundit, këto kërkesa janë intensifikuar, bashkë me thirrjet për hapa konkretë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në muajin dhjetor, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se formimi i Asociacionit është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetëusar negocimin e tij.
Nëse Qeveria e Kosovës s’do të marrë pjesë, SHBA-ja do ta diskutojë atë me “partnerët alternativë”, ka thënë Escobar.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë po ashtu për REL-in, se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”. /REL
Të tjera
-
Pamje nga tubimi madhështor në Stuttgart, të cilin e organizoi kandidati i PDK-së Shahin Dervishaj
Biznesmeni i suksesshëm shqiptar në Gjermani, Shahin Dervishaj, organizoi tub...
-
“Është e patolerueshme” – Banorët e Prizrenit thërrasin protestë kundër reduktimit të mëdha të energjisë
Banorët e tri fshatrave të Prizrenit kanë paralajmëruar një protestë të organ...
-
Rrëzimi i avionit të Azerbajxhan Airlines, NATO: Hetim të plotë për aksidentin
NATO bëri thirrje për një hetim zyrtar lidhur me rrëzimin e avionit të linjës...
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Nesër në Kosovë pritet të kemi mot të ftohtë, me vranësira, por edhe me i...
-
Haradinaj aludon për një “koordinim” mes VV-së dhe Vuçiqit për moscertifikimin e Listës Serbe
Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AA...
-
Ministri i Mbrojtjes: Sụlmet nga Serbia janë të mundshme përderisa Radoiçiq dhe grupi i tij janë në liri
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se sulmet nga Serbia në Kosovë...
-
Kolapsi energjetik: VV-ja tash e fal KEDS-in, dikur e bënte horë
Dita e data nuk luanin rol për të ngritur alarmin e mungesës së rrymës, sa is...
-
Vuçiq: Kosovën do ta çnjohin edhe shtete tjera
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq tha sonte se do të ketë më shumë vend...
-
Dakaj: Rizvanolli po thotë mos u ngrohni me rrymë ndërkohë që vetë ua kishte blerë klimat
Gazetari, Shkëlzen Dakaj i ftuar në emisionin Debat Plus, ka reaguar për mung...
-
Mustafa tregon se si LDK do ta zgjidhë problemin e energjisë elektrike
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Besian Mustafa, ka folur për zgjidhje...
-
“Trepçës do t’i kthehet nami i dikurshëm”, Limaj zotohet për fuqizimin e ndërrmarjeve publike, si shembull e merr Aeroportin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se për sa kohë ka qe...
-
Burim Ramadani ndez një qiri në studio: Mund të ndalet rryma, po solidarizohemi me qytetarët
Në shumë komuna të Kosovës ditëve të fundit ka pasur dhe akoma ka reduktime t...